Advertisements

Vështrim kritik mbi veprën e Gjeçovit “Kanuni i Lek Dukagjinit”

Editor

Nga Mark Palnikaj

Për veprën e Gjeçovit janë mbajtur shumë simpoziume dhe takime qysh nga vdekja tragjike e tij në vitin 1929, madje për veprën e tij janë mbajtur takime studimore edhe në të gjallë të tij.

Falënderoj organizatorët që me rastin e 90 vjetorit organizuan këtë simpozium plotësisht të merituar për veprën shkencore por edhe patriotike të këtij atdhetari të madh.

Gjeçovi gjatë jetës së tij 55 vjeçare zhvilloi një aktivitet atdhetar por edhe shkencor, duke na lënë një trashëgimi të pasur në fusha si arkeologjia, etnografia, folklori etj duke mbledhur këngë, valle, gojëdhëna mitologjike, gjë e gjëza, fjalë të urta, proverba dhe materiale të tjera të cilat u botuan në fillim të shekullit të kaluar në revistën “Visaret e Kombit”. Në harkun kohor prej gjashtë vitesh, nga viti 1904 deri në vitn 1910, ai botoi 5 vepra dhe përkthime.

Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, me gjithë luftën e madhe që u zhvillua kundër fesë dhe veçanërisht ndaj klerit katolik, vepra e Gjeçovit u vlerësua duke i njohur meritën e krijimit të Arkeologjisë Shqiptare, duke e dekoruar me rastin e 50 vjetorit të shpalljes së pavarësisë në vitin 1962 me Urdhrin “Për Veprimtari Patriotike” të klasit III dhe duke botuar për jetën dhe veprimtarinë e tij një monografi me titull “Shtjefën Gjeçovi Jeta dhe Veprat” e shkruar nga Ruzhdi Mata, shtypur në shtypshkronjën “Mihal Duri”, Tiranë 1982.

Përballë veprës kolosale atdhetare dhe shkencore të Gjeçovit, edhe ai regjim u detyrua t’i njihte shumë nga meritat e tij. Pushka e Gjeçovit u vendos në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë qysh në vitin 1970.

Presidenti Rugova, me datën 10 qershor 2003, e ka dekoruar At Shtjefën Gjeçovin me “Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit”.

Është detyra jonë që të identifikojmë dhe të nxjerrim në dritë veprën e plotë të këtij kolosi të atdhetarisë dhe të letrave shqipe dhe të sensibilizojmë organet përkatëse shtetërore dhe politike në Shqipëri dhe në Kosovë për të vënë në vendin që meriton figurën e këtij patrioti të madh.

Tema ime do të jetë e përqendruar nga një këndvështrim kritik, por njëkohësisht edhe dashamirës dhe jo denigrues për veprën madhore “Kanuni i Lek Dukagjinit” që e ka bërë të pavdekshëm emrin e autorit të sajë.

Edhe pse janë shkruar me qindra artikuj studimorë mbi këtë vepër, duke e etiketuar në forma nga më ekstremet, nga cilësimi si një kryevepër deri në mallkim të sajë si një vepër që bën të ekspozohen anët më të errëta të realitetit shqiptar, vazhdojnë akoma të shkruhen pa fund studime dhe referate për të.

Analizën më të saktë dhe të koncentruar të kësaj vepre e ka bërë në hyrje të botimit të parë të sajë korifeu i letrave shqipe Atë Gjergj Fishta.

Në sesionin shkencor që u mbajt në Zllakuqan me datë 25 korrik 2017 jam paraqitur me një temë me titull “Gjakmarrja në veprën e Shtjefën Gjeçovit”. Aty kam folur me hollësi për problemin e gjakmarrjes dhe trajtimin e këtij fenomeni nga Kanuni i Lek Dukagjinit. Tema është e botuar dhe mund të gjendet me lehtësi, prandaj sot nuk do ta trajtoj aspak këtë temë.

Në vitin 1960, në revistën shkencore “Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës”, Seria Shkencat Shoqërore, volumi II, faqe 95, është botuar një studim mjaft serioz nga studiuesja ruse J. V. Ivanova mbi veprën “Kanuni i Lek Dukagjinit”.

