Advertisements

Tërmeti i tmershëm i vitit 1267 në Durrës

Editor

Tërmeti i tmershëm i vitit 1267 në Durrës sipas një përshkrimi mjaft prekës nga historiani dhe studiuesi George Pachymeres (1242-1310). Historiani francez Alain Ducellier e daton këtë ngjarje tragjike në Korrik 1267.

“Pas ca kohësh, një ngjarje e keqe dhe e përlotshme u zhvillua në Durrës. Gjatë muajit korrik, zhurmat të pazakonta u shkaktuan nga toka që dridhej vazhdimisht, zhurma të cilat ne do t’i quanim normalisht rënkime. Ato treguan se diçka e tmerrshme do të ndodhte. Një ditë, shungullima bëri jehonë më vazhdueshme dhe më të fuqishme sesa kishte bërë më parë. Frika që kapi disa njerëz bëri që ata të shkonin dhe të gjenin strehë jashtë qytetit, pasi kishin frikë se gjërat do të përkeqësoheshin. Nata ra mbi gjëmimin e rënkimit të një dite më parë dhe bashkë me të, u bë një tërmet i fortë, më i dhunshëm se çdo tjetër në kujtesën e gjallë. Nuk ishte, siç mund ta përshkruajë dikush, një dridhje e tokës duke lëvizur drejt, por përkundrazi një goditje e jashtëzakonëshme e përsëritur dhe valëvitje e tillë që në çast i gjithë qyteti u kthye përmbys dhe u rrëzua në tokë. Shtëpitë dhe ndërtesat e larta, duke mos rezistuar për asnjë sekondë, ranë dhe u rrënuan, duke varrosur banorët brenda tyre. Sepse njerëzit nuk kishin se ku të shpëtonin, pasi ndërtesat ishin ndërtuar pranë njëra tjetrës. Në të vërtetë, shansi i mbijetesës ishte shumë më i madh për ata që qëndruan brenda se sa për ata që dilnin nga shtëpitë të cilat kishin qendruar pjesërisht.

Asnjë nga ndërtesat nuk mbijetoi e paprekur. Ato u shembën mbi njëra-tjetrën dhe çdo ndërtesë që i shpëtoi fatit të shkatërrimit, u shtyp nga rrëzimi i të tjerave. Katastrofa ishte tepër e papritur dhe e jashtëzakonshme për të lejuar që dikush të mbijetonte duke ikur. Për shumë njerëz, ishte si një ëndërr; ata kurrë nuk e morën vesh se nga ç’ngjarje u zhdukën. Fëmijë dhe foshnja të vogla, duke mos kuptuar se çfarë kishte ndodhur, u varrosën nën rrënojat. Oshëtima dhe tmerri ishin të atilla sa të mbijetuarit, duke e gjetur veten para zhurmës së detit, imagjinuan që ky ishte jo vetëm fillimi i një agonie më shumë, por në të vërtetë fundi i botës. Duke qënë se qyteti ishte në bregdet dhe tërmeti i tmerrshëm kishte ndodhur kaq papritmas, ata që e gjetën veten jashtë dhe që ishin praktikisht të shurdhër, u përballën ashtu siç ishin nga një trazirë e tillë dhe nga oshëtima e shtëpive që hapeshin njëra pas tjetrës, nuk mund të imagjinonin asgjë tjetër përveçse shkatërrimit të tërë universit.

Tërmeti zgjati për mjaft kohë derisa asgjë nuk mbeti në këmbë. Gjithçka brenda qytetit ishte shembur duke gllabëruar banorët, me përjashtim vetëm të akropolit, i cili qëndronte i fortë dhe i mbijetoi tërmetit. Kur agoi dita, banorët e zonës përreth nxituan menjëherë në qytet dhe filluan të gërmojnë, duke përdorur gjithçka që mund të merrnin në duart e tyre: kazma, cfurqe dhe çdo mjet tjetër që mund të gjenin. Ata filluan të gërmojnë në të katër anët, duke u përpjekur natyrisht të shpëtojnë çdo viktimë fatkeqe, që mund të ishte akoma gjallë, por edhe për më tepër, duke kërkuar të merrnin në duart e tyre çdo lloj gjëje të vlefshme që mund të nxirrnin nga rrënojat. Kështu siç ndodhi, bashkë me pronat e të vdekurve u zhdukën edhe trashëgimtarët dhe askush nuk mbeti të kërkojë pronën e tij të ligjshme. Kështu, pasi gërmuan mes rrënojave me ditë të tëra dhe, me sfurqe të mëdhenj në vend të capinjve, pasi mblodhën arin që mundën, shqiptarët dhe ata që banonin aty pranë përfundimisht e braktisën këtë qytet antik në vetminë e tij, një qytet që tani mezi njihej, e që tashmë u rendit mes qyteteve të tjerë jo për ekzistencën e tij, por thjesht vetëm për emrin e tij. Peshkopi i tij, Nikita, i cili u ndodh aty në atë kohë, mbijetoi, megjithëse i duhej të mbante plagët e fatkeqësisë në të gjithë trupin e tij. Duke parë një fatkeqësi të tillë, të cilën askush nuk do ta mendonte kurrë, atë e kapi paniku dhe iku menjëherë me ngut e nxitim, duke e lënë metropolinë të privuar jo vetëm nga personi i tij, por edhe nga banorët e saj si dhe nga shkëlqimi i dikurshëm i ndërtesave të saj.”

/Përgatitur nga Besir Bajrami

 

Loading...
Advertisements
Next Post

Shpallet gjendja e jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës

ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën se sot do të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, e cila përkon me marrjen e një sërë masash për 30 ditët në vijim në Tiranë dhe Durrës. Në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar mëngjesin […]
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close