Advertisements

HISTORIA E TIRQEVE

Po ta ndjekim procesin historik të zhvillimit të tirqve që quhen edhe çakshirë, kofsharë, xhedikë etj., shohim në Malësi të Madhe formën më të zhvilluar të tyre me prehër; në Lumë e në Dibër mungon edhe prehri edhe paraqesin formën më interesante, atë të kalimit në kofsharët; nga kofsharët që lanë gjurmë kudo në Shqipëri zbulojmë aty-këtu gjunjakët, që paraqesin format e paraardhësve të tyre; në Lumë e Mirditë përdornin për dimër dy copë zhguni, që mbështillnin kërcejtë e këmbëve, të cilat paraqesin format fillestare të tirqve. (Rr. Zojzi Gjurmë arkaike në veshjet tradicionale të popullit shqiptar, studime ilire, II, Prishtinë, 1977, f. 248). Veshja me tirq në shekullin tonë ka ardhur duke u shtrirë vazhdimisht edhe në krahina ku mbahej më parë, sidomos pas daljes nga përdorimi të kostumit me fustanellë e atij me këmishë të gjatë e dollamë. Megjithatë, treva tradicionale e tirqve duket se është përhapja e tyre te malësorët e rretheve të Shkodrës (por jo para mesit të shek. XX), sepse në vitin 1840, A. Bue i përshkruan ata të veshur me dollamë shajaku të bardhë, (A. Gjergji, Veshjet shqiptare në shekuj, Tiranë, 1988, f. 119). Tirqit zbukuroheshin anës të qepurave dhe përqark xhepave e shkekave me gajtan të zi ose të bardhë.

Për nga zbukurimi dhe prerja, tirqit ndryshojnë nga fisi në fis. E vetmja krahinë që, përveç gajtanëve, i zbukuronte tirqit edhe disa qëndisje të tjera poshtë xhepave ose pranë nyjave, ishte Malësia e Madhe. Zhgunin e tirqve e punonin gratë e fshatit në vekun horizontal, në katër liq, prej tymnit dhe linit të leshtë. Pasi e përfundonin thurjen, pëlhurën e shkelnin në shkaltore. Prerja e zhgunit, qepja dhe zbukurimi i tirqve bëhej nga zejtarët. Në Rugovë, bie fjala, tirqit janë prerë prej zhguni të bardhë. Ata përbëhen prej këmbëzave dhe prehrit të vogël. Këmbëzat e tirqve janë të qepura prej dy pjesëve të pabarabarta të zhgunit. Në anën e poshtme të tyre janë të prera dhe mbërthehen me disa kopsa metali. Tirqit e burrave janë mjaft të cekët, dhe shkojnë deri në fije. Në të dy anët në ije dhe në anën e jashtme janë të hapur me shkeka pa astar. Kambëzat e tyre janë të puthitura dhe të zbukuruara me disa fije “spiku” ngjyrë të zezë, që arrinin edhe në 18 fije. Janë të shumta edhe besimet e besëtytnitë që kanë lidhje me tirqit. Kështu, bie fjala, në rastin e lindjeve të vështira, shtatzëna duhet t’i kapërcej tirqit e burrit të saj, me qëllim që të kaloj më lehtë. Po ashtu, gruaja që ndihmon lindjen, kur është lindja e vështirë, merr tirqit dhe tri herë radhazi me ta e përshkon shtatzënën. Tirqit përdoreshin edhe në raste të tjera, si p.sh.,atëherë kur dëshirohet që dikujt t’i jetojnë fëmijët. Në këtë rast marrin foshnjën e sapolindur dhe e masin me tirqit e të atit. Sot përdorimi i kësaj veshjeje është kufizuar shumë, sepse që nga Lufta e Dytë Botërore e këtej, kjo ka ardhur duke dalë gradualisht nga përdorimi, sidomos në moshat e reja dhe shihet vetëm rrallë te të moshuarit.

Koha e shtrirjes së këtij kostumi është periudha nga çereku i fundit të shekullit të kaluar deri pas Luftës së Dytë Botërore. Është kohë, kjo në të cilën tirqit përbënin veshjen më të përhapur për burra, veshje që kishte kapërcyer ndasitë fetare (myslimanë e të krishterë), por që pasqyronte mjaft qartë dallimet klasore të shoqërisë shqiptare të kohës, si për nga numri i gajtanëve e cilësisë së shajakut të përdorur, ashtu edhe për nga stolitë që plotësonin veshjen. (A. Gjergji, vep. e cit., f. 119.) Për fund duhet thënë edhe këtë, se sikurse shumë pjesë të tjera të veshjeve popullore shqiptare, ashtu edhe tirqit, sipas hetimeve të etnologjisë shqiptare, kanë origjinë të kulturës ilire.

//P:FJ

 

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close