Bilal Golemi, shkencëtari gjirokastrit me dimensione evropiane

Më 9 shkurt 1899, në Golem të Gjirokastrës, Shqipëri, lindi Bilal Golemi, shkencëtari me dimensione evropiane, doktori i shkencave veterinare, mikrobiologu i shquar, atdhetari dhe demokrati përparimtar.
Mjek veterinar, mikrobiolog i shquar në fushën veterinare e mjekësore, patriot atdhetar e demokrat përparimtar. U largua nga Golemi kur ishte 7 vjeç, duke shkuar pas të atit në Stamboll.

Kreu shkelqyeshëm studimet e larta në mjekësinë veterinare. U specializua për mikrobiologji në institutin «Pasteur» në Paris. Punoi si asistent e më pas si bashkëpunëtor i dy shkencëtarëve francezë me famë botërore, Ramon e Dyma, ku shpalosi talentin e tij duke marrë gradën Doktor i Shkencave në moshen 27-vjeçare. Për talentin dhe famën që fitoi, Instituti e ftoi të punojë aty, por ai bashkë me të shoqen dhe vajzën më 1928 kthehet në Atdhe më ëndrrën dhe dëshirën për t’i sherbyer popullit të tij. Me emrin dhe veprën e tij janë të lidhur ngritja dhe organizimi i shërbimit të veterinarisë, themelimi i të parit laborator bakteriologjik të veterinarisë, importimi i racave të kafshëve, ngritja e të parave stacione shkencore të përmirësimit racor si në Selenicë e Rozafaj. Prodhimi për herë të parë në vend i vaksinave kundër disa sëmundjeve të bagëtive, përgatitja e kuadrove të para veterinare, ndihmoi në organizimin e zhvillimin e shkollave të para bujqësore në Tiranë, Kavajë e Lushnjë. Ndërkohë ai është një martir i shkencës, që për hir të saj e ktheu trupin e tij në laborator studimi e vëzhgimi; duke iu infektuar rëndë, kjo i kushtoi me jetën e tij. Ai ishte sa shkencëtar aq edhe njeri i thjeshtë, i dashur, patriot demokrat e përparimtar që gëzonte simpati e dashuri të jashtëzakonshme nga njerëzit brenda e jashtë vendit.

Dr. Bilali nuk u pajtua me shtypjen dhe shfrytëzimin e egër, me prapambetjen e theksuar dhe varfërinë e madhe, prandaj u pozicionua përkrah forcave demokratike përparimtare dhe mori pjesë në lëvizjen e Vlorës që drejtohej kundër regjimit obskurantist të A. Zogut. Për këtë regjimi monarkist e burgosi më 1932 dhe e dënoi me 101 vjet burg. Mbajti një qëndrim burrëror e dinjitoz para gjyqit ku demaskoi ashpër regjimin e kalbur. Nën presionin e vijueshëm të protestave brenda dhe jashtë vendit, më 13 shkurt 1935 u lirua nga burgu, por shkencëtarit me përmasa evropiane iu mohua e drejta e punës dhe e jetesës ne Shqipëri nga regjimi zogist. I deshpëruar ne kulm, detyrohet të shkojë në Turqi ku e prisnin me padurim institucionet shkencore.

Me 1952 emërohet sekretar i përgjithshëm i institutit qendror veterinar në Ankara, po këtë vit zgjidhet ekspert i Organizatës Ndërkombetare të Shëndetësise. Studimet e tij patën jehonë të madhe në Evropë e botë. Më 1952 për studimet e tij shkencore në mikrobiologjinë veterinare qeveria franceze e deklaroi me medaljen «Légion d’honneur – Mérite agricole». Kreu mbi 50 studime e kërkime shkencore, mori pjesë në studime e ekspozita ndërkombëtare, bashkëpunoi me shumë institute nga të gjitha anët e botës duke u bërë kështu një figurë e shquar në forumet ndërkombëtare të shëndetësisë.

/Kalendari Enciklopedik Shqiptar/

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close