Advertisements

Kryeministri Kurti dyshon se Thaçi ka shkelur Kushtetutën, inicion procedurë shkarkimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrese zyrtare e ka informuar kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me implikimet kushtetuese të shkëmbimit të letrave të datës 19 prill 2013, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm dhe presidentit aktual, Hashim Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, z. Anders Fogh Rasmussen.

Mes tjerash, Kurti ngre edhe çështjen e shkarkimit të presidentit Hashim Thaçi, nëse konstatohet se ai ka bërë shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

“Përmes kësaj marrëveshje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar”, thuhet në letrën e Kurtit.

Kryeministri Kurti, në shkresën dërguar Osmanit, shkruan se i ka kërkuar stafit të Zyrës së tij që të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete, si dhe implikimet e saj kushtetuese, përkatësisht në lidhje me kërkesat kushtetuese të përcaktuara me nenin 20 [Bartja e sovranitetit], nenin 18 [Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare] dhe nenin 91 [Shkarkimi i presidentit].

“Qëllimi i kësaj shkrese është që t’ju njoftoj juve, në cilësinë tuaj si kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për ekzistencën e marrëveshjes sekrete, si dhe për rezultatet e analizës së Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në letër.

“Unë, si kryeministër, nuk shpreh asnjë qëndrim për ose kundër marrëveshjes sekrete, për sa i përket përmbajtjes së saj”, shkruan Kurti.

Ai thotë se e kupton dhe vlerëson “thellësisht rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s për sigurimin e plotë të integritetit territorial të Republikës dhe të qytetarëve të saj”.

“Dhe unë, si kryeministër, i garantoj Kuvendit, si dhe të gjithë qytetarëve të Republikës se nuk do të ndërmarr asnjë hap që do të rrezikonte këtë aleancë të domosdoshme për sigurinë e vendit tonë”, thuhet në shkresën e kryeministrit Kurti.

Kjo shkresë i është dërguar presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe kryeprokurorit të shtetit të Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezi.

Gjatë një konference të jashtëzakonshme për media, Albin Kurti tha se më 19 prill, 2013, institucionet e Kosovës kanë qenë të informuara vetëm për një marrëveshje, atë me Serbinë, por jo edhe për letër-këmbimin mes Thaçit dhe NATO-s.

Ai tha se me këtë rast duhet të dihet se kush e ka kërkuar që Forca e Sigurisë së Kosovës të mos shkojë në veri të Kosovës.

“Brukseli nuk e besoj se e ka kërkuar, mund ta ketë kërkuar Serbia”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi që organet e drejtësisë të merren me këtë rast dhe të hetojnë nëse Thaçi ka bërë shkelje të Kushtetutës. Një shkelje, që sipas tij, hetohet në letër-këmbimin mes Thaçit dhe NATO-s, ishte formulimi “Kosovë veriore” dhe jo veriu i Kosovës. Kryeministri tha se këtë letër-këmbim e ka siguruar nga “një zyrtar i NATO-s”.

Më 2013, theksoi Kurti, deputetët e Kuvendit të Kosovës, përfshi edhe vetë Kurtin që ishte deputet opozitar atë kohë, nuk është ditur se ekzistonin dy marrëveshje. Kjo gjendje, sipas tij, nënkupton që tash i mbetet kuvendit që të ndërmarrë hapa tjerë të nevojshëm. Ndërkaq si kryeministër, Kurti tha se nuk e ka ndërmend që të cenojë kompetencat e NATO-s, përkatësisht të KFOR-it në Kosovë.

Ai tha se do t’i bëjë publike të gjitha marrëveshjet, siç tha ai të fshehta, të cilat janë nënshkruar nga qeveritë e kaluara dhe për të cilat opinioni në Kosovë nuk është i informuar.

Aktualisht, nuk ka ndonjë reagim nga Zyra e Presidentit, Hashim Thaçi, i cili aktualisht po qëndron në një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Procedura e shkarkimit të presidentit

Neni 91 i Kushtetutës së Kosovës, e parasheh edhe çështjen e shkarkimit të presidentit.

“Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”, thuhet në Kushtetutë.

Procedura për shkarkimin e presidentit të Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës, mund të iniciohet nga një e treta e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim.

Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë ditësh nga marrja e peticionit.

Procedurat e shkarkimit ndërlidhen me implikimet e tij të jashtëligjshme si dhe “nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”, kuvendi mund të shkarkojë presidentin me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të tij./rel/

Loading...
Loading...
Loading...
Advertisements

Comments are closed.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close