Advertisements

BLINISHTI I LASHTË I PUKËS

ORIGJINA E FAMILJES FISNIKE ARBËRORE: BLINISHTËT-FIS KABASHI DHE DEGËT (BLINISHTËT) TJERË.

Qé nji monografi randsiplote qi rreshtoj penda e vlertë e shkrimtarit të njoftun e bashkpuntorit t’onë fort të ndertit Z. D. GASPER GURAKUQI. Ky shkrim qi pershinë studime mi histori, gjeografi, toponomastik’ e ethnografi komtare, ka me i vjeftë si shembull gjith atyne qi kan per zêmer permledhjen e historis e të gjeografis s’onë. Shpnesojmë se ket shembull të mirë kan m’e ndjekë edhe do Zotni tjerë qi kan zotsi e rasa per ksi studimesh.

—————————

Ndermjet të Fishtës e Troshanit kah lindja, të lumit Drin kah prendimi, të katundit të Giadrit e Baçlit kah veri, e të fushës së Kallmetit kah jugu, gjindet Famullija e Blinishtit, nder ma të fundshmet kodrina të Zadrimës.
Me nji numer të rrumbullakët njehet 70 shpi, por me numer të vertetë âsht 74, me 494 banorë, të gjith katolikë, e dahet në Blinisht t’Eper a se Mbi-urë, e në Blinisht të Poshter a se Nen-urë.
Nen-ura sterdahet dysh: Piraj e Verri. Te trija këto pjesë kan ndermjet të shoqeshoqes kund ka 20 minuta Iargsi.
Mbi ura me nji numer të rrumbullakët njehet 40 shpi, por me numer të vertetë asht 53 me 330 banorë; Pirajt 13 shpi, verracakët 8 shpi, me 164 banorë të dy pjesët. 1)
Shpijat e Mbi-urës ngrehen sot të gjitha mbi nji koder të madhe e të giatë, e cila per s’afermit kufizon kah veri e prandimi me fushen e Arnietit, kah lindja me Suken e Madhe e Suken Harap, kah jugu me Suken Murriz e prronin e Gjallës.
Shpijat e Piraj, nji lagje e vetme në rrash, ngrehen kund 8 minuta larg prej uret të Shkinës kah lindja; ato të Verrit kund 20 minuta nen Piraj, kah jugu.

1) Ket statistikë, si edhe rreshtimin e fiseve i permlodha në vjetë 1923. – Në Registrimin e pergjithsheni bâmë prej Qeveris austriake në vjetë 1917, Blinishti pershini 568 banorë. – Në „Miscellanea vescovile di Sappa.” Ipeshkëv Borçi shkruen me 20 korrik 1832 se Blinishti bâhej 67 shpí me 563 banorë, e me 4 Qershuer 1838 shkruen se bâhej n’at vjetë 43 shpi me 499 banorë.

