Advertisements

Rama:Nuk ka mundësi të më akuzojnë edhe për minijugosllav dhe për shqiptaromadh

ATSH/ Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje gjatë konferencës së përbashkët pas samitit të Ohrit, se Kosova nuk duhet të vetëpërjashtohet nga procesi, për të cilin është dakordësuar me 6 vende të Ballkanit Perëndimor në shumë tryeza të tjera, si në Sofje, Londër, Poznan, Vjenë, Durrës Shkup apo Ulqin e Sarajevë.

Duke u ndalur tek mungesa e përfaqësimit të Kosovës në samitin e Ohrit ku u dakordësua përshpejtimi i zbatimit të marrëveshjeve për 4 Liritë e Bashkimit Europian në rajonin e Ballkanit Perëndimor – Liria e Lëvizjes së Njerëzve; Mallrave; Shërbimeve; Kapitaleve, Rama deklaroi se “nuk është ky momenti për të shpjeguar pse, sipas meje, bëjnë sikur nuk kuptojnë,  apo nuk duan të kuptojnë, por është momenti për të thënë që sa herë jemi takuar, jemi ulur, kemi biseduar dhe kemi dakordësuar për gjithçka që shkruhet e zeza mbi të bardhë, tanimë jo si një dokument mirëkuptimi, por si një plan veprimi në këtë nismë mes liderësh të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofie, në Londër, në Poznan, në Trieste, në Paris, në Berlin, në Bruksel, në Vjenë, në Durrës, në Shkup, në Sarajeve, në Ulqin, me sa unë kujtoj, nuk më rezulton se në gjithë këto takime, Serbia apo Bosnje Hercegovina e kishin njohur Kosovën”.

“Por kjo nuk e ka penguar as Presidentin e Kosovës, as Kryeministrin e Kosovës të marrin pjesë dhe të flasin në emër të Kosovës, si të barabartë me të tjerët dhe të dakordësohen për të gjithë elementët e kësaj nisme, në dokumente të bashkëmiratuar me partnerët tanë europianë”, theksoi kryeministri.

“Në kujtesën time, pas luftës për pavarësinë e Kosovës u desh  një kohë jo e shkurtër që përfaqësuesit e shtetit të ri të Kosovës të pranoheshin në tavolinë, qoftë nga autoritetet e atëhershme të Serbisë, qoftë nga autoritetet e atëhershme të Bosnjë-Hercegovinës, kur bëhej fjala për takime ndërkombëtare, sepse asnjëra nga të dyja palët nuk pranonte të ulej me ta në tavolinë.

Tani, prej të paktën prej 5 vjetësh nga nisja e Procesit të Berlinit, pjesëmarrja e Kosovës as është vënë kurrë në diskutim dhe nuk di, mbase nuk arrij dot ta kuptoj, por as e gjej dot interesin, as e gjej dot përfitimin nga rikthimi vite e vite të largëta më parë, kësaj radhe, jo me mospranim, por me vetëpërjashtim”, tha Rama.

“Bashkëpunimi rajonal dhe njehsimi i katër lirive të Bashkimit Europian në bashkëpunim me vendet e rajonit, përfshi edhe Serbinë, edhe Bosnje Hercegovinën, të cilat nuk e njohin Kosovën, nuk do të thotë as se Shqipëria ka ndryshuar qëndrim ndaj Serbisë lidhur me njohjen e Kosovës, as se kam ndryshuar mendimin tim, që unë publikisht e kam thënë në vizitën time të parë në Beograd, se Serbia duhet të njohë Kosovën. Por, në ndërkohë, moszgjidhja ende e kësaj çështje nuk është absolutisht një arsye që Kosova papritur të vetëpërjashtohet, apo aq më tepër nuk është një arsye që Shqipëria dhe Kosova të mos mbrojnë interesat e zhvillimit ekonomik dhe social të qytetarëve të tyre, të cilat kalojnë përmes integrimit, kalojnë përmes bashkëpunimit, kalojnë përmes gjithëpërfshirjes dhe jo përmes vetëpërjashtimit dhe izolimit”, theksoi ai.

“Pyetja e thjeshtë që do ndihmonte qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë që kanë kaq vite që heqin të zitë e ullrit në kufi është nëse do të donin të vazhdonin me mallrat që presim me orë e ditë, me njerëzit që mbajnë radhë kilometrike në kufi apo do donin që njësoj si në gjithë Ballkanin Perëndimor edhe mes Shqipërisë dhe Kosovës të çelet plotësisht kufiri për 4 liritë e BE”, tha Rama.

“Një pyetje e thjeshtë do të ndihmonte qytetarët e Kosovës, por edhe të Shqipërisë, që kanë kaq vite që heqin të zitë e ullirit në kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës; A do të donin të vazhdonte njësoj historia me mallrat që rrinë presin me orë dhe ndonjëherë edhe me ditë dhe me njerëzit që mbajnë radhë kilometrike për të hyrë në krahun tjetër, apo do të donin që njësoj si në të gjithë Ballkanin Perëndimor, edhe mes Shqipërisë dhe Kosovës të çelej plotësisht kufiri për të katër liritë e lëvizjes së Bashkimit Europian; liria e lëvizjes së njerëzve; liria e lëvizjes së mallrave; liria e lëvizjes së kapitaleve; liria e lëvizjes së shërbimeve”, nënvizoi Rama.

“Unë besoj se heqja e kufirit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është  një “Minishengen”. Nuk e di kush e gjeti këtë fjalën “mini”. Të paktën mua personalisht, kjo “mini” nuk më konvenon. Sepse duke qenë edhe 198 centimetra, s’jam ndjerë kurrë pjesë e ndonjë “mini”, tha ai.

“Ashtu sikundër, nëse duam ta quajmë ashtu siç është, është WB Shengen, (Western Balkan Schengen) që do të thotë që të gjithë qytetarët, jo vetëm ata të BE-së, por dhe ata të këtij rajoni, kanë të drejtë të lëvizin lirisht në të gjithë rajonin, kur të duan, ku të duan, pa patur pengesat absurde që kanë sot. Pengesa, të cilat përkthehen në kosto marramendëse. Janë miliarda euro që rajoni i ka humbur dhe i humb, që do të thotë ne i kemi humbur dhe i humbim si vende nga ky lloj barrikadimi pas kufijsh, të cilëve u ka dalë përfundimisht koha dhe funksioni”, vijoi kryeministri.

“Unë e konsideroj me rendësi të veçantë në këtë nismë që kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës, njësoj si të gjithë kufijtë e tjerë, të zhduken dhe që kjo e ka dakordësinë edhe të palëve të tjera, përfshirë edhe Serbinë. Kush flet për Jugosllavi mbase ka jetuar shumë gjatë në Jugosllavi. Unë nuk kam jetuar asnjë ditë në Jugosllavi dhe kush flet për rilindjen e Jugosllavisë mbase është ende i lidhur me kujtimet e Jugosllavisë. Unë nuk kam asnjë kujtim nga Jugosllavia.

Ndërsa kush flet për Shqipëri të madhe, kur unë flas për heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, tani do duhet thjeshtë të heshtë. Nuk ka  mundësi që unë të jem edhe “mini-jugosllav”, edhe “shqiptaro-madh”. Unë jam thjesht një qytetar europian, që  s’po bëj asgjë të re, por thjesht po marr pjesë  në një proces që e kam kërkuar vetë prej vitesh, që të mos mbetemi thjeshtë e vetëm pjesëtarë të nismave që organizohen në Bruksel dhe thjesht e vetëm pre e proceseve burokratike që nuk përkthen  në të mira për qytetarët”, përfundoi Rama.

Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close