Nga Abdulla Mehmeti
Pse u përfshi ky mekanizëm mbrojtës (Parimi i Badenterit, votimi i dyfishtë) në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë? Sigurisht që jo për t’u fotografuar deputetët shqiptarë me atë, por për t’i mbrojtuar të drejtat e ligjshme të popullit që e përfaqësojnë.
Nëse deri në vitin 203 shqiptarët kanë mundur të ankohen për diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të tyre kolektive, me këtë Amendament u është krijuar mekanizëm mbrojëtës në Kushtetutë, dhe tani varet kryesisht nga përfaqësuesit shqiptarë, deputetët në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë, nëse do t’i mbrojnë dhe avancojnë të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar në këtë shtet, apo për interesa të tyre do të vendosin në kundërshtim me vullnetit e qytetarëve që i kanë votuar ata, duke i shkelur edhe më tej të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar, i cili trajtohet si pakicë kombëtare, ndërsa gjuha shqipe trajtohet si gjuhë pa emër, „gjuhë që e flasin mbi 20% e qytetarëve“.
* * *
Në mbështetje të nenit 131 paragrafit 5 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, në seancën e mbajtur më 26 dhjetor 2003, miratoi:
AMENDAMENTIN XVIII
1. Për vendimin mbi ndryshimin e Preambulës, neneve të vetadministrimit lokal, nenit 131, cilësdo dispozitë që ka të bëj me të drejtat e pjesëtarëve të bashkësive, përfshirë veçanërisht nenet 7, 8, 9, 19, 48, 56, 69, 77, 78, 86, 104 dhe 109, si dhe për vendimin për shtimin e çfarëdo dispozite të re, që ka të bëjë me përmbajtjen e atyre dispozitave dhe neneve, do të jetë e nevojshme shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, me ç’rast medoemos duhet të ketë shumicë të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve të cilët u takojnë bashkësive të cilat nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë.
2. Me këtë Amendament shtohet paragrafi i ri 4 të nenit 131 të Kushtetutës së Republikës të Maqedonisë.
(4.XII.2018)