Advertisements

Si u takua Esat Pashë Toptani me Nikolla Pashiçin në shtator 1914 në Nish?

Ato ditë derisa po bëhej gati princ Vidi për t’u larguar nga Shqipëria, Esat pashë Toptani më 6 gusht kishte kërkuar nga Serbia ndihmë për t´u kthyer në Shqipëri.

Më 27 gusht Toptani nga Italia u nis për në Selanik të Greqisë, kurse Princ Vidi dhe qeveria e tij e lanë Durrësin pas një jave (më 3 shtator 1914).

Gjatë kohës që Esati ishte në rrugë për në Selanik, qeveria serbe e kishte shtuar aktivitetin e saj në përçarjen dhe grindjen e shqiptarëve, por më së shumti i interesonte aktiviteti i Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit, prandaj kërkonte mënyrë se si t´i eliminojë nga trolli Shqiptar.

Më 3 shtator, ndërsa princ Vidi po largohej nga Durrësi në drejtim të italisë, konsulli i përgjithshëm i Serbisë Vintroviq nga Selaniku lajmëron ministrin e vet me telegram se Esat Pashë Toptani arriti në Selanik dhe se dëshiron sa më shpejt të vijë në Nish për t´u takuar me Nikolla Pashiqin. Vintroviq në telegram shkruan edhe se ”Esati nuk mund të presë shumë kohë, përndryshe do të kthehet në Itali, atje të kërkojë ndihmë.
Qeveria serbe, duke dëshiruar të fitojë në kohë që situata në Shqipëri të ndërlikohet edhe më shumë, e zvarriste ardhjen e Esatit në Nish.

Kjo gjë e bënte nervoz Esatin dhe ai insistonte te konsulli i Serbisë, që sa më parë të takohet me Pashiqin. Konsulli Vintroviq në një telegram tjetër porosit Pashiqin, se Esati duhet të pranohet sa më shpejt që “ të largohet nga ky rreth, ku të gjithë i sillen për t´ia kuptuar qëllimin e tij, e ndoshta ta përfitojnë për vete.” Rreth Esatit më së shumti silleshin konsulli italian dhe ai turk. Në telegram z.Vintroviq mes tjerash shkruan edhe, se: ”Esati më bind se dëshiron lidhje të ngushtë me Serbinë dhe se nuk është kandidat për princ mysliman në Shqipëri, që e përkrahin turqit.” [51]
Më në fund Pashiqi pranoi kërkesën e Toptanit dhe vendosi të ftojë atë në takim. Takimi mbahet më 17 shtator 1914 në Nish dhe me këtë rast Esat pashë Toptani nënshkruan një Marrëveshje me Nikolla Pashiqin.

Çka përmbanë marrëveshja Pashiq – Toptani?