Në vijim të studimit të sajë, kjo studiuese, në faqen 96, për të kuptuar më mirë veprën e Gjeçovit ajo ka shtruar tre pyetje:

  1. Cilës kohë i përkasin informatat që sjell ai në veprën e tij;
  2. Në çfarë trualli ka vepruar Kanuni i Lek Dukagjinit;
  3. Në çfarë rrethanash konkrete historike ka lindur Kanuni dhe në cilat ambiente shoqërore ka patur fuqi.

Të tria këtyre pyetjeve ajo është rrekur t’u japë përgjigje nga këndvështrimi i sajë që, për hir të së vërtetës, për arsye të rrethanave politiko shoqërore të kohës, nuk mund ti shmangej krejtësisht ndikimit të ideologjisë zyrtare të kohës që ishte regjimi komunist.

Në temën time, do të përpiqem edhe unë, të jap versionin tim për këto tri pika, pa kopjuar idetë ose pikëpamjet e kësaj studiueseje të nderuar.

Nga të dhënat e publikuara deri sot pranohet që shënimet për kanunin e Lek Dukagjinit, rreth dy mijë faqe dorëshkrime, Gjeçovi i mblodhi nga viti 1907 deri në vitin 1915 në famullinë e Gomsiqes ku punoi rreth 8 vjet.

Informatat që sjell në këto shënime, u përkasin këtyre viteve dhe vendi ku këto rregulla zbatoheshin ishin kryesisht krahina rreth e rrotull famullisë së tij dhe në Mirditë.

Mbledhja, por sidomos kodifikimi i ndarë në nene dhe kapituj të veçantë, është një punë shkencore që ka kërkuar shumë kohë dhe mund nga autori, dhe është një meritë e jashtëzakonshme e tij.

Zonat ku zbatohej kanuni me emrin Lek Dukagjini ishin kryesisht zonat katolike në fiset e Malësisë së Madhe, Nikaj Mërturi, Shala dhe Shoshi, 12 bajrakët e vegjël të Pultit, Thaçi, Berisha, Malësia e Lezhës dhe bajrakët e Mirditës.

Autorja që citova më sipër shkruan se ky kanun zbatohej edhe në Krasniqe, Gash, Bytyç, Has, Lumë dhe disa vende të tjera me popullsi të besimit mysliman gjë që nuk është e vërtetë.

Në zonat me popullsi të besimit mysliman krahas kanunit ka vepruar edhe sheriati që ishte një e drejtë që e praktikonte pushtuesi turk në shumë zona.

Madje edhe në zonat me popullsi të besimit katolik që përmendëm më sipër, ky kanun nuk ka vepruar kudo njëlloj por ka dallime të theksuara.

Dera e Gjo Markut e kodifikuar në këtë përmbledhje të Gjeçovit i ka patur ato privilegje vetëm në bajrakët e Mirditës, por jo në zonat e tjera.

Në zonat me popullsi të besimit të krishterë dhe mysliman, fqinje me Mirditën ka vepruar një tjetër kanun i njohur si “Kanuni i Skënderbeut”. Ky u mblodh dhe u kodifikua nga Imzot Frano Ilia dhe u botua nga Arqipeshkvia e Shkodrës në vitin 1993. Zona e Kurbinit ku vepronte ky kanun është shumë e përzier nga ana gjinore me popullsinë e fiseve të Mirditës.

Edhe studiuesi Xhemal Meçi ka botuar një përmbledhje mbi të drejtën zakonore me titull “Kanuni i Lek Dukagjinit, Varianti i Pukës”

Në fakt Gomsiqja ku e mori lëndën kryesore Gjeçovi për veprën e tij, është quajtur historikisht pjesë administrative e Pukës, edhe pse është me popullsi të përzier të fiseve nga Puka dhe Mirdita.

Nëse marrim parasysh ndryshimet e kësaj të drejte zakonore që vepron në fise pak më të largëta nga Gomsiqja si Nikajt, Mërturi, Berisha, Shala, Shoshi, Shkreli, Këlmendi, Hoti, Gruda etj atëherë rezulton që ky kanun nuk është i njëllojtë në zonat që përmendëm.

Edhe Xhafer Martini dhe Shefqet Hoxha kanë mbledhur të drejtën zakonore për Dibrën dhe Lumën, krahina relativisht afër me zonën ku Gjeçovi mblodhi materialet për veprën e tij.

