Advertisements

Cakaj pret përfaqësues politik të Luginës së Preshevës

ATSH-Gjergji Mima/ “Thellimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës është sa i domosdoshëm aq edhe i dobishëm”, deklaroi sot ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili priti përfaqësues politik të Luginës së Preshevës.

“Bashkëkombësit tanë në Serbi në përgjithësi dhe shqiptarët e Luginës në veçanti nuk janë thjeshtë një pjesë e vogël apo margjinale e kombit, por realisht janë një aset i vyer dhe i patjetërsueshëm i tij”, tha Cakaj.

Cakaj shtoi se, “mbledhja e sotme nuk duhet të kuptohet si një ngjarje e veçantë, por një proces i vazhdueshëm që ka për qëllim bashkërendimin e qëndrimeve tona politike dhe thellimin e marrëdhënieve mes Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës në veçanti”.

“Bashkërendimi i qëndrimeve tona dhe thellimi i bashkëpunimit është parakusht i mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe avancimit të mëtejshëm të objektivave madhore e vitale kombëtare”, theksoi ai.

Në këtë diskutim, nënvizoi Cakaj, “kemi biseduar hollësisht për një varg çështjesh që janë në interes të ndërsjellë. Ne do vazhdojmë ta luajmë rolin tonë në artikulim të shqetësimeve të përbashkëta dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre”.

“Diskutuam që me përfshirjen edhe të institucioneve të tjera të Shqiëprisë të thellojmë bashkëpunimin me Diasporën në veçanti, që është një aset tepër i vyer dhe një faktor që veçse do t’i kontribuojë forcimit të identitetit kombëtar por edhe zhvillimit të përgjithshëm të Luginës”, u shpreh ai.

Po ashtu, theksoi Cakaj, “ndamë pikëpamjen se pasivizimi i adresave konkrete dhe vendbanimeve të përgjithshme në Medvegjë specifikisht nuk është një prirje e izoluar, është duke u shtrirë dhe në komunën e Bujanocit dhe Preshevës”. “Kjo nuk është vetëm masë përjashtimi politik, por edhe sulm mbi demokracinë. Mbroj fuqimisht të drejtën themelore për përdorim të simboleve dhe përdorim të gjuhës në atë hapësirë jo vetëm si e drejtë demokratike, por edhe shtyllë elementare e identitetit kombëtar”, shtoi ai.

Cakaj u shpreh se, “njohja e teksteve mësimore në nivelin fillor dhe të mesëm është e domosdoshme dhe ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje në shërbim të jetësimit të kësaj kauze”. Kjo masë, tha ai, “nuk i kontribuon vetëm kultivimit të identitetit kombëtar atje, por edhe edukimit të përgjithshëm”.

Në dimensionin politik, Cakaj theksoi kauzën e përfshirjes proporcionale të shqiptarëve në institucionet shtetërore në Republikën e Serbisë përkatësisht në të gjitha nivelet e saj.

“Mbrojtja e të drejtave kombëtare të tyre, por edhe zhvillimi i faktorit shqiptar atje në përgjithësi kërkon jo vetëm mbështetjen tonë të shtuar dhe vëmendjen tonë të rritur, por edhe bashkëpunim ndërpartiak dhe bashkërendim të qëndrimeve politike afatgjatë të të gjithë faktorëve politikë në Luginën e Preshevës”, tha Cakaj.

Cakaj falënderoi të gjithë faktorët politikë të Preshevës “që kanë pasur vullnetin për të tejkaluar dallimet politike në shërbim të të mirës së përgjithshme dhe kanë dëshmuar gatishmërinë për ndërtimin e platformave të përbashkëta përballë sfidave politike në vijim”.

“Uniteti kombëtar dhe solidariteti ynë i brendshëm është thelbësor jo vetëm në ruajtjen e identitetit tonë, por realisht dhe në afirmim të të drejtave politike të të gjithë shqiptarëve në rajon. Shqipëria natyrisht do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv në përputhje me frymën euro-atlantike në përgjithësi në rajon, por natyrisht do të ketë edhe angazhimin e saj parimor në mbrojtje të të drejtave të gjithë shqiptarëve në rajon”, deklaroi ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

 

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close