Advertisements
Ultimate magazine theme for WordPress.

Intervistë me Bedri Islamin: E vërteta konfliktit aktual mes Hashim Thaçit dhe Sali Berishës.

Rrënjët e hershme të konfliktit aktual mes Hashim Thaçit dhe Sali Berishës. E vërteta sipas Bedri Islamit, shkodranit që në vitet 90-të iu besua drejtimi i organizatës ilegale nga ku më pas lindi dhe UÇK-ja.

Takimi sekret me Ramiz Alinë dhe dy njerëzit që ai caktoi për lidhjet e fshehta me grupet e rezistencës. Kur Gazidede është takuar personalisht me Zhelko Raznatoviçin, Arkanin dhe çfarë i ndodhi Adem Jasharit pas atij takimi. Dërgesat financiare të Miloshevicit në 1991 në Shqipëri, agjentët e UDB-së që u bënë deputetë të Partisë Demokratike, dhe cilat janë lokalet në Tiranë dhe Durrës të hapura nga UDB-ja. Dëshmi dhe dokumente sekrete mbi disa veprime të Sali Berishës nga ‘92-në ’97. Dokumenti komprometues “AT 317-b” i datës 21 janar 1996, mes zv.shefit të SHISH-it dhe Berishës që provon trekëndëshin Prishtinë-Tiranë-Beograd dhe një komunikatë serbe mbi vrasjen e Zahir Pajazitit që implikon Sali Berishën. Përse Sali Berisha është tronditur nga akuzat e Thaçit?

Si dihet tashmë, “dueli” mes Berishës dhe Thaçit, si nuk është pritur, është ashpërsuar së tepërmi. Madje, duke e cilësuar njëri tjetrin si mjete të shërbimit të fshehtë serb, ata kanë shkuar edhe më tej. Berisha, kohët e fundit, kërkoi që Thaçi t’i jepet Gjykatës Speciale të Hagës. Përse Berisha kërkon dërgimin në Gjykatën Speciale të Hagës të mikut të tij të djeshëm, me të cilin përqafohej edhe në mes të tuneleve dhe armikut të tashëm?

Tema e dërgimit të Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale nuk është e re, as e shpikur fillimisht nga Berisha. Si kam shkruar ditën e djeshme, Thaçi  është dënuar nga Gjykata serbe e instaluar në Kosovë me dhjetë vite burg. Është dënuar pikërisht për shkak të aktivitetit të tij, ashtu si janë dënuar edhe dhjetra të tjerë, pjesë e formimit dhe ngritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si Bajrush Xhemajli, Xhavit Haziri – njeriu i caktuar për të ngritur strukturat e para të luftës, Nait Hasani, etj.

Berisha dhe Thaçi, për mendimin tim, janë përfshirë vonë në një debat që duhej, ose të ishte bërë me kohë, ose të mos ishte bërë fare.

Meqenëse ky debat u nxit nga përlidhjet e reja politike të shqiptarëve, në dy anët e kufirit, përlidhje që tregojnë se sa meskine dhe e cekët është klasa jonë parapolitike, Berisha u fut në këtë debat si mund të futet vetëm ai: me të gjithë energjitë e tij, pa menduar nëse ka të drejtë apo jo dhe këtë gjë ai e bën gjithmonë me pasion deri në vetçartje.

Lufta është luftë, nuk është piknik i së dielës dhe as llogje parlamenti. Në luftë ose do të të vrasin, ose do të vrasësh. Shumë luftëtarë janë dënuar, sipas bindjes sime, padrejtësisht, dhe si duket, ende nuk i ka dalë fundi kësaj përndjekjeje.

Nëse Thaçi ka bërë krime gjatë luftës ose pas saj, atë nuk e gjykon dot as Berisha e askush tjetër, veç strukturave të posaçme, të cilat janë ngritur edhe pas insistimit të Thaçit, atëherë shefi i qeverisë së Kosovës.

