Advertisements

AT GJERGJ FISHTA.

..”Prendi gëzon atributet e ”Stërgjyshit të pinjollëve më të shquar të Fisit-THAÇI”, ku bëjnë pjesë edhe para’ardhësit e të madhit At. GJERGJ FISHTA…”

Nga Paulin Zefi. (Historian. Drejtor i Sektorit të Trashëgimisë Kulturore (Muzeu & Memoriali i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu) pranë Bashkisë së Lezhës)

“At. GJERGJ FISHTA (1871-1940)”
Nën yllin e prejardhjes; Gjakova-Mirdita-Zadrima…

*”Fisi Thaçi (pjesë nga studimi im mbi fiset e Malësise dhe Dardanisë)”…

Sipas Albanologëve dhe autorëve të ndryshëm si; F.Nopsca, E.Durham, T.Ippen, J.G.Hahn, R.Elsie, etj. zanafilla e “Fisit Thaçi” nis në fshatin Muriqan në Trevën e Anamalit (Shkodër-Ulqin) por pas vëndosjes së tyre në fshatin Bushat (Shkodër) këtu na shfaqet i pari i këtij fisi, ”Bibë Bushati” i cili për arsye gjakmarrje arratiset në malësine e Dukagjinit të Vjetër (Puka e sotme), ngjarje e cila zhvillohet ndërmjet viteve 1450-1480, sipas Albanologut F.Nopsca.

Fillimisht Bibë Bushati së bashku me familjen e tij të madhe, vëndosen në tokën e Berishës, lokaliteti ”Fushë Thaç (Pukë)” por pikërisht këtu nis edhe konflikti i gjatë ndërmjet Thaçit, Berishës (autoktone) dhe Kabashit me origjine nga rrethinat e Naissus-Nishi i Dardanise (Serbia jugore), por këto të fundit njihen edhe si fisi i parë i Malësise që u konvertuan pjesërisht në Islam në mënyrë që të shfrytëzonin ndihmën e ofruar nga P. Osmane për të triumfuar në luften e vazhdueshme qe po zhvillohej me “Fisin Thaçi” ku gjithçka lidhej me zgjërimin territorial respektiv si rezultat i mbipopullimit dhe mungesës së theksuar për tokë buke, kullota për tufat e mëdha të bagëtive, etj.

Sipas memories kolektive thuhet si Bibë Bushati u detyrua që të shpërngulej nga ”Fushë Thaçi-Berishë”, për në lokalitetin ”Kodra e Gegës” në territorin e fshatit të sotem Kryeziu i Pukes dhe këtu i linden 3-djem; Prendi, Buçi, Gega ku i pari prej tyre që u konvertua në Islam ishte Buçi, i cili joshi edhe vëllain e tij të vogël, Gegën, por ky i fundit i frikësuar nga hakmarrja e vëllait të madh, Prendit, nuk pranoi që ta braktiste Besimin Katolik dhe gjithashtu ju përgjerua Prendit që të mos kryente krimin e kobshëm të vëllavrajses duke vrarë Buçin i cili nga frika u detyrua që të marrë familjen e tij dhe të largohet nga Kryeziu duke u vëndosur në Iballe ku njihet si i pare i myslimaneve të këtij fshati.

Ndërsa Gega u vëndos në Bugjon dhe Gralishte duke qënë edhe themeluesi i këtyre dy vendbanimeve ku gati të gjithë pasardhesit e tij qëndruan ”Kriptokristiane (Krishterimi i fshehtë)”, pra në familje ishin praktikantë të Besimit-Katolik por në publik dhe në administratën osmane merrnin emra musliman duke u shfaqur si besimtarë musliman. Nga ana tjetër, vëllai i tyre, Prendi i qëndroi besnik Katolicizmit deri në vetëmohim së bashku me shumicën e pasardhësve të tij dhe na rezulton se pikërisht Prendi gëzon atributet e ”Stërgjyshit të pinjollëve më të shquar të fisit të Thaçit ku bëjnë pjesë edhe para’ardhesit e të madhit At. GJERGJ FISHTA.

Fisi Thaçi, u shtuan aq shume në numër dhe pavaresisht përkatesise së tyre fetare ata qëndruan gjithmonë të bashkuar në çdo konflikt me fiset e tjera te Malësisë ku falë këtij uniteti të jashtëzakonshëm, ata filluan një ekspansion të madh demografik në drejtim të fshatrave; Bugjon, Kryezi, Iballe, Flet, Kulumri, Arst-Miliska, Xath, Sakat, Truen, Mzi, Fierze, etj (ku jetojnë edhe sot).

