Advertisements
Ultimate magazine theme for WordPress.

Krujë/ Vazhdon tradita artizanale e punimit në tezgjah të qilimave

ATSH-A– Punimet artizanale me motive tradicionale shqiptare janë një ndër suvenirët më të pëlqyer nga turistët vendas dhe të huaj.

Në Pazarin e Krujës ka ende sot zonja të cilat ruajnë me fanatizëm traditën e të punuarit të qilimave, qelesheve, veshjeve popullore etj., në mënyrë artizanale, duke ruajtur traditën dhe trashëguar këtë proces tek brezat e rinj.

Qilimat e punuara me tezgjah spikasin në larmishmërinë e produkteve tradicionale që gjenden në Pazarin e Krujës.

Në ditët e sotme, duket se njerëzit po i kthehen traditës. Pikërisht një nga këto elementë tradicionalë janë edhe qilimat e punuar në tezgjah.

Kërkesat më të shumta vijnë nga emigrantët, të cilët sa herë kthehen në vendlindje, tentojnë të marrin një “copëz Shqipërie” me vete. Dhe qilimat e punuar në tezgjah janë një formë e gjetur, e menduar për përdorim personal në banesat e tyre, ose edhe si dhuratë për të huajt.

Dallëndyshe Tabaku, një zonjë krutane bën prej 30 vitesh të njëjtën punë, atë të krijimit të modeleve të ndryshme dhe interesante të qilimave tradicionalë, pasion ky i cili i kishte lindur që në rininë e hershme.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Dallëndyshe Tabaku tha se ka 30 vite që e ushtron këtë zanat si qilimpunuese, pasi familjet krutane e kanë traditë të hershme.

E veçanta e krijimeve të saj janë detajet që ajo përdor në këto qilima, ku spikasin motivet tona tradicionale, gjithashtu dhe punimi i tyre me tezgjah dhe sfurk.

“Për të punuar një qilim duhet tezgjahu, i cili është dy llojesh: vertikal dhe horizontal. Më parë gjyshet tona kanë punuar me tezgjah horizontal. Ngjeshja e leshit për një qilim tani bëhet me sfurk, kurse më përpara është bërë me shpatë. Simbolet që gjenden në qilimat tradicional janë ato të shqiponjës, lulet e pranverës, anije ilire, pra simbole që tregojnë identitetin dhe trashëgiminë tonë kulturore”, – tha Tabaku.

Një qilim i punuar në mënyrë artizanale kalon përmes një procesi delikat dhe kërkon një përkushtim të madh, pasi përveç punimit të tij në tezgjah kërkon dhe një prekje artistike, siç është vizatimi teknik.

Tabaku shpjegon se, “procesi i punës për një qilim fillon me endjen me fill pambuku, më pas fillohet thurja me fill leshi, që është i cilësisë së parë. Gjithashtu për bërjen e një qilimi duhet dhe vizatimi teknik, i cili ka të bëjë me simbolet kombëtare dhe kulturore të vendit tonë. Për prodhimin e një rrugice prej 1 m katror duhen gati 7 ditë dhe një punë intensive prej 8 orësh”.

Shtimi i numrit të turistëve të huaj në Krujë ka bërë që këto qilima t’i përshtaten dhe kërkesave të kohës, ku përveç qilimave klasikë me ngjyrat tradicionale të vendit tonë, këto zonja po punojnë dhe me qilima modernë.

“Duke iu përshtatur edhe kërkesave të turistëve dhe modës tashmë bëjmë dhe qilimë modernë me ngjyra të tjera dhe me simbole matematikore, pra figura ekzakte”, – përfundoi qilimpunuesja krutane Dallëndyshe Tabaku.

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close