Perceptimi se Thaçi mund të bëjë lëshime politike e kombëtare për të shpëtuar nga gjykimi është sipas parametrave shqiptarë, në Kosovë dhe në Shqipëri. Ata i mendojnë strukturat e veçanta të drejtësisë si një vegël politike dhe nuk duan të besojnë pavarësinë e tyre. Jam në dijeni se edhe lideri i Bosnjës në luftën kundër shtetit fashist serb, Alija Izetbegoviç, do të gjykohej në tribunalin e Hagës.

Akuzat ndaj Thaçit janë ngritur në media të ndryshme, forume etj. Por këto nuk i saktëson askush tjetër. Vetëm një organ i specilizuar. Me sa jam në dijeni , ai nuk është nën hetim dhe as nuk është hapur ndonjë dosje për aktivitetin e tij.

Berisha është në këtë mes në të njëjtën linjë me kërkesat e Beogradit, të Dik Martyt, Karla del Pontes, prokurorit të posaçëm serb, strukturave të veçanta serbe, të cilat, me sa kam dijeni, kanë dorëzuar mijra faqe “hetime” dhe videoregjistrime të atyre që nesër mund të jenë dëshmitarë të mbrojtur.

Dëshira e Beogradit për të dënuar Thaçin, Haradinajn, Veselin, drejtuesit e luftës në Drenicë, në Llap,  në Dukagjin, etj është e pazakontë dhe e kuptueshme nga ana e tyre, si humbësit më të mëdhenj në fundin e shekullit të shkuar.

Unë kam bashkëpunuar shumë kohë me to, kemi qenë pjesë të së njëjtës organizatë politike çlirimtare, kemi pasur të njëjtat bindje dhe të njëjtin vizion.

Cilido prej nesh, duke futur edhe veten, që ka bërë jashtë përcaktimit politik, kombëtar dhe njerëzor të ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që ka marrë pjesë në krime, që ka ushtruar dhunë, burgosur, që ka nxitur dhunë etnike apo ndaj kundërshtarëve politikë, duhet të përgjigjet.

Por, si thashë, lufta nuk është shëtitje. Qindra civilë serbë, duke menduar se erdhi koha për të larë hesapet me fqinjët e tyre autoktonë shqiptarë, u bënë paramilitarë, u uniformuan, vranë, vodhën, përdhunuan, grabitën, hynë në luftë dhe disa prej tyre edhe u vranë. Familjet e tyre tani, në Kosovë apo jashtë saj, për qëllime të njohura, ngritën versionet se njerëzit e tyre nuk u vranë si kriminelë, në luftë,  por se ata u grabitën në mesnatë, u vranë dhunshëm , etj.

Mos të harrojmë se shpifja është motiv kombëtar serb dhe ata mburren për këtë.

Mendoj se rruga ku ka hyrë Berisha me dëshirën e tij për të dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës njërin nga drejtuesit kryesorë të luftës në Kosovë, nuk i bën nder atij.

Njëjtë sikur një ditë të kërkohet që vetë Berisha të gjykohet për ngjarjet e vitit 1997 dhe të akuzohet për krime kundër njerëzimit.

A ka të drejtë Hashim Thaçi në akuzat e tij dhe pse reagon kaq ashpër Berisha?

Nuk mendoj se Berisha mund të reagojë ndryshe. Ai është njeri pasionant dhe në luftë futet me gjithçka ka me vete, me ato që di dhe me ato që nuk di; me të vërtetat dhe të pavërtetat, me sajimet e çastit dhe dëgjimet e rastit.

Berisha nuk mund të luftojë ndryshe.

Thaçi u duk shumë më i përmbajtur dhe më i qetë në fillimin e këtij dueli politik. Pastaj, ngjarjet morën rrjedhë tjetër dhe tani edhe ai ka hapur gjithçka di.

