Advertisements

Paneli i fondacionit Heinrich Böll në Berlin:20 vjet pas fundit të luftës në Kosovë konflikti ende jeton

Walter Kaufmann, shef i seksionit për Evropën Juglindore në fondacionin Heinrich Böll, në fjalën përshëndetëse iu referua fillimisht emërtimit të panelit në Berlin, që mbante titullin „Serbia dhe Kosova – dy shtete të papërfunduara 20 vjet pas luftës”. E di që shprehja shtete të papërfunduara është disi provokative, por kemi dashur të bëjmë lidhjen mes bllokimit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë dhe strukturave shtetërore në këto vende”, u shpreh Kaufmann

Bodo Weber nga think tank Democratisation Policy Center në Berlin, bashkëorganizator i tribunës, mendon se termi „shtete të papërfunduara” padrejtësisht lidhet vetëm me Kosovën. „Kosova me të vërtetë nuk e ka kontrollin mbi të gjithë territorin, por nëse shikojmë edhe Serbinë, në mënyrën si ajo përkufizohet, atëherë as ajo nuk e ka kontrollin e plotë mbi të gjithë territorin e saj”, tha Bodo Weber.

Në panelin, ku morën pjesë Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sabine Stöhr nga Ministria e Jashtme gjermane përgjegjëse për Evropën Juglindore, dhe botuesi e shkrimtari Veton Surroi nga Kosova, kryesisht u diskutua për të metat e shteteve të Serbisë dhe Kosovës në kuptimin e paaftësisë së elitave politike, të cilat menaxhojnë lidhjet e ndërsjella mes dy vendeve.

Në fillim të panelit u shfaq një video e shkurtër mbi projektin e Deutsche Welles #generation99, në të cilin të rinj nga Serbia dhe Kosova, të lindur në vitin 1999, flasin për pajtimin dhe përvojat e tyre në lidhje me luftën në Kosovë. „Deutsche Welle ka marrë pësipër atë që në fakt është detyrë e politikanëve: krijimin e atmosferës së pajtimit mes të rinjve”, tha Surroi.

Në pjesën më të madhe të panelit pjesëmarrësit u fokusuan në shpjegimin e fenomenit të idesë së shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës, që është hedhur disa vite pas bisedimeve për të ardhmen e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.

„Ne kemi qenë të shokuar, kur pas vite bisedimesh dhe lëvizjes në një drejtim të caktuar, dëgjuam papritur për këtë ide”, u shpreh Stöhr. Megjithëse ky projekt, siç tha ajo, duket se u hodh poshtë përfundimisht në samitin e Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Berlin në fund të prillit, zgjidhja për të ardhmen e marrëdhënieve nuk duket në horizont. Megjithatë Stöhr shpreson se në vazhdimin e samitit të Berlinit në Paris në fillim të korrikut do të jetë zgjidhur më në fund çështja e taksës doganore të Kosovës, gjë që do të mund t’i nxjerrë bisedimet nga pika e ngrirjes. Por edhe ajo paralajmëron se nuk ka çelës të artë, që do të bënte mrekulli brenda natës. „Një gjë e tillë nuk ekziston, Fjala është për hapa të vegjël, që në fund mund të çojnë te synimi. Është joreale të presësh ndryshime brenda natës”, përfundoi Stöhr.

Një optimizëm të lehtë rreth formës së re të bisedimeve dhe përfshirjes aktive të Gjermanisë dhe Francës ka edhe Sonja Biserko. “Mendoj se në këtë format pjesëmarrësit në bisedime do të mbështeten shumë më tepër në parimet e vlerat e Bashkimit Evropian, që do t‘i detyrojnë të dyja palët dialoguese për një farë mënyrë më të civilizuar të sjelluri”, tha Biserko për DW.

Surroi mendon se bisedimet për të ardhmen e Kosovës, që kanë nxjerrë marrëveshjen e Brukselit, janë kryer mbi parime të gabuara që nga fillimi.„Marrëveshja e Brukselit është plot me gabime, që janë të vështira për t‘u anashkaluar dhe për këtë arsye kemi këtë situatë”, përfundoi Surroi duke theksuar edhe mospajtueshmërinë e kushtetutës së Kosovës me marrëveshjen e Brukselit.

Por pesimizmi është i pranishëm, kur flitet për të ashtuquajturat elita politike në Ballkan. Surroi foli për „dembelizëm intelektual” të politikanëve të Serbisë dhe Kosovës, kur është fjala për gjetjen e zgjidhjeve për pajtim dhe për „atmosferën konstante të luftës”, e cila „nuk është zhdukur as pas 20 vjetësh”.

Biserko mendon se elitat politike të Ballkanit kontribuojnë në shkatërrimin e hapësirës politike dhe sociale, sepse bëhet fjalë për njerëz, që nuk kanë guxim për të bërë asnjë hap përpara” lidhur me vlerat, që përfaqëson Bashkimi Evropian „drejt të cilit tentojnë zyrtarisht”. „Në një farë mënyre ekipet politike i kanë bllokuar këto procese, sepse janë pak a shumë të pasuksesshme në të gjitha reformat dhe demokratizimin, për të cilin në fakt nuk mund të thuhet as se ka filluar, se ende merremi me tema siç është konsolidimi i shtetit”, tha Biserko.

Ajo thotë edhe se „qytetarët janë më të pjekur se elitat”, por janë të mbyllura kanalet, që do të mund të nxirrnin një lloj alternative politike. „I vetmi, që mund të ndihmojë këtu nga jashtë, është Bashkimi Evropian”, përfundoi Biserko.

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close