Advertisements

TERRORI I MENDËSISË MARKSISTE-STALINISTE

Vuajtjet e periudhës së komunizmit kishin filluan të zbehen në kujtimet e atyre që u ngjitën në pushtet dhe historia e vuajtjeve të shqiptarëve nuk ishte më një qortim aktiv, por i heshtur. Hallet e shumta të shqiptarëve mbetën pa zgjidhje, duke iu dorëzuar harresës. Disa nga ata që u përbiruan në politikë, u bënë llumi i zi i shoqërisë shqiptare, pavarësisht se ata veten e konsideronin si luftëtarë të zgjidhjes së problemeve të shqiptarëve. Manipulimi ishte bërë ushqim kryesor i politikës ditore dhe s’gjendej recetë që do ta neutralizonte makinën e kësaj të keqe.
Në radhët e disa partive shqiptare ishin infiltruar edhe agjenturat e huaja që dirigjonin kahen e veprimit politik, ndaj dhe ishin të natyrshme dhe të pritshme aleancat e fshehta dhe aspak të sinqerta me subjektet maqedonase, që ujin e çonin në dëm të shqiptarëve. Edhe pse dështimet radhiteshin njëri pas tjetrit, subjektet politike shqiptare manifestonin një refuzim këmbëngulës për të bërë qoftë edhe një vetëkritikë simbolike. Etja për pushtet e lavdi, asnjëherë nuk u shua.

Me një terror bolshevik insistohej që çdo nismë e re, po qoftë edhe vetëm si ide, të njolloset me lloj-lloj epitetesh. Ky terror i mendësisë marksiste-staliniste-enveriste synonte zhbërjen e vlerave të demokracisë.
Thënia: nuk je me ne, je kundër nesh, u zëvendësua me thënien: nuk je me ne, je tradhtar, spiun, pro-turk, pro-rus, pro-arab e çka jo tjetër, kishte për qëllim anatemimin e të gjithë atyre që rrezikonin pushtetin e të “paprekshmëve”. Deklaratat e thata të atyre që cytnin terrorin bolshevik, ishin vetëm tendenca për ta manipuluar edhe faktorin ndërkombëtar. Instinkti bolshevik vepronte nga pozicioni i pushtetit dhe kjo i konvenonte partnerit maqedonas, i cili nuk përtonte të hedhë lëndë djegëse në raportet shqiptaro- shqiptare.

Tradita e nëpërkëmbjes së shqiptarëve në Maqedoni vazhdonte të ushqehej me anë të projekteve të ndryshme që sajoheshin në qarqet sekrete akademike. Kishte shumë bjerrakohës çajtoresh e kafenesh që luanin ping-pong me fajin, duke e hedhur herë majtas e herë djathtas, sa më larg tyre. Në të njëjtën kohë ata fajësonin të pafajshmit dhe shpesh edhe përgjakeshin në përpjekjet për t’u shfajësuar sa herë ndjenin se do të mbështeten për muri.     //Shkëlzen Halimi

 

Loading...
Advertisements
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close