Por Blinishti nuk kje gjith-herë kû âsht tesh, pse dikuer katundi ngrehej në breg të Drinit, ku edhe sot shifen shêjet e sá germadhave per të giatë të rrugës së soçme t’urës së Shkinës, prej së cilës pat marrë emnin ç’me kohë Mbi-ura e Nen-ura. E kaq shum shpija, thotë gojëdhana, ishin aso kohet, e t’aferme me shoqeshoqen, sa mica, pullaz në pullaz, mujte me shetitë te tanë katundin pa zdrypë asnji herë në tokë. 2) Në koder kû ngrehen sot shpijat, mbi-urësit kishin at’herë shterporet e gias.(bagëtive/shënim nga ne) Si erdh tui randue uji, u desht me ndrrue vend, e nji ká nji, sot 140 a 150 vjet mbas giaset t’eme, lânë bregun e Drinit e ngulen ndër kodra.
Shum familje prej kësajë Famullí kan dalun faret a janë shperngulë, të cilave u mbahen në mend emnat e u diftohen edhe trojet. Kështu: Dobajt, Gobatarët, Murrizt, Geg-Palajt, Shulajt, Gecajt, Bicajt, Gerajt, Vlashajt, Mar-Flilajt, Frangt, Ivantë, Demirtë, etj.
Por tuj mos pasë registra statistiket, nuk mund të caktohet kohë me kohë kjo mungesë. Vetun mbasi
dijm prej Argjipeshkvit të Tivarit e Visatator Apostolik Marin Bizzit se, në vjetë 1610 Blinishti bahej dyqind e sa shpi, të gjitha katolike, shofim se në treqind e pak vjet munguene 130 shpija; mungesë teper e madhe kuer të mendohet se per nji kohë aq të giatë i ra me firue per gjith krye tri vjete gati nji shpi e gjysë.
Shkaqet e gjith kësajë mungesë lehtsisht mund të na i mârrë mendja: Salvimet prej Turkut, vrasat me shoqi-shojnë qi hoqen, si në te tanë Shqypnîn, burrat e djelët mâ të mirët, shpernguljet, smundiet epidemike.
Sá per kohë t’ardhshme, kah shtesa Blinishti nuk âsht aspak në gjendje të mirë. Malaria, me ujnat e baltat si këtu kurrkund ma teper, bashkua me mundin e fort të bulkís e pa kurr farë perdorimit të mjeteve antimalarike, i kan dhanë teposhten shëndetes, tuj e pasë fajisë e tuj e fajisë per ditë mâ fort trupin e nierzve të këti vendit. Posë tjerave, tetë shpijat e verracakve janë në pak kohë të gjitha n’e dalun faret.

2) Ket gojëdhanë e kan uji per nji edhe sa katunde tjera të Zadrimës e kush din ku njeti, sikuerse në rrethina të Drishtit (shif: Diturija Vol. IV, f. 85). Por, në kje se të shprehunt e njinjishem i gojëdhanës u bâjtë prej të shperngulunve a u perhap prej të kundershtisunit nder vende t’aferme, gojëdhana në themel difton se këta vende janë kenë dikuer mjaft të popullueme. ,,Veç ndermjet të Gallipolit e t’Edrenes janë rrenue aq shum qytete të kohës së mjesme sa nder rrethe të Shkoders, sidomos selinat ipeshkvnore të Sardës, Drishtit, Ballesës, Svaçi: etj., të cilat qyesh në të XV shekull kan mbet në rrenim. ” Thalloczy: III. – Alb. Forsch Vll. I. f. 83.

E prep në faqe 110 – 111: “âsht për t’u çuditë se sa shum qytete të vogla janë rrenue qyesh në shek. XV, sidomos gjasht selinat ipeshkvnore të Ballezës, Drishtit, Sardës, Dejës, Sapës e Svaçit. Ky të dukun perseritet në dy vende të gadishullit: në Thrazie ndermjet të Ganipolit e t’Edrenes, porsi rrjedhë e marshave pushtuese të Turkut mbas kalimit t’Osmanve kah Europa (1354) e në Shqypni nder rrethe të Durrcit e të Shkoders, porsi rrjedhë e luftave të medhaja të Turkut në shek. XV kundra Venecianve e kundra Skanderbegut.”