Në vitin 1996, në fundin e tij, gjendja në Shqipëri ishte para katastrofës dhe pritej shpërthimi, të cilin e dinte edhe vetë Berisha se mund të vinte.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte në fazën e strukturimit të saj, në ngritjen e zonave të para operative, mbledhur rreth disa figurave të rëndësishme, Adem (Rafalla) e Hamzë Jasharit, Mujë Krasniqit (Kapuçi), Daut Haradinaj (Davidi), Rustem Mustafa (Remi), Luan Haradinaj (Adriani), Rexhep Selimi (Agroni), Kadri Veseli (Luli), Hashim Thaçi (Selimi fillimisht e pastaj Gjarpëri), Zahir Pajaziti (Ismeti), Nait Hasani (Abazi), Ali Ahmeti (Abaz Gjuka), Lahi Ibrahimi (Magjupi), Ramush Haradinaj (Smajli). Po organizohej lëvizja studentore, ku ishin liderë Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Dritan Lajçi, Albin Kurti dhe rektori i Universitetit, Ejup Statovci.

Pikërisht në këtë kohë, kur Kosova nuk ishte e gatshme për luftë, Berisha bëri përpjekjen për të ndezur konfliktin në Kosovë, i eksportuar nga Shqipëria dhe kjo do të ishte fatkobe.

Ai thirri në Tiranë, fillimisht Hydajet Hysenin, asaj kohe nënkryetar i LDK-së dhe Adem Demaçin, për të nxitur rezistencën aktive, demonstratat, aksionet, përleshjet, çka do të kishin ndezur një vatër lufte, kundrejt së cilës Bosnja do të ishte dukur lojra fëmijësh.

Këtu filloi edhe ndarja e Rugovës me Berishën. Ai nuk ia fali Berishës këtë prerje në besë, lëvizje nga vija e tij dhe kalimi tek një vijë e kuqe.

Pra, distancimet dhe përdallimet kanë filluar më herët dhe unë mendoj, për më tepër, jam i bindur se, në shumë nga deklarimet e tij, Thaçi është në të drejtë, ashtu si ka edhe gjëra që nuk mendoj se është në të drejtën e tij.

Zoti Islami, ju keni qenë një nga aktivistët dhe figurat më të njohura të lëvizjes kosovare në ilegalitet, Lëvizjes Popullore të Kosovës.  Si ndodhi që u bashkuat me këto struktura?

Në nëntorin e vitit 1992 unë u largova nga Shqipëria. Për një gazetar të “Zërit të Popullit”, sidomos nga Shkodra, ishte një periudhë e vështirë, aq më tepër kur, shumë nga gazetarët kryesorë, që mbulonin udhëheqjen, pra Komitetin Qendror dhe Byronë Politike, u larguan dhe, befas, u ndjenë opozitarë.

Shndërrimi i papritur i karakterit ishte pa asnjë dyshim njëra nga veçantitë e kohës. Për këtë mund të pyesni më mirë Fahri Balliun. U largova nga Shqipëria edhe nga shkaku i presionit të kohës, por edhe nga një kërkesë për të punuar për një gazetë shqiptare në Perëndim.
Në janarin e vitit 1993, kur po përkujtoheshin vrasjet e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, u njoha me përfaqësues të këtyre strukturave, megjithëse deri aso kohe dija fare pak për to.

Një vit më pas isha pjesë përbërëse e tyre. Dy njerëz kanë qenë, si të thuash, “kumbarët” e kësaj pune: Fehmi Lladrovci, pa dyshim figura më komplekse e luftës çlirimtare në Kosovë, dhe miku im, Ali Ahmeti, njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Iu përgjigja ftesës së tyre, u bëra pjesë e lëvizjes ilegale që po përgatiste luftën çlirimtare, u zgjodha më pas natyrshëm në organet drejtuese të saj, dhe kur lufta ishte në fillimet e saj, unanimisht u zgjodha kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Për ata që nuk e dinë, Lëvizja Popullore e Kosovës ishte themeluese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, udhëheqëse politike e saj, mbështetëse kryesore dhe thuajse të gjithë liderët e luftës ishin anëtarë të saj. Në këtë lëvizje klandestine bënin pjesë që nga Adem Jashari, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Jakup Krasniqi, Fehmi Lladrovci, Bardhyl Mahmuti, Azem Syla, Rexhep Selimi, Ilaz Kodra, dhe fillesa e saj, themelimi i saj, ishte bërë pikërisht nga Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka. Pa dyshim ishte organizata më e rëndësishme klandestine në Kosovë dhe viset e saj.