Marrëveshja Nikolla Pashiq – Esat Pashë Toptani

Pasi që me dëshirën e zotit të dy popujt, serb dhe shqiptar e banojnë një territor, vetvetiu janë të detyruar nga ngjarjet historike të jetojnë në paqë dhe miqësi, të ndihmohen reciprokisht dhe bashkarisht të mbrohen. Që të plotësohet dëshira e zotit dhe urtësia politike, paria – përfaqësuesit e të dy popujve janë pajtuar ta bëjnë këtë marrëveshje: [52]
1.
Serbia dhe Shqipëria lidhin midis tyre paqë të përjetshme dhe miqësi. Do t´i shmangen si njëra ashtu edhe tjetra që të mos ofendojnë dhe dëmtojnë interesat dhe nderin e palës tjetër.
2.
Serbia dhe Shqipëria marrin mbi vehte detyrë dhe obligime, që prej tashit mos të bëjnë marrëveshje me cilin do shtet tjetër në dëm të interesave dhe zhvillimit të palës tjetër, dhe kurrë me kërkend mos të bëjë marrëveshje kundër mikut dhe aleatit të vet.
3.
Serbia merr mbi vehte obligim ta ndihmojë rregullimin e Shqipërisë në frymën e vetive popullore dhe të nevojave të kombit shqiptar, duke patur parasysh veçoritë e fiseve që janë zhvilluar gjatë historisë.
4.
Poashtu Serbia merr mbi vehte obligim ta ndihmojë formimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, ku do të jenë të përfaqësuara të gjitha fiset. Këshilli do të ketë fuqi ligjdhënëse dhe do t´i emërojë gjyqtarët e popullit.
5.
Të dy palët janë dakorduar që për sundimtar të Shqipërisë ta njohin atë shqiptar, të cilin do ta zgjedhë Kuvendi i madh popullor i përbërë nga dy përfaqësues të fiseve më të mëdha dhe nga një i fiseve më të vogla.
6.
Nëse do të zgjedhet Esat Pasha, ose çdo shqiptar tjetër i aftë dhe i denjë, atëherë të dy palët obligohen që bashkarisht t´i nxjerrin tre kandidatë dhe atë që do ta zgjedhë Këshilli i madh popullor, atë ta njohin dhe ta përkrahin të dy palët.
7.
Për t´u siguruar miqësia e përjetëshme dhe aleanca midis Serbisë dhe Shqipërisë, ata që tani janë dakorduar për doganën e përbashkët, mbrojtjen e përbashkët, përfaqësinë e përbashkët ndaj vendeve tjera si dhe për mjetet e përbashkëta të komunikacionit.
8.
Nëse e kërkon nevoja, për ruajtjen e miqësisë dhe aleancës së përbashkët si dhe kontakteve të derjtpërdrejta për mbrojtjen e të dy shteteve, do të themelohet me kohë një trup i përbashkët që do të kujdeset për zhvillimin dhe ekzistimin e enteve të përbashkëta.
9.
Krerët shqiptarë marrin mbi vehte obligim se në territorin e vet nuk do të durojnë kurrfarë agjitacioni kundër Serbisë dhe qetësisë së saj, dhe se do t´u lejojnë të krishterëve predikimin e lirë të besimit dhe mësimit në dialektin me të cilin flasin.
10.
Kufiri definitiv midis Serbisë dhe Shqipërisë do të caktohet nga një komision që do të përbëhet nga një numër përfaqësuesish serbë e Shqiptarë.
11.
Shqipëria merr mbi vehte obligim se nuk do t´i kundërshtojë Serbisë në ndërtimin e hekurudhës së Adriatikut deri në Durrës, pasi që kjo të marrë obligim që t´ua kompenzojë pronarëve për tokën që ua merr për nevoja të hekurudhës.
12.
Që të mund t´i paguaj shpenzimet rreth sendërtimit të kësaj marrëveshjeje Serbia obligohet të japë nga 50. 000 dinarë në muaj, deri sa të zgjedhet sundimtari. Pasi të zgjedhet ky, do të bëhet një marrëveshje e posaçme për pagesën e shpenzimeve për nevoja të enteve të përbashkëta.
13.
Ushtria serbe nuk guxon të kalojë kufirin serbo – shqiptar, poashtu edhe ushtria shqiptare, ose njerëz të armatosur, nuk guxojnë të kalojnë në tokat e Serbisë.
14.
Kjo marrëveshje është arritur tani midis përfaqësuesve të Serbisë dhe përfaqësuesit të Shqipërisë Esat pashës, kurse më vonë do të vërtetohet nga sundimtarët e Serbisë dhe të Shqipërisë, kur të zgjedhet ky.

15.

Përfaqësuesi i Shqipërisë, Esat Pasha, pranon mbi vehte obligimin se nuk do të punojë asgjë kundër përmbajtjes së kësaj marrrëveshjeje dhe se gjithnjë në marrëveshje dhe me besnikëri do të punojë me përfaqësuesin e Serbisë, pa marrë parasysh se kush do të caktohet nga ana e Serbisë.
Në Nish, më 4 (17) shtator 1914
Në emër të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar Esat Toptani

Teksti i marëveshjes është shkruar në turqisht me shkrim arab, kurse nëshkrimi i Esatit është në latinisht.