Lagje e Fise në Mbi-urë

Lagjet e Mbi-urës, si i dau katundi, janë kater: Gjokaj, Zhubaj , Martij, Lëmezh.
Per kah fisi, me i pvetë pergjithsisht, thonë se jena, prej Blinishtit të Mirditës, por me i imtue mirë, shumicen dalin prej Kabashit të Pukës, e tjerët prej tjera vendeve.
Me gojëdhanë të vendit këto dy fjalë në kundershtim me shoqeshoqen, nuk mund të zhvillohen kurrsesi; por në tjeter anë nuk mund të rrjedhin se rrênë gojëdhana me njenen këso fjalësh, kuerse populli i ynë âsht aq konservativ per punët e fisit të vet. Këndej do të thona se fisi i Kabashit qi këtu âsht mâ i shumi, e prandaj ndoshta mâ i herëshmi, do t’ jetë si prej Blinishtit të Kabashit të Pukës, ashtu edhe prej Blinishtit të Mirëditës. Lehtsisht mund t’jetë se prej njenit Blinisht janë shperugulë e kan shkue në tjetrin, e prej këndej, në Blinisht të Zadrimës. Nuk asht kot qi emni Blinisht gjindet në tre vende, por duhet thanë se fisi qi ka banue në Blinisht të parë, e ká bajtë me veti ket emen, e e ka ngulë rend me rend edhe nder ata vende ku ka banue mrapa. Me gjith ket une baj pvetjen: nder këta tre Blinishta, e madje kater, pse nji Blinisht a Bilisht gjindet edhe në Toskní, cili kje ma i pari qi i dha emnin e vet tjerëve? Kësajë pvetje, si qindra tjerave, vonë e ndoshta kurr së ka me i u dhanë pergjegje e sigurtë.
Sá per dhet familjet e soçme aktuale të Blinishtit të Kabashit të Pukës po diftoj si mbas gojëdhanet të tyne, se janë t’ardhuna prej Krasniqet, posë familjet të Zhavellës prej Lohjet, qi Krasniqsit kan gjetë aty. Gjith-ashtu familjet e Kabashit të Pukës, si mbas
gojëdbanet të tyne, janë t’ardhuna prej Kolonjet të Jugut: Lek Kolonja erdh ma i pari me kater djelm: Koken, Qafen, Hadrin, Lushen, në kohë të Lek Dukagjinit. Prej familjeve qi gjet Lek Kolonja sot ka mbetë veç familja e Manushit.
Nuk mund të mendohet se familjet e perparëshme të Kabashit, e të Blinishtit të Kabashit të Pukës, do të kenë dalë të gjitha faret por edhe janë shperngulë; e nder të shperngulunat qyesh në kohët ma të herëshmet, do t’ jetë edhe ajo qi ra në Blinisht të Zadrimës, mbassi pat xanë ndoshta nji herë vend në Blinisht të Mirëditës. Don vue oroe se, sikuer lutet me 3 në gusht festa e Shen Shtjefnit në Blinisht të Zadrimës kú kan kishen e Sheu Shtjefnit, ashtu lutet edhe në Blinisht të Mirëditës, kú edhe aty kan kishen e Shen Shtjefnit; e sikuerse në Kabash të Pukës asht Kisha e Shën Palit të cilit i lutet festa, ashtu edhe në Blinisht të Mirëditës asht Kisha e Shën Palit, të cilit i lutet nji farë festet.
Asht e dijtun se këto shperngulje do t’jenë të herëshme fort, kuerse Blinishti i Zadrimës, si u tha sypri, në vjetë 1610 hahej dyqind e sa familje, e, kuerse kisha e Shen Shtjefnit shifet prej gërmadhave të mbetuna se asht e herëhme fort.
E cilit Blinisht mandej kje ajo familje bujare së cilës Papa Shejt Joanni XXII i drejtoj me 1319 bulen e vet, pernjiherë me familjet bujare të Muzakut, Matarangut, Arianitit e Joninës, asht zori sot m’e imtue.
Theodor Ippen shkrue se « Blinistët zotëronin (vende) në Mirditë te sotme. 3)
Tuj këthye tesh tu fisi i Kabashit në Blinisht t’onë, tregon gojëdhana se dy kushrij prej Kabashit të Pukës rane këtu nuk dihet kuer. Prej njenit asht barku i Gjokaj, trí shpí: e Dod Marka Prëçit, e Franos Pashuk Marka Prëçit, e Gjonit Shtjef Gjok Jakut.
Prej kushrinit tjeter pat rrjedhë Martin Qorri. Martinit, pasanik por i pá mashkull në shpí e pak i shtyemun në mot, tuj nodhë nji ditë në Kakarriq, nji i kakarriqas i u vne me i dhanë të bijn per grue. Aty per aty Martini nuk ndigioj, por tuj këthye kah shpija, rrogtari qi kishte me veti i a mbushi menden, e kështu Martini mori të bijn e të kakarriqsit. Prej kësajë kunorë pat dy djelm. Mbas do kohet Martini diq tuj lanë djelët e vogjel, të cilët, prej drojet mos ti mbytëshin Koçajt per m’u mârrë gjân per fis, i mori i kakarriqsi deri sa u rritëne e këthyene në shpí e në gjâ të vet.
Prej njenit kësi djelmsh dolen Martijt qi këtu sot janë 9 shpi: e Vocit (Ndrekë) Gjok Ndrekës, e Simonit Gjin Markut, e barku i Ejell Qehajës, posë shpijet të Corrit të Perës i cili u shperngul e shkoj në Gurës ku sot ká ndieksin Marka Prëç Ndré Corr Peren.
Prej djalit tjeter të Martin Qorrit dolen Sallakët qi sot janë këtu 7 shpí.
Fis Kabashit janë edhe Koçajt tri shpi, si e diftojnë ata vetë, e si hetohet edhe prej çka u tha sypri.

