Advertisements

GJERMAN !


Thanas Pilafas

Ma deshte puna t’i hipja çdo ditë tramit me numër 20 të orës 10.18 dhe të bëja katër stacione me të. Është orë e ndërmjetme: as mëngjes kur njerëzit shkojnë në punë ose në shkolla, as mesditë apo pasditë kur njerëzit kthehen nga shkolla ose nga puna, ndaj vagoni i tramit në këtë orë është pothuaj bosh.

Para nja dhjetë ditësh, në stacionin e dytë, tek dera e caktuar e tramit për të hipur invalidët pashë një burrë të ulur në karrocë me rrota që priste të hapej dera e cila u hap dhe zuri të ulej ngadalë pllaka metalike që mundëson hipjen e zbritjen e karrocave me rrota. Ndërkaq burri rrotulloi karrocën rreth vetes dhe qëndroi me kurriz nga dera, deri sa rrafshi i pjerrët metalik të ulej plotësisht.
Vura re se pranë burrit dhe pranë derës nuk ndodhej dikush tjetër për ta ndihmuar, ndaj instinktivisht brofa nga ndenjësja ku rrija dhe nxitova drejt tij ta ndihmoja të ngjitej në tram. I kapa fort dy dorezat me duar dhe e tërhoqa karrocën me fuqi brenda në tram.
Këtu ndodhi diçka e papritur e cila më befasoi. Prej ngutit nuk kisha vënë re se karroca ishte me motor. Nga shtytja e njëkohshme e motorit dhe tërheqja ime, forca ishte e dyfishtë dhe karroca hyri me vrull në vagonin e tramit.
– Çfarë bën kështu? – më bërtiti mjaft i zemëruar burri.
Ai zë më shtangu.
– Unë desha t’ju ndihmoja, zotëri! – mërmërita i hutuar.
– Nuk të kërkoi njeri ndihmë! – bërtiti sërish me zemërim ai.
– Më falni, por unë thjesht desha t’ju ndihmoja, – përsërita me zë që kërkonte mirëkuptim nga ana e tij.
Një grua e thyer në moshë që e pa gjithë sa ndodhi, më vështroi me keqardhje dhe më bëri një gjest të lehtë me mimikë, si për të më thënë: mos ia vër re. Ka edhe tipa të tillë.
Trami u nis. Ndërsa unë ndjehesha në gjendje zhgënjimi e pendimi. Ç’mu desh mua të shkoja dhe ta tërhiqja karrocën e tij! Se ja si ndodhte. Erdhi stacioni i katërt ku duhej të zbrisja dhe zbrita nga tramvaji. Ai incident i vogël ma prishi humorin dhe madje e shava veten për veprimin që bëra, megjithëse gjithçka ishte për mirë.
Kaluan disa orë dhe gjendja e humorit të prishur nisi të më lehtësohej.
Kaluan edhe disa ditë dhe atë ngjarje e fiksova në kujtesë si një nga ata episodet banale që vërtetojnë fjalën: bëj mirë të gjesh keq.

Sot në mëngjes si çdo ditë dola te stacioni i tramit dhe hipa në atë që më duhej: të orës 10.18. Pas dy stacionesh trami qëndroi dhe para derës së parë, të caktuar për të hipur e zbritur karrocat e invalidëve, papritur pashë atë burrin e para dhjetë ditëve. Dera u hap. Pllaka metalike u ul ngadalë. Burri me kurriz të kthyer nga dera i dha karrocës së prapi dhe hyri në vagon.
Ashtu si në tramet e asaj ore, vagoni ishte pothuaj bosh. Trami u nis dhe sytë tanë u takuan. Burri bëri një lëvizje të lehtë të pavetëdijshme. Ndenji një çast në mëdyshje dhe u kthye me karrocë përballë meje.
– Jeni ju, ai që deshi të më ndihmonte para disa ditësh, – më tha me ton midis pyetjes dhe konstatimit.
– Unë, – ia ktheva thatë.
– Ju kam kërkuar gjithë këto ditë, – foli burri.
– Përse?
– Për t’ju kërkuar falje, – u përgjegj ai.
– Nuk kini përse, – ia prita gjithnjë thatë.
– U solla keq me ju atë ditë. Ju deshët të më ndihmonit, ndërsa unë u solla vrazhdë me ju, – foli burri me ton midis fajtorit dhe njeriut që edhe në faj, gjithsesi kërkon të ruajë dinjitetin.
– Ndodh nganjëherë, – ia ktheva gjithnjë thatë e shkurt.
– Ju kërkoj ndjesë, zotëri. Ndodhi ngaqë tërheqja juaj më zuri të papërgatitur dhe më alarmoi për një çast, – vazhdoi burri me të njëjtin ton.
– Ndoshta mund të ketë qënë faji im, kështu që nuk kini përse të më kërkoni ndjesë, – thashë.
– Jo! Nuk ishte faji juaj. Ju deshët të më ndihmonit. Por këtë e kuptova pak më vonë, kur ju kishit zbritur nga trami, – më kundërshtoi me këmbëngulje burri dhe vazhdoi: – Gjithë këto ditë nuk kam qënë i qetë. Më mundonte mendimi se kisha fyer një njeri pa të drejtë. Se isha sjellë keq me dikë që deshte të më ndihmonte. Prandaj edhe ju kam kërkuar gjithë këto ditë. Për t’ju kërkuar ndjesë. Sot më vajti mendja të udhëtoj me tramin e kësaj ore. Duke menduar se ju mund ta bëni këtë rrugë pikërisht në këtë orë. Dhe ja ku ju gjeta. Ju kërkoj falje, zotëri! – foli burri.
Ndërkaq trami kish arritur në stacionin e katërt dhe duhej të zbrisja. E përshëndeta burrin e ulur në karrocë dhe zbrita në trotuar.

Loading...
Advertisements
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close