Si ka qenë raporti i kësaj Lëvizjeje në vitet 90-të me shtetin shqiptar?

Kushdo që mund të ketë menduar se çështja shqiptare në Kosovë mund të zgjidhej pa Shqipërinë do të ishte jo vetëm i gabuar, por edhe i papërgjegjshëm.

Nuk ishte thjeshtë shteti amë, por edhe e vetmja mundësi për të lëvizur, për të siguruar një mbështetje, politike, logjistike dhe në diplomacinë ndërkombëtare, do të ishte prapavija e saj, që shumë thjeshtë mund të shndërrohej në vijën e parë, si edhe ndodhi. Lidhjet e para janë të vitit 1990 dhe 1991, kur ende nuk kishte filluar ndërrimi i sistemit. Ai është bërë me presidentin e kohës, Ramiz Alia dhe më pas me strukturat e përcaktuara prej tij.

Takimi është bërë në presidencë, ka qenë i fshehtë, nuk janë mbajtur shënime protokollare dhe as nuk janë bërë incizime, është mbajtur vetëm një dokument i shkurtër, sipas të cilit, shteti shqiptar do të mbështeste veprimtarinë politike e ushtarake të grupeve të rezistencës. Në këtë kohë ende nuk ishte krijuar UÇK-ja, por kishte disa grupe në kuadër të Lëvizjes. UÇK-ja do të formësohej më pas, vendimi për të është i Mbledhjes së IV të Përgjithshme të LPK-së; por është krijuar mbi bazën e këtyre grupeve që vepronin edhe më herët.

Nga zoti Alia u caktuan dy vetë për kontaktet dhe mbështetjen e Lëvizjes, gjeneral Adem Çobani, këshilltari i tij ushtarak, dhe Shaban Sinani, këshilltari i tij politik. Më pas, në këto vite janë bërë disa takime, jo më në presidencë, por në vende private, natyrisht të fshehta dhe disa gjëra kanë filluar të lëvizin nga vendi. Të gjitha këto u fashitën, pasi ngjarjet në Shqipëri kishin zhvillime të tjera, shumë të rëndësishme, dhe, si të thuash, Kosova doli në planin e pestë.

Në ç’kuptim doli në planin e pestë?

Kur them se doli në planin e pestë, për të mos thënë në planin e fundit, i referohem një periudhe të caktuar, nga viti 1992 deri në fundin e vitit 1997, dhe e gjithë kjo lidhet me një periudhë të caktuar, gjendjen e zotit Berisha si President i Shtetit Shqiptar.

Në një intervistë për “DITA“-n, njëri ndër themeluesit e UÇK-së, Qerim Kelmendi, ka akuzuar ashpër ish-Presidentin Berisha se ka punuar kundër Lëvizjes kosovare në vitet 90-të. Ju ç’mendim keni?

Qerim Kelmendi ishte njëra nga figurat e para të Lëvizjes që u bë pjesë e UÇK-së. Është në të njëjtën kohë edhe i plagosuri i parë i kësaj lufte. Pra ishte në dijeni të gjërave, kjo edhe sepse, për një kohë të gjatë ishte pjesë e sektorit të Logjistikës së UÇK-së. Në radhët e Lëvizjes është i njohur me emrin “Shpirtmadhi”, e më pas në radhët e UÇK-së njihej me emrin “Dema”.