Me këto që shkruam më sipër marrin përgjigje dy pyetjet e para ndërsa për pyetjen e tretë duhet të ndalemi edhe pak. Kur e ka zanafillën Kanuni asnjëri nuk mund ta thotë me kompetencë fjalën e tij sepse fatkeqësisht janë dy shkaqe kryesore që nuk e mundësojnë hedhjen dritë mbi këtë pikë. Së pari, në Shqipëri pushtuesi turk, gjatë kohës që e mbajti të pushtuar, ka djegur dhe shkatërruar çdo gjë të shkruar dhe së dyti vendi ynë ka qenë i nënshtruar disa pushtuesve si romakët, serbët, bullgarët dhe në fund edhe turqit.

Secili pushtues, në kohën e sundimit të tij, ka zbatuar dhe ju ka imponuar ligjet e veta popullsisë së nënshtruar. Janë të njohura ligjet e Kostandinit të Madh, të Justinianit, Kodi i Dushanit dhe disa ligje të tjera të cilat në periudha kohe të përcaktuara, janë zbatuar në popullsinë shqiptare. Po ashtu, gjatë sundimit rreth 500 vjeçar të pushtuesit turk, zbatimi i disa ligjeve të pushtuesit ka qenë detyrim. Edhe e drejta kishtare e shkruar në disa kapituj të Biblës, duhet të pranojmë që në popullsinë e krishterë ka patur ndikimin e vet.

Nuk jemi në gjendje për të përcaktuar me saktësi ndikimin e secilit nga këto ligje, cili ka më shumë ndikim në Kanunin e Lek Dukagjinit por, sipas mendimit tonë, secili nga këto ka, pak a shumë, një farë ndikimi mbi të.

Mbas vitit 2000 studiuesja italjane Luçia Nadin dhe studiuesi shqiptar Pëllumb Xhufi kanë publikuar Statutet e Shkodrës nga një kopje dorëshkrim e ruajtur në Bibliotekën e Muzeut Correr në qytetin e Venecies.

Ky dokument me rreth njëqind faqe, është shkruar rreth vitit 1479 dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme për studimin e së drejtës penale dhe zakonore në truallin Arbëror dhe për këtë është shkruar dhe diskutuar shumë në Shqipëri dhe jashtë sajë, por unë e përmenda këtë për faktin se në asnjërin nga nenet e këtij Statuti nuk përmendet gjakmarrja.

Shkodra ka qenë qyteti kryesor për rrethinat ku ka vepruar Kanuni i Lek Dukagjinit dhe ne nuk jemi në gjendje të themi se sa kanë patur ndikim statutet e Shkodrës në popullsinë e rrethinave të sajë. Nuk jemi në gjendje as të themi me siguri se kur ka filluar të shfaqet fenomeni i gjakmarrjes në formën që kishte kur shkroi Gjeçovi veprën e tij.

Në veprën e Gjeçovit nuk thuhet se kur ka filluar të shfaqet fenomeni i gjakmarrjes në mënyrë të frikshme siç ishte në vitet e fundit të pushtimit turk.

Mbetet detyrë parësore e sudjueve tanë për të bërë kërkimet e nevojshme në arkivat e ndryshme, kryesisht në ato të Romës, Venecies dhe Dubrovnikut për të parë se si ka evoluar ndikimi i kanunit në zonat ku ai pati ndikim.

Kanuni në secilin lloj ose variant, zbatohet brenda një njësie jo shumë të madhe që njihet me emrin fis ose bajrak.

Fise quhen grupime pak a shumë të mëdha banorësh që e kanë prejardhjen nga një i parëlindur dhe kanë të gjithë lidhje gjaku midis tyre. Nuk ka qënë zakon të bëheshin martesa brenda fisit as kur ishin larg njëzet breza. Në kanun ishte e ndaluar martesa brenda fisit “edhe në 400 breza”, mjaft që lidhja e gjakut të ishte e njohur dhe e konfirmuar mirë.

Bajraku është një njësi territoriale me banorë që ishin të lidhur nën një flamur por jo domosdoshmërish kishin lidhje gjaku midis tyre.

