Advertisements

Sivjet do të mbillen më shumë sipërfaqe me grurë

Procesi i mbjelljeve vjeshtore në tërë vendin tashmë ka filluar dhe po zhvillohet normalisht, ndryshe nga një vit më parë.

Në Ministrinë e Bujqësisë thonë se sipërfaqet e mbjella me grurë këtë vit do të jenë shumë më të mëdha. E për t’u plotësuar nevojat e tregut vendor, në Kosovë duhet të mbillen minimumi 80 mijë hektarë, pohojnë ekspertët e bujqësisë.

Ndryshe nga  një vit më parë, kur thatësia la sipërfaqe të tëra pa u mbjellë me grurë, këtë vit, kushtet klimatike janë shumë më të favorshme. Procesi i mbjelljeve vjeshtore tashmë ka filluar në gjithë vendin dhe po shkon mirë, pohon për Radio Kosovën Isuf Cikaqi, drejtor i Departamentit të Politikave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë.

Sipas tij, këtë vjeshtë në Kosovë pritet të mbillet më shumë grurë.

“Për fat të mirë, këtë vit ka pasur edhe çmim më të volitshëm të grurit, por edhe kërkesë më të shtuar për të blerë atë. Këta janë dy faktorë që kanë nxitur interesim te fermerët për të mbjellë grurë dhe shpresojmë, se këtë vit të mbjellat do të sillen te mesataret e përgjithshme, diku rreth 70 deri në 80 mijë hektarë”, tha ai.

Cikaqi pohon se afati optimal për mbjelljen e grurit në vendin tonë është nga 10 tetori deri në fund të këtij muaji.

Nga ana e tij, profesori universitar i bujqësisë, Shukri Fetahu, thotë se kultivimi i grurit duhet të jetë prioritet shtetëror. Ai tregon se sa sipërfaqe me grurë dhe me çfarë rendimenti mund të plotësohen  nevojat e vendit me grurë.

“80 mijë hektarë me grurë do të ishte idealja, nëse rendimenti mesatar është 5 tonë dhe kështu arrihen 400 mijë tonë. Por kjo nuk bëhet pa angazhimin e shtetit në mënyrë profesionale dhe me ekspertizë të mirëfilltë. Me këtë agroteknikë dhe  me mospërgatitjen teknike, ne do ta kemi shumë vështirë t’i plotësojmë nevojat me grurë vendor”, pohon ai.

Sipas profesor Fetahut, subvencionimi i kultivuesve të grurit është hap i mirë, por, që është koha që subvencionimi të bëhet për sasinë e grurit të prodhuar e jo për sipërfaqe. Në Ministrinë e Bujqësisë thonë se gruri do të subvencionohet edhe vitin e ardhshëm, por se për ndryshimin ose jo të mënyrës së subvencionimit akoma nuk është vendosur.

Autor: Pajtim Çuni

Loading...
Advertisements
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close