Advertisements

“MALLKIMI I GJUHËS SHQIPE”- Atdhetarët që sot i mungojnë Shqipërisë:Mihal Grameno

MIHAL GRAMENO (1872-1931) – Hero i Popullit. Profesori Thanas Gjika, thekson: “Mihal Grameno ishte një ndër shkrimtarët dhe gazetarët e përkushtuar dhe të talentuar të letërsisë dhe gazetarisë shqiptare, ai ishte një ndër figurat e kulluara të atdhetarizmit shqiptar; ai ishte një politikan, shkrimtar dhe luftëtar i shquar i lirisë, i cili gjithë energjitë e veta ia kushtoi luftës për liri e demokraci të popullit tonë. Vepra e Mihal Gramenos, që është aq e përkushtuar ndaj atdheut e çështjes kombëtare, ka vlerë aktuale, mbasi sot po mungojnë gjithnjë e më shumë atdhetarë të tillë”.

U lind në Korçë në një familje atdhetare. Studioi në shkollën e mesme lokale, para se të emigronte në Rumani në vitin 1885. Në Bukuresht u përfshi në Zgjimin Kombëtar Shqiptar dhe, në 1889, u be sekretar i shoqërisë “Drita”. Në vitin 1907, iu bashkua çetës së sapoformuar të Çerçiz Topullit. Për gati 15 muaj (maj 1907-korrik 1908) luftëtarët e çetës kombëtare drejtuar prej Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos shkelën dhjetëra e dhjetëra fshatra, ku krahas agjitacionit për zgjimin kombëtar, u ndeshën edhe me armë kundër forcave policore e ushtarake osmane, si në Mashkullorë, Libofshë e në Vodicë të Kolonjës. Këto fakte tërheqëse, Gramenoja i riprodhoi me detaje në veprën “Kryengritja shqiptare”.

Ata u konsideruan apostujt e lirisë. Erdhën në Shqipëri dhe shkuan fshat më fshat në Jug dhe diskutonin gjendjen e vështirë shqiptare dhe ngritjen në luftë. Kjo çetë pati fatin që në radhët e saj kishte Mihalin, i cili shkroi në libra heroizmat e saj për ta bërë të pavdekshme.

Mihal Gramenoja mori pjesë në Kongresin e Manastirit në 1909; më vonë, në Korçë, themeloi Lidhjen Ortodokse; në vitin 1910 organizata shpalli krijimin e një kishe të pavarur shqiptare, por nuk u njoh nga Perandoria Osmane. Për veprimtari patriotike, Mihal Grameno u dënua disa herë me burgime.

Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore u detyrua të largohej në SHBA. Grameno udhëtoi në Evropë për të përfaqësuar Shqipërinë në komunitetin shqiptaro-amerikan në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, ndërsa në vitet e ardhshme u kthye në Shqipëri. Në vitet 1921-’24, si publicist mbrojti idealet demokratike. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit, i sëmurë dhe i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore. Vdiq në Korçë në vitin 1931. Mihal Grameno luftoi me këmbëngulje kundër shovinizmit fqinj dhe politikës osmanizuese të xhonturqve.

Krijimtaria: Mihal Grameno është një ndër novelistët e parë të letërsisë sonë. Novelat e tij u hapën rrugën romaneve të para shqipe. Tek “Oxhaku” dhe e “Puthura”, trajtoi çështjen e pabarazisë shoqërore si burim fatkeqësish në jetë. Tek “Varri i Pagëzimit” paraqet luftën e pamëshirshme, që bëri kleri reaksionar grek kundër mësimit të gjuhës shqipe. “Kryengritja shqiptare” zë vend të veçantë në krijimtarinë e Gramenos. Në pjesën e parë flet për çetat kryengritëse, për luftimet dhe punën propaganduese të çetës së Çerçiz Topullit, ai bën portrete të qëlluara luftëtarësh e njerëzish të thjeshtë të popullit.

Në prozën e Gramenos nuk mungojnë edhe pjesë me nivel të kënaqshëm artistik, përshkruan dhe dialogë të gjallë. Komedia “Mallkimi i gjuhës shqipe” trajton luftën e atdhetarëve shqiptarë kundër klerit reaksionar grek dhe elementeve grekomanë. Tek “Vdekja e Pirros” trajtohet kthimi i Pirros fitimtar nga Italia dhe vrasja e tij pabesisht. Bien në sy vjershat atdhetare, që i kushtohen lëvizjes kryengritëse: “Për mëmëdhenë”, “Lamtumirë”, “Uratë për liri”, të cilat u përhapën mjaft, u kënduan edhe si këngë.

Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë,

Vraponi, burra, se s’ka me prit!

Të vdesim sot me besa-besë,

Pranë flamurit të kuq që u ngrit.

Grameno shkroi dhe vjersha, të cilat i botoi të përmbledhura në librin: “Këngëtore shqipe-Plagët”. Poezia atdhetare e Gramenos u bëri jehonë të drejtpërdrejtë ngjarjeve të vrullshme që do të sillnin pavarësinë e Shqipërisë. Me shkrimet e tij, Grameno del si përfaqësues i anës më të vendosur e më demokratike të Lëvizjes sonë kKombëtare. Ai godet ashpër jo vetëm pushtuesit osmanë, por edhe armiqtë e tjerë të çështjes kombëtare… Një nga dokumentet më të shquara të gazetarisë e të lëvizjes demokratike të atyre viteve është artikulli “Bashkim dhe Përparim”. Bashkëpunoi me disa organe, por shumicën e shkrimeve i botoi në gazetat “Lidhja Ortodokse” (1909-1910) në Korçë, “Koha” (1911-1926) në SHBA, me disa ndërprerje, “Përlindja e Shqipërisë” në Vlorë dhe “Drita” në Sofje, të cilat i drejtoi vetë. Në fillim të viteve ’20-të zgjerohen pikëpamjet politike të Gramenos. Në gazetën “Koha” ai boton artikuj me ide demokratike dhe propagandon ngjarjet e mëdha politike të kohës.

Loading...
Advertisements
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close