Advertisements

Kosova bën shpenzime të mëdha për kuadrot e specializuara të mjekësisë,për të mbetur pastaj pa punë

Shteti i Kosovës paguan shuma të mëdha të parave për kuadrot e specializuara të mjekësisë, por jo çdoherë këto kuadro të specializuara mjekësore, mund të japin më pas kontributin e vet në Kosovë, për shkak të mungesës së vendeve të punës, duke u detyruar të largohen për në vendet evropiane.

Për të nxjerrë një kuadër të rangut të lartë në mjekësi apo një mjek specialist, shtetit të Kosovës llogaritet se i kushton rreth 200 mijë euro. Ndërkaq një mjek i përgjithshëm, shtetit i kushton rreth 140 mijë euro. Këtë e tha për Radion Evropa e Lirë, Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë.

Ai tha se këto statistika janë nxjerrë në mënyrë profesionale nga Federata që ai udhëheq, duke i llogaritur studimet e gjata për secilin student dhe sa shteti i Kosovës paguan për profesorët, laboratorët, objektet ku ata ushtrojnë, pagesat e mjekëve gjatë specializimit e shumë gjëra të tjera.

Ndërkaq, Syla shton se ndonëse nuk ka statistika të sakta, janë rreth 500 mjekë të cilët që nga paslufta e fundit kanë ikur nga Kosova, ku vetëm shteti gjerman tashmë zyrtarisht ka punësuar 290 mjekë të cilët kanë shkuar atje për të punuar.

“Prej pas luftës llogaritet që deri në 500 mjekë, është numri i mjekëve që kanë ikur nga Kosova. Nga disa përllogaritje që janë bërë nga institucioni që e udhëheq, 141 mijë euro i kushton një mjek i përgjithshëm Kosovës. Ndërkaq mjeku specialist, për t’u shkolluar në Kosovë, kushton rreth 200 mijë euro. Kjo është kostoja që ne kemi llogaritur nëse ata paguhen për specializim”, tha Syla.

Aktualisht në Kosovë, sipas Sylës, janë 400 mjekë të pa punë, prej tyre 50 mjekë specialist, duke mos i përfshirë mjekët stomatologë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim, thotë se po punohet në mënyrë që të krijohen kushte sa më të mira, si për punësimin e tyre ashtu edhe për edukimin e tyre mjekësor. Kurse një qëllim tjetër për të mbajtur stafin e specializuar mjekësor në Kosovë, siç thotë Hoti, është edhe rritja e pagave në mënyrë që të njëjtit ta gjejnë vetën përmes profesionit të tyre në Kosovë.

“Në fundvitin e kaluar, përkatësisht fillimin e këtij viti, ka pasur dhjetëra specialistë që janë inkuadruar në punë në institucionet shëndetësore publike, derisa një numër tjetër do të punësohen gjatë vitit, varësisht sipas kërkesave që do t’i kenë institucionet shëndetësore. Ndërsa, një numër i mjekeve të rinj, do të inkuadrohen në specializime e të tjerë do të mund të punësohen në institucionet e kujdesit parësor nëpër komuna”.

Ndryshe, Mirjeta Berisha, është mjeke specialiste e stomatologjisë. Ajo aktualisht është e papunë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo tha se ka më shumë se dy vjet që mbajnë takime të njëpasnjëshme me zyrtarë qeveritarë për punësimin e tyre, porse punësimi ende nuk ka ndodhur.

“Jemi mbi 120 specialistë të stomatologjisë të papunë. Ka specialistë që nuk punojnë as në institucione private, e as publike. Është turp pasi gjithë këto vite shkollim dhe të mos inkuadrohesh, është shumë e rëndë. Janë dhënë shumë premtime, që do të sistemohen gjithë specialistët e papunë. Këto premtime i kemi marrë në vitin 2017, ku kanë thënë se në vitin 2018, asnjë specialist nuk do të jetë i papunë. Por, ja që është viti 2019 dhe nuk ka asgjë konkrete. Në mesin e specialistëve stomatolog ka nëna vetëushqyese, e që janë të papuna, me gjithë bagazhin shkollor që e kanë. Me të vërtetë është turp i madh për një shtet”, ka thënë Berisha.

Në sektorin publik shëndetësor janë më shumë se 13.500 të punësuar, prej tyre 5.561 janë mjekë dhe 7.392 infermierë.

Loading...
Advertisements
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close