Nëse doni të flasim shkoqur mund të them pa asnjë droje se, nëse ka pasur shtetar në Shqipëri, i cili ashpërsisht e brutalisht, në të gjithë kohën kur ka sunduar, them sunduar e jo drejtuar, që ka qenë kundër Lëvizjes klandestine në Kosovë dhe në viset e saj, dhe që ka bërë gjithçka për shuarjen e saj, ky është Sali Berisha. Këtë e them pa asnjë lloj mëdyshje. E gjithë veprimtaria e tij ka qenë e drejtuar kundër lëvizjes së armatosur në Kosovë dhe në vise, dhe kjo ka qenë një përpjekje e shfrenuar politikisht, organizativisht, përmes shërbimeve të tij të inteligjencës dhe përmes lidhjeve të fuqishme që kishte me klanet UDB-ashe në Kosovë e jashtë saj.

Nëse ka një shtetar, në ndërgjegjen e të cilit duhet të rëndojnë edhe krimet që bënë serbët në Kosovë ndaj shqiptarëve vendas, ai njeri është pikërisht Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha. Mos ju dukem i ashpër? Nuk e besoj. Le të sjell disa shembuj për të bërë të qartë konkluzionin tim.
Sipas një marrëveshjeje me zotin Ramiz Alia e që më pas u vazhdua edhe me zotin Berisha, në Shqipëri do të stërviteshin grupe të ndryshme ushtarake.

Ata u dërguan si nga qeveria e Bukoshit, si nga Lëvizja Popullore e Kosovës, megjithëse kjo e fundit duke qenë ilegale, nuk ishte e një mendje që gjërat të bëheshin kaq haptas. Por ishte koha e trullosjes, sepse Berisha erdhi në pushtet me parullën e Bashkimit Kombëtar. Atëherë kam bërë një shkrim mosbesues ndaj tij, pasi, ai, në të njëjtën kohë bënte thirrje e aspironte për hyrjen e Shqipërisë në Helsinki, e po në të njëjtën kohë për Bashkim Kombëtar, çka përjashtonin njëra-tjetrën. Por, parullat e tij, ngjallën entuziazëm. Regjimi i vjetër u shemb jashtëzakonisht shpejt, regjimi i ri po vinte përmes dëshirës së njerëzve, por edhe shkatërrimit.

Grupet e militantëve që u stërvitën në Shqipëri kishin thuajse të gjitha të njëjtin fat: ata u burgosën sapo shkelën në Kosovë ose u detyruan të marrin arratinë.

Regjimi serb kur i arrestonte ua dinte jo vetëm se ku kishin qëndruar në Shqipëri, por edhe numrin e armës, me cilët kishin qëndruar, etj. Pra ishte gjithçka e dekonspiruar. Shërbimi i fshehtë i Gazidedes kishte bashkëpunuar direkt ose indirekt me shërbimin e fshehtë serb. Direkt përmes lidhjeve që kishin, indirekt përmes strukturave të UDB-së në Prishtinë. Vetëm dy grupe rezistuan dhe, as nuk ikën në mërgim, si donte klani titist në Kosovë dhe në Tiranë, dhe as nuk dorëzuan armët. Njëri ishte grupi i Drenicës, ku printe Adem Jashari, tjetri ishte grupi i Llapit, një pjesë e tij, ku ishte drejtues Zahir Pajaziti.

Këto dy grupe ishin pjesët më thelbësore përbërëse të UÇK-së së ardhshme. Tani, mendoni vetë, po sikur të mos kishte pasur dekonspirim, shkurt tradhti nga brenda, çfarë do të kishte ndodhur në Kosovë kur ishin stërvitur qindra vetë për fillimin e luftës? Do të kishte pasur një pamje krejt tjetër, ushtria do të ishte shumë më mirë e përgatitur, humbjet do të ishin më të pakta, njerëzit do të kishin besuar më shpejt në organizimin e saj. Kjo nuk ndodhi. Në vend të saj erdhën arrestimet e bujshme dhe largimet e mëdha. Kjo solli në Kosovë shembjen e mitit të luftës, disfatizëm, hutim, dhe u humb mjaft kohë deri në ngritjen e strukturave të tjera. Tani dihet se Gazidede është takuar personalisht me Zhelko Raznatoviçin, Arkanin.

