LUC NISHI-Rënë për Atdhe në vitin 1920

Luc Nishi, i biri i kushëririt të parë të Dedë Gjo Lulit, Nik Gjelosh Lulit, ka lindur në Traboin të Hotit në vitin 1893. Ishte fort i ri në kryengritjen e vitit 1911, por megjithatë mori pjesë në luftime. I edukuar me frymë atdhetare, bir i një luftëtari të madh, Luc Nishi ndoqi karrierën ushtarake. Ishin kohë të turbullta, kur shpesh Shqipëria kalonte nëpër rreziqe të mëdha, ndaj Luc Nishi ndoqi atë rrugë për t’i shërbyer sa më mirë vendit të vet.

U martua me Katrinën, bijën e Kol Kurtit të Pikalës së Grudës, që ishte motra më e vogël e Nore Kolës, gruas së Kol Dedë Gjo Lulit, e njohur nga të gjithë si Nore e Hotit, ani pse bijë Grude. Nga kjo martesë oficerit Luc Nishi i lindi një djalë të cilit ia vuri emrin Pal. Në vitin 1920 ai shërbente në ushtrinë shqiptare. Pikërisht në këtë vit kufiri shqiptar u sulmua nga forcat e bashkuara serbo-malazeze. Shqipëria ishte ende një shtet i dobët dhe fqinjët e veriut menduan se ishte koha më e mirë për të realizuar një ëndërr të kahershme për pushtimin e trojeve shqiptare. Në këtë luftë kombëtare që zgjati 203 ditë, filloi më 27 korrik 1920 e vazhdoi deri më 14 shkurt 1921(megjithëse ishin bërë luftime sporadike dhe më parë) morën pjesë luftëtarë nga të gjitha trevat shqiptare.

Sipas studiuesit Ndue Baca në radhët e luftëtarëve ishin përfshirë edhe 120 trupa nga Rapsha e Hotit si dhe 102 nga Traboini. U zhvilluan beteja në Vrakë, Gruemirë, Grizhë, tek Prroi i Thatë, tek Kodrat e Koplikut, Buzë Ujit, madje luftime u zhvilluan deri në Qytezë të Hotit e deri në Bardhaj e Traboin që ishin lënë jashtë kufijve të vitit 1913. Një prej betejave më të ashpra ishte ajo të Sukat e Moksetit ku agresorët serbo-malazes përdorën edhe artilerinë e ku sipas studiuesit Bacaj, “Beteja në Suka të Moksetit përsëriti heroizmin e vitit 1911”. Në këtë betejë më 25 gusht 1920 mbeti i vrarë nga një e shtënë topi oficeri Luc Nishi, i biri i Nik Gjelosh Lulit, në moshën 27 vjeçare – at e bir në altarin e lirisë së kombit shqiptar./P.F.J

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close