Mic Sokoli, luftëtari që i doli topit në ballë

Emri i Mic Sokolit ka hyrë dhe ka mbetur ndër legjendat e trimërisë, duke qenë mishërim i idealeve kombëtare çlirimtare të shqiptarëve.

Akti i tij heroik, në përpjekje për t’i marrë topat e artilerisë së Dervish Pashës, më 20 prill të vitit 1881, në një vend mes Slivovës dhe Koshares, dhe plasja e gjyles së topit në trupin e tij, bënë që ai të mbijetojë në mbamendjen e popullit së bashku me Sefë Kosharen, Smajl Hysenin, pastaj Binak Alinë dhe shumë trima të Koshares, Shtimes, Therandës, Drenicës e Rrafshit të Kosovës.

Të dhënat përgjithësisht të munguara për këtë trim të historisë shqiptare na bëjnë me dije se Mici ishte djali i madh i malësorit, Sokol Rama i Krasniqes. Ai u lind në vitin 1839, në Fang të Bujanit, në Malësinë e Gjakovës. Sokol Rama dhe Binak Alia asokohe ishin dy ndër prijësit më të njohur të kësaj treve malore të Shqipërisë ku krejt rrallë kishte shkelur këmba e armikut.

Babai i Micit, Sokoli ishte djali i vëllait të madh të Binakut, i njohur me emrin Ramë Alia. Pas vrasjes së Sokol Ramës, Binaku ishte kujdesur shumë për Micin. Beteja e parë, në të cilën Mic Sokoli mori pjesë, ishte ajo e vitit 1855, kur bandat malazeze ishin lëshuar në plaçke e pre, në bjeshkët e Malësisë.

Megjithëse, atë kohë Mici ishte i ri dhe vetëm në moshën 16-vjeçar, ai do t’i nxirrte malësorët nga rrethimi dhe ua kishte grabitur edhe flamurin.

Ky akt trimërie e guximi do ta shndërronte atë në prijës të kryengritësve, pasi që edhe sipas traditës, luftën mund ta udhëhiqte ai, i cili arrinte jo vetëm ta mundte armikun, por edhe t’ia rrëmbente atij flamurin në fushëbetejë. (Gani Çarri: MIC SOKOLI, Heroi legjendar i Lidhjes Kombëtare Shqiptare).

Gjatë luftimeve sipas disa të dhënave nga monografia historike, “Mic Sokoli” e shkrimtarit, Sylejman Krasniqi, del se Mici i ri ishe rrethuar nga një grup sulmuesish malazezë.

Me atë rast, i gjendur aty afër në çastet më kritike, si luftëtar me përvojë që ishte, Micit me të shpejtë, do t’i vinte në ndihmë prijësi i Gashit, Ali Ibra. Pas këtij akti, Mici do t`ia falte gjakun e të atit, Ali Ibrës, vendim me të cilin nuk do të pajtohej edhe fisi i vet, paria e të cilit do ta detyronte heroin të largohej nga Malësia. (Sylejman Krasniqi).

Të dhëna të ndryshme flasin se prej asaj kohe, Mic Sokoli kishte vepruar në Prizren, Gjakovë e Pejë por edhe nëpër qytetet e tjera të Kosovës. Pas një kohe ai do të vendosej në qytetin historik të Lidhjes Shqiptare, te atdhetari i Kombit, Ymer Prizreni, derisa një ditë, do ta vriste një tregtar të pasur dhe largohej nga aty, për të kaluar te Haxhi Zeka, në Pejë.

Burime gojore të përcjella nga brezi në brez na bëjnë me dije se ai në moshën e pjekurisë, në rrethana jo sa duhet të sqaruara nga dokumentet e kohës, kishte takuar Sefë Mahmutin e Koshares, fshat mes Shtimes e Ferizajt, i njohur si veteran i luftës së Plevnes të vitit 1877.

Se kur ishte takuar dhe në çfarë rrethana nuk dihet, por duke u bazuar në të dhënat gojore të stërnipërve të Sefë Koshares dhe në episodet letrare të shkrimtarit, Sylejman Krasniqi, në romanin e tij të njohur: Mic Sokoli, del se Mici e Sefa njiheshin dhe kishin bashkëvepruar një kohë të gjatë.

Stërnipi i Sefë Koshares nga Shtimja, Haki Emrush Hysiqi, kishte dëgjuar nga babai se në kohën kur autoritetet turke kishin bërë përpjekje ta dërgojnë në Stamboll, Mic Sokolin, të cilin e kishin mbajtur në burgun e Pejës, Sefa së bashku me disa luftëtarë të çetës së tij, në dalje të qytetit kishin ndaluar togun e përcjellësve dhe e kishin liruar. Prej asaj kohe ata duket se kanë bashkëvepruar.