Më pas mundën fisin Bytyq në Hasin dhe Tropojën e sotme duke u zgjëruar drejt Rrafshit të Dukagjinit ku pjesa më e madhe e këtyre familjeve (mbi 80%) u konvertuan gradualisht në Islam duke u shpërblyer me pozicione të larta në administraten osmane dhe hierarkine ushtarake por edhe me prona bujqësore deri në Nish, Leskovac, Vranjë, Shkup, etj.

Proçesi i pandalshëm i migrimit të Fisit Thaçi vazhdon ne 4-drejtime kryesore e cila është një histori shume e bukur dhe tepër interesante (s’po ndalem këtu). Duke qënë se ka shumë spekullime mbi origjinën e hershme të Fisit Thaçi unë jam i mendimit se zanafilla e tyre nis nga fiset Iliro-Thrake të Maqedonisë veriore dhe kam plot argumenta për diçka të tillë; duke nisur që nga etimologjia e emrit ”Thaqi/Thrak/Thraka” e deri tek emërtimi me shaka ”Eshqa/Shkja”, nga fiset fqinjë (Berisha&Kabashi) në Pukë, të dhëna keto, që dëshmojnë origjinën e tyre nga hapësira Iliro-Thrake e sllavizuar më vonë, pra pikërisht; Bullgaria & Maqedonia e sotme, por gjithashtu përqindja shumë e lartë e Haplogrupit E-V13 që rezulton të jetë e pranishme tek ADN e çdo pjesëtari të Fisit të Thaçit që i është nënshtruar këtij testi, tregon qartas se ky Fis i madh, ashtu si shqiptarët e tjerë me gjak të pastër Pellazgo-Ilir, të gjithë kemi një para’ardhës të përbashkët i cili ka jetuar në territorin e Gadishullit Ballkanik (Ilirik) duke nisur që nga fundi i epokës së ”Mezolitit” (Guri mesem) dhe në fillim të ”Neolitit” (Guri i ri).

*Para’ardhësit e të madhit At. GJERGJ FISHTA dhe pema gjenealogjike e familjes së tij e cila nis nga stërgjyshi i hershëm; Prend Bibë Bushati.

E citova pak më lart që; Djali i madh i Bibë Bushatit, Prendi, i qëndroi besnik Katolicizmit deri në vetëmohim së bashku me shumicën e pasardhësëve të tij dhe na rezulton se pikërisht Prendi gëzon atributet e ”Stërgjyshit të pinjollëve më të shquar të Fisit-Thaçi”, ku bëjnë pjesë edhe para’ardhësit e të madhit At. GJERGJ FISHTA. Shumë familje të Fisit-Thaçi u vëndosen fillimisht në rrethinat e qytetit të Gjakovës në fund shek.XVI-të dhe fillim shek.XVII-të ndërkohë që Gjakova po krijonte fizionominë e një vendbabimi urban të mirëfilltë duke u populluar kryesisht me familje të mëdha nga fiset kryesore të Malësise dhe Dardanisë por edhe nga kolonë të huaj që u sollën këtu nga P. Osmane. Pikërisht në vitin 1710, pranë qytetit të Gjakovës na shfaqen vëllezërit Bibe dhe Çup Paci të cilët si rezultat i një konflikti me autoritetet osmane, ata u detyruan që të migrojnë në një rajon me shumicë katolike në mënyrë që t’i largoheshin dhunës dhe imponimit për t’u konvertuar në islam dhe këto dy vëllezër së bashku me familjet e tyre u vëndosën në fshatin Domgjon të Fanit (Mirditë), duke e ndërtuar kullën e tyre në prehrin e malit madhështor, Munella (1991m) dhe pikërisht në lokalitetin i cili sot njihet si ”Lagjia e fisit Paci” dhe që ndodhet pak më lart se ”Gurra, Akuadukti (ujësjellësi) dhe Qyteza (Gradishta) antike e Domgjonit” të cilat gëzojnë statusin si Monument Kulture i kategorisë së I-rë,me dt.05.11.1984, vendim nr.786/1 nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës(D.K.).

