Ambasadorët e QUINT-it takojnë sot udhëheqësit e Vetëvendosjes dhe LDK-së, në përpjekje që të shtyjnë përpara në formimin e institucioneve të reja në Kosovë.

Ambasadorët e vendeve më të industrializuara (QUINT), po bisedojnë sot në një takim të përbashkët me liderët e dy subjekteve politike lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa. Qëllimi i takimit është arritja e koalicionit qeverisës. Mungesa e marrëveshjes mes këtyre dy partive për ndarje pushteti bëri që në bisedime të përfshihet edhe QUINT-i, ndonëse edhe deri tash, disa herë, ata kanë kërkuar formimin e institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të shkuar.

Ka më shumë se tre muaj që Vetëvendosja dhe LDK po diskutojnë për ndarje të përgjegjësive. Por marrëveshja nuk është arritur. I mandatuari për kryeministër Albin Kurti, ka vetëm edhe 8 ditë afat për ta formuar qeverinë në bazë të mandatit të dhënë nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Udhëheqësit e lëvizjes Vetëvendosja dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës i dhanë fund pa marrëveshje një takimi të hënën në mbrëmje. Ata nuk dhanë shumë detaje, por bënë të ditur se takimi ka përfunduar pa marrëveshje. ”Palët janë pajtuar që të martën të zhvillohet një takim tjetër bashkë edhe me ambasadorët e QUINT-it dhe me shefen e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova”.

Mospajtimet rreth posteve

Vetëvendosja dhe LDK vazhdojnë të kenë mospajtime, sidomos rreth postit të kryetarit të parlamentit, ku është zgjedhur Glauk Konjufca nga VV. Kryetari i parlamentit u zgjodh në seancën konstituive të me 26 dhjetor pa një marrëveshje me LDK-në. LDK e ka votuar Konjufcën për kryetar parlamenti, por kjo ka komplikuar negociatat mes këtyre dy subjekteve. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, tha se kjo parti nuk heq dorë nga ky post.

“Ne po presim nga Vetëvendosja që të deklarohet për ofertën tonë. Oferta jonë është që LDK të ketë kryeparlamentarin dhe pesë ministri, si dhe zotimin e VV për votimin e kandidatit të LDK për president. Kjo është oferta që qëndron, ne presim përgjigje”, tha Agim Veliu, duke shtuar se “për LDK, ky qëndrim është i balancuar për të dy palët dhe që i shërben stabilitetit të qeverisjes në Kosovë”. Por lëvizja Vetëvendosje pohon se çështja e kryetarit të parlamentit është e kryer dhe nuk ka kthim prapa. Megjithatë mandatari Kurti shpreson se marrëveshja me LDK-në do të arrihet.

Kurti shpreson arritjen e marrëveshjes

“Me besimin e mirë dhe me urimet dashamirëse, me vullnetin dhe përkushtimin që kam, duke qenë i përgjegjshëm ndaj qytetarëve, jo vetëm unë por të gjithë ne që po negociojmë, besoj që në këto ditë të mbetura do ta rrumbullakojmë më në fund marrëveshjen dhe të shkojmë në Kuvend të Republikës e ta votojmë qeverinë e re në kuadër të afatit 15 ditësh”, tha Albin Kurti.

Sidoqoftë, akoma nuk dihet se çfarë sjellë takimi i së martes i Albin Kurtit dhe Isa Mustafës me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, nëse këta të fundit do të arrijnë t’i bindin për marrëveshje. Zgjedhjet në Kosovë u mbajtën me 06.10.2019. Ndërkohë kanë kaluar më shumë se tre muaj që Kosova mbetet me qeveri në detyrë. Prania ndërkombëtare në Kosovë vazhdimisht ka bërë thirrje për krijimin e institucioneve të reja, sepse Kosovën siç thonë ata, e presin sfida të mëdha. E një ndër sfidat më të mëdha është dialogu me Serbinë i ndërprerë në nëntor të vitit 2018, pas vendosjes së taksës nga qeveria e Kosovës për mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës – si kundërpërgjigje ndaj fushatës së Serbisë kundër njohjeve të Kosovës.

  • Data 28.01.2020/dw