Ushtarët e Lidhjes, me shtabin e kryesuar nga Jakup Ferri, pas kalimit të forcave malazeze mbi Lumin Lim, në tokat tona kombëtare, të cilat udhëhiqeshin nga Mark Milani, do ta shkatërronin urën e vetme mbi lum dhe dëmtonin të gjitha barkat për kalimin e tij.

Ata arritën që t’i rrethonin dhe asgjësonin, gati tërësisht, forcat e Mark Milanit,të cilin thuhet se vetëm kali do ta shpëtonte, për qafën e të cilit ishte lidhur, duke e tërhequr nëpër ujin e ftohtë të lumit, gjatë ikjes së tij të turpshme, i ndjekur nga luftëtarët shqiptarë.

Të dëshpëruar me humbjen e betejës së parë, nga 7 gjerë më 9 janar të vitit 1880, forcat pushtuese malazeze do ta përsëritnin sërish sulmin për marrjen e Plavës dhe Gucisë. Nga pala shqiptare, luftimet do t’i udhëhiqte Ali Pashë Gucia. Ndërsa, për guxim të pashoq, edhe kësaj radhe do të dalloheshin trimat nga Malësia, si Mic Sokoli e Ali Ibra. Kurse luftëtarët shqiptarë, të udhëhequr nga trima të tillë, më 8 janar të atij viti, do t’i shkatërronin tërësisht forcat pushtuese malazeze. ( Gani Çarri, shkrim i cituar…)

Po ashtu, edhe më 22 prill të vitit 1880, Mic Sokoli me bashkëluftëtarë merr pjesë në luftën e Hotit dhe të Grudës, kundër ofensivave malazeze. Sipas dr. Aleks Budës, mbrojtjen e tyre e udhëhoqi Hodo Sokoli, i cili mbante gradën e kolonelit në xhandarmërinë perandorake.

Me atë rast, luftëtarët shqiptarë korrën edhe një fitore të madhe në mbrojtjen e tokave të tyre, duke i mundur forcat malazeze dhe detyruar ato që të tërhiqeshin, deri në Podgoricë. (Aleks Buda, „Shkrime Historike-2”,Tiranë 1986, faqe 184).

Në kohën kur bateria e topave ishte drejtuar drejt katapultave, Mic Sokoli, Smajl Hyseni, Zeqir Osmani, Sefë Mahmut Kosharja, Jani Çupi, Ramë Kozmaqi, Din Rosha, Dak Mulaku, Ali Muleta e shumë luftëtarë të tjerë ishin sulur mbi topat e artilerisë turke Luftëtarët e Lidhjes, në krye me Mic Sokolin po bënin përpjekje të merrnin topat, apo të godisnin me ta, kur pas disa çastesh kishin shpërthyer mbi kokat e tyre disa predha, që vinin nga Bateria e Dytë e topave.

Në çast, shumica prej tyre ishin larguar dhe ishin futur në istikame. Vetëm dy topa i kishin tërhequr disa luftëtarë, ndërkohë që një predhë kishte hedhur në erë disa prej tyre. Pas pak, kishin pushuar predhat.

Ushtria turke kishte filluar të taktizonte duke gjuajtur me topa të kalibrit të madh në disa drejtime, ku mendohej se ishin pozicionuar luftëtarët e Lidhjes.

Predhat e topave po goditnin edhe Slivovën e Kosharën. Në kohën kur kishin pushuar predhat, luftëtarët e Mic Sokolit sërish ishin turrur drejt topave, me qëllim për të marrë disa prej tyre.

Shumë nga ata kishin arritur, që gjatë tërheqjes të merrnin predha dhe barot. Në përpjekje për të marrë topat, ishin vrarë dhjetëra luftëtarë dhe shumë të tjerë ishin plagosur. Mic Sokolit iu kishte fiksuar ideja e rrëmbimit të paktën të dy apo tre topave.

Në përpjekjen e tij të fundit për ta tërhequr topin e madh, ishte marrë në shënjestër nga një topxhi, nga radhët e forcave turke. Gjylja e topit kishte goditur trupin e bëshëm të malësorit, ndërkohë që nga furia e gjyles, gjymtyrët iu kishin shpërndarë disa hapa më larg.

Nga shpërthimi i predhave ishin plagosur edhe dhjetëra luftëtarë cilët në atë çaste ndodheshin afër tij. Bashkëluftëtarët e Mic Sokolit, Smajl Hyseni bëjnë përpjekje ta marrin trupin e komandantit.