Po ashtu një kopje është edhe në serbisht. Në margjinat e tekstit serbisht tek neni i parë ( I ) qëndron një plotësim sa i përket ndihmës finansiare ku thuhet: “ Për tani 10. 000 për shpenzime lufte, 1. 000 në muaj për kufij. Kur të bëhet princ, (është fjala për Esat Toptanin – Sh. B) atëherë ai do t´i kthejë të gjitha ato, nëse dëshirojmë bile edhe me interes.

Të urdhërohen komandantët kufitarë që ta dëgjojnë si ndonjë oficer serb.) [54]
Në kreun e kësaj marrëveshjeje konstatohet si vijon.”…Që të plotësohet dëshira e zotit dhe urtësia politike, paria – përfaqësuesit e të dy popujve janë pajtuar ta bëjnë këtë marrëveshje”, ndërsa në fund të marrëveshjes nënvizohet me nënshkrim: “Në emër të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar Esat Toptani”. Faktet historike dëshmojnë se Esat pashë Toptani në këtë kohë nuk ishte kurrfarë përfaqësuesi i shtetit shqiptar, e as që ishte autorizuar prej ndokujt që të flasë në emër të Shqipërisë, por shihet qartë se ai vet e kishte autorizuar veten jo vetëm të flasë, por edhe të nënshkruajë marrëveshje në emër të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.

Qysh në nenin 5 të marrëveshjes duket sheshazi se qeveria serbe shpreh një farë frike se populli nuk do ta zgjedhë Esat pashën për udhëheqës të vetin, prandaj parashihte që të kandidohen “dy përfaqësues të fiseve më të mëdha dhe nga një i fiseve më të vogla” në mënyrë që të përqahen forcat e brendshme, për të fituar Esati i cili ishte pajtuar plotësisht me kushtet që i kishte shtruar Pashiqi.

Në nenin 7 në emër të “miqësisë së përjetshme…”Toptani dhe Pashiqi “janë dakorduar për doganën e përbashkët, mbrojtjen e përbashkët, përfaqësinë e përbashkët ndaj vendeve tjera si dhe për mjetet e përbashkëta të komunikacionit” dhe këtu duken qartë synimet e qeverisë serbe që Shqipërinë t´ia bashkojë Sërbisë.

Në nenin 10 ku thuhet: “Kufiri definitiv midis Serbisë dhe Shqipërisë do të caktohet nga një komision që do të përbëhet nga një numër përfaqësuesish serbë e shqiptarë”, bëhet e dukshme se Serbia nuk i njeh kufijt e Shqipërisë të përcaktuar (edhe ashtu padrejtësisht) në Konferencën e ambasadorëve në Londër në vitin 1913.
Gjatë bisedimeve që janë zhvilluar midis Pashiqit dhe Toptanit, nuk është biseduar vetëm për ato çështje që janë thënë në marrëveshje, por edhe për çështje të tjera me rëndësi politike për qeverinë serbe. Këtë gjë më së miri e sqaron vet Nikollla Pashiqi në një letër dërguar përfaqësuesit serb në Durrës Panta Gavrilloviqit.

Në këtë letër, për të cilën Pashiqi porosiste të ruhet si tepër sekrete, shkruante: “Me Esat pashën kemi biseduar edhe në frymën e interesave serbe dhe shqiptare, që e obligojnë Esat pashën të shpëtojë Shqipërinë nga intrigat austriake dhe t´i bindë shqiptarët se duhet të jenë me Serbinë në marrëdhënie të mira miqësore, dhe e dyta, se Shqipëria duhet të pastrohet nga turbulluesit – kundërshtarët e tij që janë nën ndikimin austriak dhe bullgar. Esati e ka pranuar këtë kërkesë dhe ka premtuar se do të veprojë në këtë drejtim, duke u lutur që Serbia t´i japë ndihma morale dhe materiale.“

Madje Pashiqi e porosiste Gavrilloviqin ta përcjellë punën e Esat pashë Toptanit dhe ta lajmërojë lidhur me aktivitetin e tij, pasi që Esati, shkruante Pashiqi aty, nuk gëzon besim të përgjithshëm të shqiptarët

P:F:J

Loading...
Loading...
Loading...
Advertisements

Comments are closed.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close