Është larg mendsh të mendohet se ai është takuar pa marrë bekimin e Berishës. Përse janë takuar? Përse pas këtij takimi represioni në Kosovë ndaj lëvizjes ilegale është shtuar? Përse Arkani u bë pjesë e rrethimit të tretë të Adem Jasharit? Që ka pasur një bashkëpunim në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Beograd, kjo është e qartë tashmë, megjithëse për ne ka qenë e qartë gjithnjë. Por humbjet qe kanë ardhur nga ky bashkëpunim kanë qenë të ndjeshme.

Çfarë dinit ju që ishit kaq të qartë?

Po ju sjell një shembull tjetër. Është pak i njohur në Shqipëri, por unë e kam trajtuar në librin tim, “Enigma e një vrasje të trefishtë”. Më 31 janar1997 u vranë në një pritë të organizuar Zahir Pajaziti, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Edmond Hoxha, lider i Lëvizjes Studentore dhe Hakif Zejnullahu. Në dhjetor 1996, Zahiri, së bashku me Qerim Kelmendin ishin për disa javë në Shqipëri.

Qëllimi i tij ishte të hetonte nëse do të mund të bëhej diçka më shumë nga shteti amë, megjithëse përvoja e tij ishte e hidhur. Disa kohë më parë ai ishte arratisur nga Kosova, kishte ardhur në Shqipëri, por autoritet shqiptare ia kishin dorëzuar pushtetit serb. Por ai e donte Shqipërinë dhe besonte se diçka mund të bëhej.

Në Shqipëri, sipas të gjitha dëshmive, ai është ndjekur nga klani i Gazidedes, sepse, qarqet UDB-ashe me të cilat bashkëpunonte Gazidede, e njihnin atë. Kthehet në Kosovë nga 20 janari i vitit 1997 dhe pas pak ditësh bie në pritë. Pushtuesit serb në komunikatën për vrasjen e tij, megjithëse ilegalisht njihej si Ismeti, japin emrin e saktë të tij, lëvizjet që kishte bërë, udhëtimin në Shqipëri etj.

Të dhëna të çuditshme. Edhe nga drejtuesit e Lëvizjes nuk dihej se kush kishte marrë pjesë në aksionet luftarake, kjo ishte një temë “Tabu” për udhëheqjen politike, pasi kishte një strukturë brenda saj që dinte gjithçka, e kjo ishte e mjaftueshme, por lëvizjet e tij, të bëra të njohura nga një komunikatë vrastare, jepnin më shumë se kaq.

Së dyti, dëmi i madh që solli politika e Berishës ndaj lëvizjes klandestine çlirimtare në Kosovë është edhe në lejimin që, herë haptas e herë fshehtas, i bëri përhapjes së strukturave UDB-ashe në Shqipëri. Le të lemë mënjanë faktin se të gjithë ata që ishin dënuar në Shqipëri gjatë periudhës komuniste si agjentë të UDB-së, u rehabilituan, u quajtën të pafajshëm e u bënë edhe deputetë të Partisë Demokratike apo zunë vende të larta drejtuese.

Të dukej sikur në Shqipëri nuk kishte pasur kurrë agjenturë serbe e nuk do të kishte edhe më pas. Që në janarin e vitit 1991 në Shqipëri do të vijnë emisarë të Millosheviçit, të cilët do të sjellin edhe financimet e para. Por , kur në Kosovë, jo rastësisht, filluan aksionet e para luftarake, kjo agjenturë në Tiranë gjeti vatrën e saj të ngrohtë. Kjo agjenturë u mirëprit në Shqipëri.

Nga kush u mirëprit? Në cilën Odë e mirëpritën këtë agjenturë zoti Islami?