Pas pak çastesh pikërisht në vendin ku kishte rënë Mic Sokoli kishin rënë edhe Smajl Hyseni, dy luftëtarë të tjerë nga Llapusha e disa të tjerë nga fshatrat e rrafshit. Trupat e tyre ishin shkapërderdhur nëpër fushën e betejës nga goditjet e gjyleve të topave.

Mic Sokoli në fragmentet e këngëve të trimërisë të Betejës së Koshares e Slivovës

Kujtesa e popullit për ngjarjet e së kaluarës, vazhdimisht ka qenë e shprehur në akord me nevojat e kohës, me qëllim për të mos e harruar atë, për ta ruajtur dhe për ta rrëfyer brez pas brezi, për ta ruajtur në këngë meqë në këngë kanë hyrë, hyjnë dhe mbesin vetëm më trimat, ata që me veprat dhe heroizmin e tyre dallohen nga të tjerët dhe kurdoherë mbesin shembuj që rrezatojnë amanetin nëpër breza.

Në këngët historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një vend me rëndësi zënë edhe këngët e kënduara në disa variante për Mic Sokolin, Sefë Kosharen, Smajl Hysenin, Ali Ibrën, Sylejman Vokshin, Abdyl Frashërin e shumë të tjerë.

Figura e Mic Sokolit në këngët popullore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit paraqitet me dimensionin historik, realist në raport me kohën dhe synimet e shqiptarëve për çlirim nga Perandoria Osmane.

Ai paraqitet me pamjen dhe fuqinë fizike të trimave të moçëm të Arbrit, të cilët populli i kujtonte si Trima të motit, si kreshnikët e dikurshëm. Duke bir besnik i Atdheut ai merr bekimin e nënës, e cila ka lindur një trim me fletë, të cilit po qe nevoja do t’ i ndihmonte edhe në fushën e betejës. Ja si e ka përjetësuar heroizmin tradicional shqiptar këngëtari anonim popullor:

Mic Sokoli n’dy tagana

-Udha e mbare! – m’i ka thane nana-

-Lufto, bir, ti per Shqipni

-mos i le turqit me hy

-n’kofte nevoja, vij me ty, –

Mic Sokoli nji fjale po e flet

po i thote nanes: – Te mire mbeç!

-Pa u farue malsia krejt

-ktu nuk hyn as krajl, as mbret!…

Betejat në Koshare, Slivovë e Shtime, më 20 dhe 21 prill të vitit 1881, kishte për qëllim për t’ i ruajtur territoret që i kishte shpallur të lira Lidhja Shqiptare e Prizrenit qysh në vitin 1878, ishin beteja të përgjakshme, në të cilat kanë rënë qindra shqiptarë, në mesin e tyre edhe disa krerë të Lidhjes si: Mic Sokoli, Sefë Kosharja, Smajl Hyseni e të tjerë.

Këngëtari popullor nuk tregon numër të të rënëve, por rrëfen se në ato beteja kanë rënë shumë luftëtarë, duke veçuar në mesin e tyre, më trimat, ata që u futen dhe mbeten në këngë, për të mos u harruar kurrë.

Në fushë të Shtimes asht mbledhë jezeri

Haj medet ka mbetë shumë njeri,

Mic Sokoli Smajl Hyseni.

Rënia e Mic Sokolit në fushën e nderit, në altarin e Atdheut, në Fushë të Shtimes, në përpjekje për t’i rrëmbyer topat e rëndë të artilerisë si Dervish Pashait dhe për t’ i luftuar pastaj turqit me armët e tyre, për shfaqë pikën kulmuese të heroizmit, heroizëm të cilin këngëtari popullor e ka përshkruar me elemente hiperbolizuese, për ta veçuar trimërinë e tij përballë topave të ushtrisë së Dervish Pashait.

Mic Sokolin e vrau reja,

E vrau reja, e vrau moti,

E vrau Dervishi me gjyle topi.

Mic Sokoli, ka qenë ndër luftëtarët më të shquar të kombit, një luftëtar popullor që krahasohet me Zenel Gjolekën, Oso Kukën, Rrapo Hekalin, Sylejman Vokshin, Sefë Kosharen, Ali Ibrën, e trima të tjerë të Shqipërisë së kohës së katër vilajeteve.

Figura e tij, sidomos rënia heroike me të drejtë ishte ekzagjeruar në kohën e konsolidimit të idesë së sakrificës për çlirim dhe bashkim kombëtar. Rënia e tij heroike më 20 prill të vitit 1881, kishte qenë burim frymëzimi për brezat. Ai u godit nga gjylja e topit në afërsi dhe trupi i tij u shpërnda në shumë pjesë…

P:F.J

 

Advertisements

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close