Advertisements

Luigj Gurakuqi (1879 – 1925) ishte ndër personalitetet kryesore të Lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike

Luigj Gurakuqi ka qenë njëri ndër personalitetet kryesore të Lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike. I përkushtuar tërësisht ndaj çështjes së Atdheut, veprimtaria e tij lidhet me ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Luigji u lindi në Shkodër, në vitin 1879. Mësimet e para dhe një pjesë të shkollës së mesme i bëri në vendlindje, pastaj shkoi në Itali. Aty mbaroi kolegjin e Shënmitër Koronës, në Kalabri, ku ishte nxënës i De Radës. Pastaj vijoi studimet e larta në shkencat biologjike, në Napoli. Që kur ishte student, bëri emër në shtypin shqiptar si poet dhe publicist (me pseudonimin Cakin Shkodra dhe Lekë Gruda).

Më 1908, u kthye në Shqipëri dhe u bë shpejt një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare. Nuk kishte ngjarje të rëndësishme të kohës ku të mos ishte dora e Gurakuqit. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte drejtori i parë i Shkollës Normale të Elbasanit dhe një nga udhëheqësit e kryengritjeve të Veriut (1911-1912). Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit në gjithë atë punë të madhe për shpalljen e Pavarësisë. Më 1916 ishte nga themeluesit e Komisisë Letrare në Shkodër.Më 1912 zhvillon një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit dhe në Shpalljen e Pavarësisë (nëntor), ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i I.Qemalit.Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës (dhjetor 1912) u zgjodh ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, me pushtimin e Shkodrës nga ushtria malazeze, Luigj Gurakuqi internohet, në Podgoricë. Gjatë pushtimit austro-hungarez, duke shfrytëzuar postin e drejtorit të përgjithshëm të Arsimit dhe koniunkturat politike, hapi shumë shkolla shqipe. Qe një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916, ku u tregua një lëvrues i zoti i gjuhës shqipe duke krijuar përveç të tjerash edhe një varg fjalësh të reja që hynë në fondin e saj. Mori pjesë në Kongresin e Durrësit më 1918 ku zgjidhet ministër i Arsimit në qeverinë e përkohshme e anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris. Më 1921-1924 qe deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar ku si një nga udhëheqësit e opozitës demokratike luftoi për demokratizimin e jetës së vendit, për lehtësimin e gjendjes së bujkut nga shtypja e rëndë, për zhvillimin ekonomik e kulturor dhe për mbrojtjen e pavarësisë nga synimet skllavëruese të fuqive imperialiste. Mori pjesë gjallërisht në Revolucionin demokratiko-borgjez të Qershorit 1924 duke qenë një nga frymëzuesit e udhëheqësit kryesorë të tij. Në qeverinë e kryesuar nga Fan S.Noli u emërua ministër i Financave. U dallua për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe për vendosmërinë e përpjekjet për krijimin dhe forcimin e shtetit demokratik shqiptar. Me armë në dorë, me artikujt programatikë e me fjalimet e tij të zjarrta, Luigj Gurakuqi luftoi jo vetëm për një Shqipëri të lirë e të pavarur, por edhe për një shtet modern, i cili nëpërmjet reformash demokratike të zhdukte prapambetjen, të ndryshonte me shpejtësi pamjen e tij, të fitonte kohëne humbur gjatë shekujve të robërisë.

Në vitet 1921-1923, Gurakuqi si deputet i Shkodrës u gjend vazhdimisht në opozitë me Zogun dhe gjithë feudalët e tjerë. Bashkëluftëtar i Fan Nolit, Gurakuqi ishte ndër udhëheqësit më aktivë të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të Qershorit të vitit 1924.

Pas kundërevolucionit emigroi në Itali, dhe më 2 mars 1925 u vra pabesisht në Bari nga njerëz të vënë nga Zogu. Noli e vlerësoi lart figurën e këtij biri të shquar të Shqipërisë me vjershën e njohur “Syrgjyn-vdekur”, kurse populli pas luftës ia soli eshtrat në atdhe dhe e nderoi me titulin e lartë “Hero i Popullit” dhe “Mësues i Popullit”.

Krijimtaria poetike e Gurakuqit përfshin vitet 1898-1907. Më pas, krijimtaria e gjerë politike nuk e lejoi të merrej më poezi. Për herë të parë vjershat e tij u përmblodhën në një vëllim më 1941.

Në poezinë e parë, që është përgjigje për vjershën “Shko dallëndyshe” të F.Shirokës, Gurakuqi flet për gjendjen e mjerë të Shqipërisë.

Krijimi më i njohur i tij është vjersha “Qëndresa“, ku gërshetohen edhe elemnete autobiografike. Me theks filozofik, jepet zgjimi i poetit nga ëndërrimet romantike, në emër të qëllimeve të larta, qëndresa për plotësimin e idealit. Poezia është një kredo e gjithë jetës dhe e veprimtarisë së Gurakuqit.

Është ndër krijuesit dhe pedagogët e parë, që parashtroi kërkesën të ngrihet mjeshtëria artistike në letërsinë amtare. Në vjershën “Deka e zanave” thekson se Shqipëria është vendi i poezisë, çerdhja e zanave, ndaj atdheut i duhet kënduar me nivel të lartë artistik.

L.Gurakuqi shkroi edhe vjersha për të vegjëlit, të cilat i botoi në “Këndimet” (1912).

Interes të veçantë paraqet libri “Vargnimi në gjuhën shqipe” (1906), si përpjekja e parë për hartimin e metrikës sonë.

Edhe si publicist L.Gurakuqi bëri emër të shquar, duke trajtuar problemet më të rëndësishme të kohës. Botoi te revista “Albania”, te “Kalendari Kombtar”, në gazetat “Drita”, “Liria e Shqipërisë”, “La Nacione Albanese”. Si stilist i shquar, ai ka lënë modele të prozës publicistike në dy dialektet.

L.Gurakuqi dha ndihmesë me vlerë në letërsinë e në kulturën tonë si poet, publicist, orator, hartues i parë i metrikës shqipe.

P:FJ
Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close