Në disa punime është shkruar se bajrakët dhe bajraktarin i krijoi pushtuesi turk. Kjo nuk me duket shumë e besueshme sepse asnjë shtet nuk mund të krijojë as fshatra as qytete as fise por ai, mund të bëjë ndarje administrative mbi bazën e fshatrave, qyteteve apo fiseve dhe të krijojë llojin e administratës që e vlerëson më të vyer. Organizimin administrativ mbi bazë bajraqesh pushtuesi turk e ka përdorur, më së pari në shekullin XVIII. Ai u ka njohur pushtetin bajraktarëve, ju ka dhënë disa kompetenca dhe ju ka njohur disa privilegje, dhe ka lejuar qeverisjen jo sipas ligjeve të shtetit por sipas të drejtës zakonore.

E drejta zakonore pësonte rregullime dhe ndryshime sa herë banorët e shikonin të arsyeshme. Ndryshimi bëhej nga mbledhja e të gjithë pjesëtarëve të fisit ose bajrakut, duke marrë pjesë siç thuhej “burr për shpi” çka nënkuptonte që të ishte i pranishëm në kuvend nga një pjesëtar mashkull nga çdo familje e komunitetit. Vendimet merreshin me shumicë absolute me votim të hapur. Ato ishin të detyrueshme për zbatim nga të gjithë komuniteti pa përjashtim, përfshirë edhe parinë. Së bashku me vendimet përcaktoheshin edhe sanksionet për cilindo që nuk zbatonte vendimet e miratuara. Masat shtrënguese kanë qenë shumë të rrepta dhe fillonin nga gjobat që mund të ishin me para ose me shtrimin e drekave ose darkave për të gjithë komunitetin, dhunimi publik duke e detyruar fajtorin të merrte një gur të rëndë dhe ta transportonte i vetëm në një distancë që ata e shikonin të arsyeshme, dëbimi për tre vjet ose përgjithmonë nga vendbanimi dhe shkatërrimi i të gjitha pronave dhe djegia e shtëpisë. Në raste ekstreme ishte vrasja e personit fajtor ose vrasja kolektive. Vrasja kolektive ishte kur fajtori bënte një krim që fyente rëndë nderin dhe dinjitetin e fisit. Në këtë rast, fajtori lidhej dhe vendosej në një shesh dhe vritej duke e qëlluar të gjithë me armë.

Vendimet që merreshin ishin në shumë raste specifike vetëm për një fis ose bajrak dhe në këtë kuptim, Kanuni i njërit fis, mund të mos ishte i njëllojtë me atë të fisit tjetër. Edhe në Kanunin e hartuar nga Gjeçovi, në shtojcën që është vendosur në fund bëhet fjalë për vendime të fiseve ose të djelmnisë të cilat janë marrë në kushte të caktuara për probleme të caktuara. Ky është shembulli ilustrues më i mirë që Kanuni nuk ishte i shkruar njëherë e përgjithmonë por ishte në përpunim dhe ndryshim të vazhdueshëm dhe nuk ishte kudo i njëjtë.

Edhe pse janë shkruar shumë studime mbi të drejtën zakonore shqiptare gjatë afër 150 vjetëve të fundit, jam i mendimit se ka akoma shumë hapësira të pa studiuara dhe ka vend për studime të tjera të bazuara në të dhëna arkivore dhe jo nga mbledhja gojore në komunitetet ku zbatohet.

Shkrimi i të drejtës zakonore mbi bazën e intervistave dhe tregimeve nga banorët e komuniteteve pa u thelluar në literaturë dhe në dokumente arkivore, jep një produkt që lë shumë për të dëshiruar në lidhje me cilësinë dhe saktësinë e tij.

Gjeçovi ka meritën që ishte i pari që bëri mbledhjen dhe kodifikimin e kësaj të drejte zakonore, por jam i mendimit se ajo duhet studiuar me sy kritik dhe të plotësohet me të dhëna të reja nga studiues profesionistë dhe institucione prestigjioze shtetërore ose nga shoqëria civile.

Ju faleminderit

 Tiranë me 07. 11. 2019

Loading...
Loading...
Loading...
Advertisements
Next Post

Doli nga shtypi libri i Fahri Xharrës “Roma fliste shqip “

Nuk është as i ri dhe as i papritur botimi i librit “Roma fliste shqip”, i studiuesit Fahri Xharra. Nuk kemi të bëjmë, natyrisht me një botim të mëparshëm të këtij libri, por ai vjen si vazhdë e një pune […]
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close