Advertisements

Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të organizojë më 15 nëntor 2019 një konferencë shkencore mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare kushtuar rezistencës antifashiste të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore

Akademia e Shkencave e Shqipërisë:

Për konferencën shkencore kushtuar 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut (1944-2019)

Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të organizojë më 15 nëntor 2019 një konferencë shkencore mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare kushtuar rezistencës antifashiste të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo konferencë organizohet në nderim 75-vjetorit të fitores antifashiste, si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë moderne të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Bashkë me konferencën, në muajin nëntor 2019 do të shpallen fituesit e veprës shkencore më cilësore nga autorë vendës dhe të huaj, si dhe nga kërkues të rinj, botuar në periudhën 1991-2019. Dy vepra të reja, prej autorësh të rëndësisë parësore, me burime të misionarëve aleate në Shqipëri gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, do të botohen dhe do të përurohen në një kalendar të përbashkët me konferencën e konkursin.

Kjo është konferenca e parë që Akademia e Shkencave organizon me thirrje të hapur dhe është pozitive që kjo thirrje ka zgjuar interes publik në shtyp dhe në media dhe në mjediset shkencore.

Siç është në traditën e veprimtarive të tilla, që Akademia e Shkencave i ka organizuar edhe në kohët më të vështira, konferenca, konkursi dhe botimet kanë për qëllim, siç thuhet edhe në shpalljen publike, nderimin e traditave të antifashizmit në Shqipëri në të gjitha format e shprehjes së tyre. Për fat të keq, ky qëllim i padyshimtë i Akademisë së Shkencave është mjegulluar e deformuar nga një pjesë e kontribuuesve në debat.

Akademia e Shkencave mirëkupton shqetësimin e atyre që, me të drejtë, mund të jenë keqkuptuar për shkak të shkurtësisë së tekstit tonë lidhur me konferencën kushtuar 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Ne bëjmë dallimin midis tyre dhe personave që, në mënyrë të qëllimshme, kanë përdorur njoftimin tonë për të ndërmarrë sulme dashakeqëse ndaj Akademisë së Shkencave.

Në respekt të të vërtetave dhe e shqetësuar prej zellit entuziast dhe deri në një shkallë edhe të pakuptimtë për të fabrikuar probleme që nuk kanë ekzistuar dhe nuk ekzistojnë, e ndiejmë të nevojshme të rishprehim qendrimin tonë të paekuivok për rëndësinë madhore historike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si lufta që për herë të parë në histori i renditi shqiptarët në krahun e fitores botërore.

Në të njëjtën kohë, Akademia e Shkencave i është përmbajtur dhe i përmbahet mendimit që ngjarje të tilla jubilare, si 75-vjetori i fitores antifashiste, përveç evokimit të lavdisë së kësaj fitorje dhe aspekteve përkujtimore, mund dhe duhet të shërbejnë si shkas për nxitjen e mendimit shkencor, përmes një rrafshi tematik orientues, për ndriçimin e vlerave të antifashizmit në Shqipëri, si lëvizje rezistence, si qendresë kundër pushtuesve, si lëvizje mendimi dhe si përballje kombëtare e popullore me ushtritë pushtuese.

Konferenca të tilla shkencore ndërkombëtare nuk janë mbrëmje jubilare, festive, por diskutim midis historianëve specialistë të periudhës. Antifashizmi në Shqipëri dhe tek shqiptarët ka qenë një dukuri historike kombëtare dhe popullore. Programi orientues i problematikës së konferencës, konkursit dhe botimeve jo vetëm që nuk ka për qëllim lënien mënjanë të rezistencës së organizuar antifashiste, jo vetëm që nuk e largon vëmendjen prej lavdisë historike të ushtrisë së rregullt partizane, por u vjen në ndihmë studiuesve për të bërë kërkime edhe për çështje që për një arsye a një tjetër janë studiuar pak ose aspak.