Pas vëndosjes në Domgjon, vëllait të madh, Bibë Pacit, i lindi një djalë me emrin Mark. Markut i lindi një djalë me emrin Shtjefen, Shtjefnit i lindën dy djem; Marku dhe Gjoni. Markut i lindën Ndoci dhe Zefi, Ndocit i lindën dy djem; Simoni i cili ishte gjyshi i të madhit FISHTA dhe një djalë tjetër me emrin Llesh dhe pikërsisht këta të dy vëllezer u përfshinë në një konflikt të ashpër me kushërinjtë e tyre nga linja e gjakut të Çup Pacit dhe kjo ishte arsyeja që andej nga viti 1800, vëllezërit Simon dhe Lleshi i Ndoc Markut, u detyruan që të braktisin fshatin Domgjon të Fanit-Mirditë duke u shpërngulur për në fshatin Fishtë të Zadrimës (Lezhë) ku u vëndosen në pjesën jug-perendimore të malit Ballat, pranë livadheve që edhe sot neve i quajmë si ”Livadhet e Simon Ndocit”, pra livadhet e gjyshit të të madhit FISHTA dhe këtu ndodhet trualli i kullës së ndërtuar nga Simon Ndoci.
Në këtë kullë, e cila nuk është kursyer nga histeria komuniste që i kanë shkulur edhe gurët e themelit, pikerisht këtu, lindi i ati i FISHTËS sonë të madh i cili quhej ”Ndoka i Simon Ndocit”. Ndoka u martua me një vajzë zadrimore nga fshati Koterr (Lezhe) e cila quhej ”Prenda e Lazër Kacit” dhe nga kjo martesë ato patën 3-djem; Leka që është para’ardhesi i fisit të nderuar “Ndoka” në fshatin tim Fishtë, Simoni/Çupi i cili është vrarë në vitin 1893 dhe i papërsëritshmi ZEF NDOKA, i cili më vonë, duke qënë se iu bashkua ”Urdhërit të Shenjtë Franceskan”, do të zgjidhte për veten e tij emrin; ”Enea Silvio Giorgio Fishta” ose shkurt ”GJERGJ FISHTA” që sipas dokumentit të pagëzimit rezulton të ketë lindur me datë 22 Tetor, 1871 por në Historiografinë Shqipare nuk e di se për çfarë arsyeje, ndoshta lapsus, dita e tij e lindjes është fiksuar me datë 23 Tetor, 1871.
Vëllait të At. GJERGJ FISHTËS; Leka i Ndokë Simon Ndocit, i linden plot 5-djem; Marku, Gjini, Ndue, Shuku (Pashk) dhe Keli (Mikeli/Mëhilli) dhe të gjithë pjesëtarët e nderuar të këtij Fisi janë pinjollë të këtyre 5 nipave të të madhit FISHTA.

———————————————————

Gjithashtu edhe At Shtjefen Gjeçovi sipas studiuesëve dhe historianëve i përket fisit të Thaçit e pikërisht degës së Prend Gjeçit të cilit sipas historianit P. Zefi, i përket edhe At Gjergj Fishta.

Kujtojmë se At Shtjefen Gjeçovi mbiemrin e tij të vërtetë e kishte Gjeçi dhe emrin Mëhill. Pra, Mëhill Gjeçi.

Pasardhësit e Prend Gjeçit, njëri nga vëllezërit e parë të Fisit të Thaçit, quhen Prendgjeçaj ose Prégjeç/Pêrgjeç (shkurt).

Vëllezërit e tjerë të Prend Gjeçit janë; Buç Gjeçi (Buçgjeçajt), Gegë Gjeçi (Gegëgjeçajt) dhe Dodë Gjeçi (Dodgjeçajt).

Të gjitha këto vllazni përbëjnë atë çfarë është fis Thaçi sot në Pukë e më gjërë (që kanë dalë nga Puka).

———————————————————

• Shënim: At Gjergj Fishta siç bashkonte shqiptarët para shumë vitesh kur ishte gjallë, ashtu i bashkon dhe sot.
Për të krenohet fisi i madh i Thaçit, ku ka rrënjët, Puka, Gjakova, Mirdita, Zadrima, Shkodra dhe e gjithë Shqipëria.

Të vetmit që nuk mundet të bashkojë dot, janë pushtetarët në kolltuqe. Është fatkeqësi që akoma sot, nuk nderohet siç duhet ky njeri i madh i kombit tonë. Nuk promovohet siç duhet vepra e tij e nuk nderohet trolli e shtëpia e tij që dita-ditës po shkon drejt shembjes.

At Gjergj Fishta, qëndron aty lart ku qëndrojnë engjëjt (figurat) më hyjnore të kombit tonë.

Loading...
Advertisements
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close