————————

3) Diturija Vol. i tretë N. 12 f. 377 etj.
Mue më ka giasë se Blinishti në fjalë âsht Blinishti i Kabashit e se familja e Dukagjinit âsht nji me familjen Blinishti.
Se krahina e Pukës kje pronja e familjes së Dukagjinit e thotë vetë Theodor Ippen: ,,Vendi malësi në jugë të lumit Drini ishte pronja e së famëshmes fëmije Dukagjin,” E difton edhe emni i Lekës qi në shum vende ndeshet në ket krahinë: Ura e Lekës (Kçirë), Barka e Lekës (Kabash), Lisi i Lekës (Berishë), Sofra e Lekës, etj. posë qi kjo krahinë thirret edhe DUKAGJIN. Po qendra e Dukagjinaj ku kje? Pa dyshim aty ku paten kalanë; e në Blinisht të Kabashit, posë sa germadhave tjera, gjindet edhe Kalaja e Lekës.
Me 1393, në sa Koy Zakarija zotnote në Zadrimë, ” Progon dhe Tanushi, bijt e Lek Dukagjinit, i dorëzuanë Venecianëvet qytetin e Leshit. ” Pra në ket vjetë Dukagjinajt zotnueshin edhe Mirëditen, pse së kishin mujtë m’e pasë në dorë Leshin (Lezhen) veç neper Mirëditë; e per me zotnue Pukë e Mirëditë, Blinishti i Kabashit Pukës jo veç ishte në nji farë qendret, por edhe në të perpjekun me rrugen e herëshme të bregut të Drinit e cila nëper Qafë t’Ajtyrës e Bicaj qitëte në Shë’Mij të Mirëditës. Kuptohet vedit se Dukagjinajt megjithse ky emën duket për heren e parë n’histori veç në ket vjetë (1393), jo veç në ket vjetë kan zotnue Puken e Mirëditen por edhe kush e din sa vjet perpara : e tuj pasë pasë qendrën në Blinisht të Pukës, si thame sypri, kan mujtë m’u dukë n’histori me mbiemnin Blinisht qyesh me 1319 ne bulen e Papës; kështu qi kjo familje do të ketë pasë ma parë mbiemnin Blinisht prej qendret te zotnimit, e ma vonë me Leken ka marrë mbiemnin Dukagjin mas genealogijet ; e këtu ndoshta âsht arsyeja qi, kuer duket në histori familja Blinishti (1319), e ajo e Dukagjinit nuk del veç me 1393 per heren e parë.

Në foto:

(lart) Vendshtrirja e Blinishtit të Pukës, rrëzë malit të Krrabit.
(poshtë) Hartë e shek. XVII nga hartografi V. Corpnelli.
Siç edhe dihet, vendi ku shtrihet fisi i Kabashit, dikur quhej Shën Pal (Sh’Pal) të cilin e shohim edhe ne hartë e gjithashtu shohim edhe Abacinë e Lashtë të Shën Palit, që rezulton në shumë relacione kishtare e dokumente që nga shekujt e parë mbas Krishtit.
Në hartë gjithashtu shihet edhe Kalaja e Lekë Dukagjinit (në Qytezë Dukagjin) (Gabasu Fortezza) (Fortesa e Kabashit).

Çdo DOKUMENT, HARTË, RELACION, e madje-madje edhe GOJËDHËNË rreth Pukës e historisë së saj, është në përputhshmëri të plotë me njëra tjetren.

Solli: PUKA ndër vite.

//Artikulli është botuar në revisten ”LEKA”. Vjeti II. Nanduer 1930. Nr. 6.

 

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close