Ndryshe nga UÇK-ja që në Shqipëri u shtri përmes njerëzve të thjeshtë, që hapën portat e shtëpive për të, shërbimi i fshehtë serb nuk mund të kalonte kështu. Atëherë ai vendosi të bënte diçka krejt tjetër, e mbuluar në mënyrë të përsosur dhe në dukje krejt e zakonshme. Mendoi të hapte disa lokale në Tiranë, ndonjë në Durrës dhe rrugës për në veriun e vendit. Ato do të ishin pikë-stacionet e mbledhjes dhe të kalimit të të dhënave.

Ato dërguan edhe një njeri të tyre si koordinator, i cili kishte lidhje të ngushta me SHIK-un e Gazidedes, quhej Ramë M. Fillimisht paraqitej si një njeri në nevojë, më pas do të kishte një banesë në Laprakë, e jo shumë kohë më vonë do të kishte një dyqan në qendrën e Tiranës, përballë “Hotel Dajtit”, ngjitur me lokalin e njohur të asaj kohe, që ndodhej po ashtu përballë, me emrin “Nikolino“.

Aty, afër tyre, si rastësisht, ishte vendosur edhe një telefon, i cili u shërbente shqiptarëve të Kosovës për të folur me familjet e tyre. Përmes kësaj linje, jo rrallë, për njerëz që dyshonin si ishin të ingranuar në lëvizjet ilegale, bëhej përgjimi dhe regjistrimi i bisedave. Duke e ditur se lokali “Nikolino” ishte një lokal serioz, ku shkonin ilegalë të ndryshëm, edhe në lokalin tjetër, që ishte në anën e djathtë, pra në restorantin “Kumanova“ kishin dërguar një njeri të tyre.

Kjo nuk ishte e mjaftueshme. Atëherë ngritën një bazë të UDB-së edhe në restorantin “Prizreni“. Ishte një rrethim përmes restorantesh, dyqanesh, kioskash, ku jo rrallë do të uleshin edhe njerëz të luftës. Përmes lidhjeve që kishte aso kohe shërbimi i fshehtë i Lëvizjes dhe i UÇK-së u arrit të bëhej identifikimi i këtij rrjeti dhe të sinjalizohej shteti shqiptar.

Mirëpo kjo vazhdoi, deri sa u shembën edhe vetë strukturat e shtetit. Përveç këtyre informacioneve të punës operative të UDB-së në terren ka dhe dokumente shkresore që vërtetojnë lidhjet mes UDB-së, SHIK-ut të Gazidedes dhe strukturave të tyre partnere në Prishtinë.

Për çfarë dokumentesh e keni fjalën zoti Islami?

Ekziston edhe një dokument tjetër, kopje e të cilit është edhe në arkivën tonë. Ai mban datën 21 janar 1996, është skeduar nën numrin “AT 317-b”, është protokolluar tri ditë më vonë dhe në cepin e tij, lart në të majtë, është vënë shënimi i ish-Zëvendës Shefit të SHISH-it: “Të kalojë për informim në Presidencë…“
Në një informacion që ka paraqitur një inspektor i Shërbimit Informativ të Shqipërisë, A.K, pas bisedës në përfaqësinë e Kosovës, në Tiranë, mes të tjerave, shefi i tij ka nënvizuar:

“Mendimi i zyrtarëve të Prishtinës është se kemi të bëjmë me njerëz të organizuar mirë dhe që kanë disa baza në Shqipëri, sidomos në Tiranë, Durrës-Plazh dhe në Tropojë.

Veprimet e deritanishme të saj, që e quan veten UÇK, kanë qenë të përqendruara në Drenicë dhe në rajonin e Dukagjinit, që mund të përkufizohej në vijat Prizren-Shtimje dhe në rrugën Pejë-Mitrovicë. Tash, me aksionet që janë zhvilluar para pak ditësh, zyrtarët e Prishtinës mendojnë se ajo po vepron në një hapësirë krejt tjetër, që është më e gjerë.