Një konferencë shkencore me karakter mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar mund dhe duhet t’ia dalë të shtrojë edhe çështje të reja, pa fanatizëm dhe pa ngurtësi, për koston njerëzore dhe materiale që ka paguar populli dhe kombi shqiptar, me dhe pa uniformë, atje ku e zuri ora e luftës për lirinë e vet dhe fitoren botërore antifashiste. Studimet e sotme historiografike europiane, studime që njohën një hapje të dukshme me përfundimin e luftës së ftohtë, janë të prirura ta zgjerojnë kuptimin e antifashizmit, dhe kjo vetëm e lartëson epokën dhe protagonistët e saj. Qysh në Konferencën e Paqes (1946) dhe në vijimësi me të drejtë shteti shqiptar ka insistuar për të bërë të ditur bazën e gjerë të mbështetjes popullore të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dhe kjo bazë e gjerë është antifashizmi i popullit shqiptar, pa të cilin fitorja e saj do të kishte qenë e pamundur. Është ai antifashizëm që kërkoi me urtësi Konferenca e Pezës, për një bashkim popullor pa dallim feje, krahine dhe ideje, për një rezistencë popullore që ngrihej mbi ideologjitë dhe dallimet e tjera.

Antifashizmi popullor nuk ka pse të shqetësojë askënd.

Përkundrazi, historia e popullit shqiptar duhet të provojë e riprovojë jo vetëm rëndësinë e rreshtimit të tij në krahun e aleancës më të përparuar botërore, por edhe pësimet e rënda që kanë njohur ekonomia dhe resurset e vendit, grabitjet, krimet, djegiet dhe shkatërrimet, që jo vetëm ndërprenë zhvillimin e vendit, por e varfëruan popullin dhe shtetin.
Debatet e ditëve të fundme kanë krijuar shqetësime fiktive në opinion, duke shtrembëruar të vërtetat deri në thelbin e tyre.

Në asnjë prej temave orientuese të thirrjes publike për kontribut, që do të verifikohen prej historianëve të periudhës në një proces shkencorizimi – dhe kjo është epërsia e konferencave me thirrje të hapur – nuk është lënë as të kuptohet, as të nënkuptohet, që Akademia e Shkencave ka për qëllim të vërë në diskutim emrin e luftës antifashiste të popullit shqiptar, të harrojë apo të mënjanojë qendresën historike partizane, të vërë në diskutim dëshmorët e veprën e tyre, të rehabilitojë kolaboracionizmin apo të errësojë lavdinë e epokës. Këto janë dëshira të sëmura dhe paragjykime të qëllimshme. Ato paraqiten në media dhe opinione për të dëmtuar, siç kanë dëmtuar vijimisht prej disa vitesh, emrin dhe imazhin e Akademisë së Shkencave. Ato janë gjykime njerëzish që nuk shqetësohen aspak për luftën, por fërkojnë duart që gjetën “lajthitje” në një thirrje publike të Akademisë së Shkencave, sepse, siç e pohojnë edhe vetë, Akademinë e Shkencave e duan të zhdukur, të çrrënjosur. Por Akademia e Shkencave tashmë është në një proces të pakthyeshëm reformimi dhe dëshirat e sëmura të njërit apo tjetrit nuk mund të bëhen pengesë për ecjen e saj përpara.

Ata kanë aq shumë dhimbje hipokrite pse “Akademia e Shkencave e ka braktisur luftën”, sa bëjnë sikur duan të mbrojnë antifashizmin e popullit shqiptar me qëllim që të shfaqen sa më ndikues në opinion pse Akademia e Shkencave nuk duhet të ekzistojë.

Komisioni organizues i konferencës, në përmbushje të funksioneve të veta, së shpejti do zhvillojë konsultime konkrete për problematikat e konferencës. Le të presim me durim nëntorin. Studiuesit do të jenë kontribuues për plotësime, saktësime dhe thellime në konceptin e konferencës. Atyre u takon ta bëjnë këtë dhe me siguri do ta bëjnë jo duke fabrikuar alarme të rremë dhe çështje të paqena, por me urtësinë dhe modestinë që i cilëson. Konferenca do të jetë prova se çfarë don, di dhe do të bëjë Akademia e Shkencave për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dhe atëherë do të kuptohet mirë e qartë se kush duhet të kërkojë ndjesë publike.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë

Tiranë, 5 gusht 2019

Vendimi i Kryesisë nr.16, dt. 31.07.2019 Antifashizmi popullor tek shqiptarët Konferencë shkencore ndërkombëtare (në kuadrin e 75 vjetorit të çlirimit të vendit)

Loading...
Advertisements
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close