Advertisements

NË MAKINERINË E ZBUKURIMIT NGA APUSHTETI

Shefat e klaneve me sjelljet prej gangsteri, vazhdonin ta shijonin jetën e luksit. Zakonisht iknin fundjavave dhe “strehoheshin” diku nëpër metropolet piktoreske dhe ekzotike. Gjërat që moti ishin zhvendosur nga vendet e veta dhe kjo përshkohej me shtimin e viktimave të gënjeshtrave. Ishte një dëshirë e kahershme e shefave të partisë që synonin të bëhen heronj. Ata që u kishin rënë shpatullave (zakonisht këtë zeje e ushtronin “intelektualët” lajkatarë), u kishin thënë: do t’ju kujtojë historia. Ndaj bënin çmos që vetes t’i japin më shumë pushtet, me qëllim që masat ta përforcojnë bindjen për pushtetshmërinë e tyre, që në fakt ishte pushtet abstrakt, por që shërbente për ta bërë manipulimin më të besueshëm.

Partia kishte edhe shefa të niveleve më të ultë, shefa lokalë. Atyre, pra shefave lokalë, dikush (në tallje) u kishte thënë se që të ndjehet vërtet politikan, kjo varet vetëm nga pamja e jashtme, pra nga veshja, nga kozmetika dhe investimi në reklamimin e vetes. Dhe sakaq do të ndodhë ndryshimi, për rrethanat shqiptare, fantastik. Ishte e qartë se pushteti të bën të lumtur, ta ndryshon përditshmërinë, “vizionin”, të bën të pashëm, të mundëson të shtosh ndonjë kilogram dhe, siç thoshin dikur pleqtë, të bën qibar.
Jo një herë i kemi parë pushtetarët tanë se si duken (pamja e tyre e jashtme, fizike) para se të ulen në karrigen e pushtetit, por edhe kur largohen prej tij. Në fillim, shumica prej tyre janë fizikisht të dobët, natyrisht pak të frikësuar, më shumë të emocionuar, por edhe të hutuar. Kur hyjnë në korridorin e pushtetit, nga ekzaltimi nuk vërejnë se në të vërtetë kanë hyrë në makinerinë e zbukurimit nga pushteti.

Rrallë kush ka arritur që të dalë përtej këtij labirinti me kurriz vertikal. Dhe, me kalimin e ditëve, javëve, muajve, dalëngadalë vërehet transformimi i tyre fizik. U plotësohen faqet, u ndryshohet forma e flokëve, kuptohet ndërrojnë edhe veshjen, se ajo e mëparshmja u bëhet ngushtë e më ngushtë, bashkë me rripin që nuk arrijnë ta shtrëngojnë. Deri tani, fatmirësisht, nuk na ka rënë që të shohim ndonjërin që është ngjitur atje lartë i pashëm, i pasur, i shëndetshëm dhe të jetë larguar fizikisht i dobët, me pamje të zymtë dhe mbi të gjitha i varfër. Punë që s’bëhet...//Shkelzen Halimi

Loading...
Advertisements
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close