Advertisements

LIBRI “TRUNGU ILIR” I SABRI HAMITIT MBUSH 40 VJET

Kur u botua më 1979, libri poetik i Sabri Hamitit “Trungu ilir” u njoh si ngjarje letrare e kulturore e vitit dhe krijoi bujë të madhe. Iu dhanë dy shpërblimet kryesore atë vit, i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i “Rilindjes”.

Libri ka njohur pesë botime në këto 40 vjet, me tirazhe mijëra kopjesh secili. Pjesë prej këtij libri janë botuar në antologji të poezisë shqipe e në libra me poezi të zgjedhura të shkrimtarit.

“Trungu ilir”, libër poetik vëllimor (171 faqe) në dy libra (pjesë), “Trungu” dhe “Koha”, të mëvetësishëm e të ndërlidhur njëherësh, është bërë libër kult i autorit dhe i poezisë shqipe në Kosovë: i dashur e i lexuar. Ka pasur sukses edhe në një dramatizim në Teatrin e Kosovës, në regjinë e Agim Sopit. U shpërblye në një festival teatrosh në Sarajevë më 1981 sa nuk e kishte përlarë censura që e ndaloi shfaqjen në Prishtinë për shpejt, mbas Ngjarjeve të marsit të atij viti në Kosovë. Shfaqja dhe libri u sulmuan nga rrjeti i policisë letrare-politike të kohës në ish-Jugosllavi.

Lexuesi kanonik i poezisë së Sabri Hamitit ka qenë prej fillimi Ibrahim Rugova, dijetar i letërsisë. “Trungut ilir” i ka bërë një studim të thellë në tekstin e vet “Sistemi poetik i Sabri Hamitit”, botuar si parathënie e përmbledhjes së zgjedhur të poezive të Hamitit, që rimerrte titullin “Trungu ilir”, te kolana “Albatros” e botuesit “Rilindja” më 1983. Sipas tij, poezia e Hamitit “shenjëzon esencat historike, që bëhen esenca poetike”.Pjesa e parë e librit (Trungu) “përshkohet nga hidhësia epike e ekzistimit”, kurse pjesa e dytë (“Koha”) nga “një hidhësi konkrete”, shprehej Rugova.

Njëzet vjet më vonë, në parathënien e kompletit të librave të Sabri Hamitit në dhjetë vëllime (2002), Ibrahim Rugova shkruante:

“Në këtë kohë [në vitet ’70, të brezit të shkrimtarëve e intelektualëve që mund të quhet “Qarku i Prishtinës”], Sabri Hamiti botoi kryeveprën e tij dhe njërën nga kryeveprat e letërsisë shqiptare “Trungu ilir”, apo de facto Trungu shqiptar. Këtu ai shprehu doktrinën e tij të vazhdimësisë së gjallë të traditës dhe zhvillimin modern të popullit të vet. Me këtë ai deshi ta shkatërrojë “Thikën e harrimit”, që është titulli i një libri të tij.”

Kur bëri këtë shkrim, i mbrami i tij për letërsi, Ibrahim Rugova ishte President i Kosovës së lirë, në udhë për t’u bërë e pavarur. Hamiti u bë firmëtar i deklaratës së pavarësisë së Kosovës, shpallur më 17 shkurt 2008.

I njohur si shkrimtar e studiues letërsie, Sabri Hamiti ka botuar dhjetë libra poetikë. I pari “Njeriu vdes i ri” (1972), më i riu “Kukuta e Sokratit” (2018). Para ”Trungut ilir”, Hamiti botoi edhe librat poetikë ”Faqe e fund” (1973) dhe ”Thikë harrimi” (1975), ndërsa pas ”Trungut” librat poetikë ”Leja e njohtimit” (1985), ”Kaosmos” (1990), ”ABC: Albetare për fëmijë të rritur” (1994), ”Melankolia” (1999) dhe ”Sympathia” (2004).

Libri poetik i Hamitit “Kukuta e Sokratit”, që u botua vjet në Tiranë, është vlerësuar lart nga kritika letrare, nga lexues të rinj e të moçëm të poezisë.

(Në foto, kopertina e botimit të parë të librit “Trungu ilir”, Rilindja, Prishtinë, 1979. Këtu edhe poezia që i ka dhënë titullin gjithë librit).

***

Sabri Hamiti

TRUNGU ILIR

Rri i verbuar nën Dhé në Mes-Dheun plak

Pi ujin e zi të rrjedhës në qivur

Kur shtrydh dorë e huaj a del gjak

Nga zemra e fundosur gurëzuar në gur

Detet e llahtarshëm a i bashkon urë

Apo fjalët e dashjes shprishen në jehonë

Rri strukur rri dru nuk flet rri gur

Në vitet e reja ndër shekujt e vonë

Rrënjët nën dhé rjepin lëkurën një këmbonë

Prish gjumin e rëndë në tokë e qiell

Degët lidhin kurorë si thikë si këmbonë

Se pijnë ujin tjetër i nxen tjetër diell

Nis këngën e vajin e klith mallshëm me fyell

O valë e tmerrshme o ujë turbull o det

E shpie zërin e tretur rrugës nëpër pyll

Në udhën e bashkimit nisu o vij vetë

Ky shurdhim i moçëm veshët po m’i vret

Nisur në dhenë e njohjes ndër fusha e male

Zgjimi symbyllë solli gjumin mbet shkret

I shtrirë në zhurmë u zhduk dalëngadale

Në zjarrin e dashurisë së një fjale

U skuq u poq molla portokalli e fiku

Lëngun e jetës vala i dha një vale

Frika e heshtja nën dry mbet o iku

Kur ja nëpër terr qeshja e një miku

E rëndë sa kujtesa do shqiptim në lojë

Në sofrën e drurit rrethuar lajmi piku

Fusha mori veshët e mali mori gojë

E rrjetohet biseda thua thue thoj

Vëllai i madh ta mban dhembjen në kokë

Pa shih o zot si qajmë qeshim flasim njësoj

Dhembjen klithjen vdekjen i mbjellim në tokë

Kur dielli shkrumohet në det e në bokë

E i skuq gjurmët në udhëtimin pluhurak

Erren mendimet plas klithja në kokë

Gjaku yt të ndjek në botë e në prak

Rri i verbuar nën Dhé në Mes-Dheun plak

Pi ujin e zi të rrjedhës në qivur

Kur shtrydh dorë e huaj a del gjak

Nga zemra e fundosur gurëzuar në gur

Autor: Muhamet Hamiti

Loading...
Loading...
Loading...
Advertisements

Comments are closed.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close