Gjithnjë sipas tyre, UÇK-ja është në tri zona, mirëpo nuk kanë dijeni të sakta se cilat janë shtrirjet e zonave, vetëm se, më parë, zoti A.A, u kishte thënë se zona e dytë është në Maqedoni. Në takimin që ka pasur njeriu i tyre, R.Gj, me një përfaqësues të qeverisë serbe është pasur parasysh se aksione terroriste duhen pritur edhe në të ardhmen.

Mendimi i tyre është se fjala vjen për disa njerëz të veçantë, që mblidhen në organizata ilegale e që duhen survejuar, sidomos në Tiranë. Disa prej tyre nuk duhen lejuar të veprojnë në Shqipëri. Pas kërkesës sime, zyra e Kosovës do të na paraqesë një listë të emrave të njerëzve që dyshojnë se fshihen pas kësaj organizate terroriste”.

Ky dokument është botuar edhe më parë, asnjëherë nuk është hedhur poshtë. Ai sjell dëshminë e një trekëndëshi, i cili ka një qendër në Prishtinë e që shtrihet më pas në Tiranë dhe në Beograd. Në të vërtetë, pak ditë pas këtij informacioni, zyra e përfaqësisë së Kosovës në Tiranë ka paraqitur një listë me emrat e personave që mendohet se kryejnë veprimtari ilegale subversive.

Ashtu si është e vërtetë se disa ditë më pas, disa nga të dhënat që i ishin afruar nga Shërbimi Informativ Shqiptar do të shfaqeshin në një informacion të përgatitur nga ish-Shërbimi Ushtarak Jugosllav, KOS, në të cilin janë shtuar edhe disa karakteristika të tjera, si gjendja shoqërore e atyre që përbëjnë Grupin e Drenicës, arsimi i tyre, vendndodhja, karakteristikat e zonës, etj.

Shumë pak ditë më pas, kur lufta do të kishte një ngjitje të menduar nga lëvizja klandestine, por të paparashikuar nga jashtë saj, zoti Berisha do të bëjë dy deklarata ogurzeza; njëra e trajtuar edhe më parë, e tjetra e harruar.

Ai do të deklarojë se, UÇK-ja është organizatë terroriste, e lidhur me Arkanin, kjo e thënë edhe në organet e medies gjermane, ku pritej një faktorizim i shpejtë i lëvizjes guerile. Me thënë të drejtën, meqenëse asokohe isha në strukturat drejtuese të luftës, kjo thënie nuk na prishi punë, sepse njerëzit tashmë i njihnin ata që po luftonin.

Thënia e tij e dytë, e cila nga qarqet UDB-ashe në Prishtinë u amplifikua ishte se “UÇK-ja po lufton për të mbrojtur pragun e shtëpisë” dhe solli si shembull se Adem Jashari kur u vra, a nuk u vra në shtëpinë e tij(?). Kjo ishte një ndër thëniet më të rrezikshme, sepse sillte copëzimin e luftës, krahinorizmin e saj, katundarizimin e saj, copëtimin. Dhe në fakt, kjo edhe solli dëme fillimisht, sepse njerëzit, sidomos ato që ishin të lidhur me një tjetër politikë, hezitonin të luftonin fillimisht jashtë fshatit të tyre.

Përfundimisht mund të them me përgjegjësi se, për Kosovën dhe UÇK-në e saj, ishte një fat i madh që në kohën e luftës nuk drejtonte në Shqipëri Sali Berisha, në të kundërtën nuk do të kishte luftë çlirimtare. Ai do e pengonte deri në fund atë.

E gjithë paraloja e fillimit të luftës dëshmon për këtë. Dhe duhet thënë po ashtu se ishte një fat i bardhë që pushteti u ndërrua, që gjërat dolën jashtë kontrollit e përcaktimit të tij. Me qeverinë socialiste kemi pasur probleme, kemi pasur mosmarrëveshje, por gjërat kanë shkuar shumë më ndryshe e disa prej përfaqësuesve të tyre, sidomos pas marsit të vitit 1998, duhen falënderuar përzemërsisht.

/Intervistoi Erion Habilaj

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close