35 krerë lopë të ndara nga Komuna e Gjilanit janë subjekt i hetimeve të Prokurorisë.

Ky donacion kap vlerën e 100 mijë eurosh.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë në Gjilan, Liridona Xheladini, e cila ka thënë se pasi kanë pranuar disa informacione për dyshime në këtë donacion, kanë autorizuar policinë që të grumbullojë prova.

“Bazuar në kërkesën tuaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, pas pranimit të kësaj informate, për rastin në fjalë, menjëherë ka autorizuar policinë, Sektorin për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, që të grumbullojnë prova, me qëllim të ndriçimit të kësaj çështje penale, me dyshimin e veprës penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në Sektorin e bujqësisë në Komunën e Gjilanit”, ka bërë të ditur Xheladini.

Kurse, drejtori i Bujqësisë në këtë komunë, Ramiz Ramadani ka thënë për KALLXO.com se bashkëpunimi me organizatën ‘Mëshqerra’ e cila së bashku me Komunën kanë shpërndarë këta krerë lopë ka qenë në rregull.

“Implementusi i projektit është organizata për zhvillim rural “Mëshqerra”, dhe gjithçka sipas bindjes time është e kristaltë sepse janë organizatë kredibile si dhe kemi pasur bashkëpunim të mirë me ta”, tha ai.

Tutje ai ka sqaruar se në këtë donacion Komuna e Gjilanit ka participuar me 28 mijë euro.

“Vlera totale e projektit është 101 mijë e 500 euro prej të cilës 59 mijë e 500 euro është vlera e donatorit, participimi i komunës është 28 mijë euro dhe participimi i fermerëve është 14 mijë euro”, ka thënë ai.

Ramadani ka thënë që për përzgjedhjen e fermerëve kanë synuar të zgjedhin një kategori e cila ka mundësi që të kujdeset për racën Hollshtajn-Frizes.

“Si komunë na intereson me i prek kategoritë që vështirë e përballojnë këtë gjendje sociale, kemi bërë përpjekje me gjete një mjedis në të cilin me u përfshi fermer që kultivojnë prej një deri në katër gjedhe por që kanë kushte për mbajtjen e lopës të kësaj race.”, tha ai.

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Gjilanit u shpreh i bindur që projekti ka qenë në rregull, përderisa shtoi se është i gatshëm që bashkëpunojë me prokurorinë për këtë rast.

“Jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë, gjithçka ka më kërkohet do të ofroj në dispozicion, mirëpo ajo që i është ofruar opinionit në mënyrë dashakeqe është gati e pa riparueshme”, tha ai.

Të premten, 35 familje bujqësore të Gjilanit kanë përfituar  nga një krerë lopë qumështore të racës “Hollshtajn-Frizes”, si pjesë e bashkëpunimit të Komunës dhe organizatës për zhvillim rural “Mëshqerra”.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me organizatën e lartcekur, por deri më tani kontakti ka qenë i pamundur./KALLXO.com

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close