Dita e Verës në Tetovë dhe Gostivar me rrethinë

Shkruan :Edibe Selimi-Osmani- Tetovë

Këngë për Ditë Vere
Trandafilin në ferrë(2 herë)
Çe na erdh lumja Verë,oooih!
Vera erdh e shkaj,
Mulleza nuk pushoj,
Vera jerdh e shkaj,
Shyshja nuk kindoj,oooih!
Vera jerdh e shkaj,
Shyshja nuk pushoj,
Trandalin në kaç
Tre jarana pash,
Besën s’un ua dhashë,oooih!…

Mitologjia shqiptare, së cilës i duhen shtuar shtresimet e më vona të feve (krishterë-ortodokse e islame), ruan gjurmët e lashta të besimit popullor pagan.Nëpërmjet tyre populli shqiptar shfaq botëkuptimin pagan ndaj jetës. Në fshatrat e këtyre dy trevave shënuam disa rite me rëndësi të Ditës së Verës të cilat edhe popullata e vendeve me besimtarë myslimanë i ruan me xhelozi.
Në disa fshatra të Komunës së Gostivarit dhe të Tetovës, ritet e Ditës së Verës në krahasim me ritet e Shën Gjergjit janë më të zbehta dhe po vijnë duke u zhdukur.Kurse në fshatrat e Dervenit më karakteristike janë ritualet e Ditës së Verës se ato të Shën Gjergjit.
Në fshatrat Sërbinovë,Qafë,Tërnovë,Strajan dhe Padalisht (komuna e Gostivarit) ritet të Ditës së Verës i hasim edhe sot në terren. Sipas gojëdhënave që shënuam në këto fshatra në këtë ditë fshihen mjetet e punëdorës së femrave; ato kyçen në arkën e drurit me dry. Kur i pyetëm fshatarët pse veprohej kështu,na thanë “që t’mshilen (mbyllen)”gojat e hasmit,mos bëjnë shpifje në familje, t’dryhet goja e xharpnit, mos i kafshojë njerëzit e kafshët shtëpiake”. Të njejtën ditë, para se të fshihen mjetet e punëdorës, e zonja e shtëpisë,për çdo anëtarë të familjes,përgadit silmikeshë(pej i leshtë dyngjyrësh, bardh e kuq,i dredhur).Në të varet një pjesë e vogël e kungullit të egër dhe një thelb hudhre(larca,verore).
Po ,në fshatrat e lartëpërmendura, amvisat herët në të gdhirë sjellin ujë taze nga kroi i fshatit në shtëpi.Ata stërpikin oborrin dhe shtëpinë.
Besimi pagan në ujët e shenjëtuar të natyrës:lumit,të përroit,të kroit, të burimit edhe te popullsia e Maqedonisë, nuk është vetëm një kujtim nga historia e të parëve,por është edhe një besim i gjallë e aktiv,besim alternativ e bashkëshoqërues i të gjitha feve që kanë njohur shqiptarët.
Ditën e Verës, herët në mëngjes gatuajnë silpejten (lloj flije) që e hanë së bashku në sofër anëtarët e familjes. Sofra vendoset në oborr,në vendin ku bëhet edhe shirja e të lashtave,pastrimi i groshës e i drithrave. Nën sofërn rradhiten në form kryqi duajt e kashtës së thekrës,me të cilën i zoti i shtëpisë,pasi hahet silpejtja ( flija),lidhet çdo pemë që i jep fryte. I zoti i shtëpisë,përveç duajve të thekrës,merr edhe sopatën, i afrohet pemës , e prek me sopatë dhe gjatë kohës që e lidh tri herë, veprimin e përcjell me fjalët:” A de bojsh me kal, a me thes, a të t’pres?”.Gjatë shqiptimit të fjalëve lidhen tre nyje me kashtë.Është e kuptueshme se ushqimi te lëmi,në origjinë,është një flijim për tokën e bukës, për të bërë që ajo të ketë forcë për të prodhuar vitin e ardhshëm.
Zakoni i mbajtjes së kashtës nën sofër, duke e krahasura me një fenomen të tillë në popujt të Evropës e të Ballkanit në veçanti, ka të bëjë me një lloj lëmi ritual. Kuptohet që bëhej me qëllim që demoni i drithit , që përfaqësohej në këtë kashtë t’u jepte forcë e mbarësi bereqeteve e në përgjithësi prodhimeve në këtë familje.
Në fshatin Orçush,Reçan,Raven,Vërtok (komua e Gostivarit) bëhen të njejtat rite . Në këto fshatra,herët në mëngjes,e zonja e shtëpisë merr sopatën,në dorën tjetër këmbanën,prek pemën me sopat dhe thotë:” A ta pres, a më e pres?” vetë përgjigjet duke i ra këmbanës “Mës e pre, se dë boje me kal e me thes”.
Në vigjilje të kësaj dite, vajzat shetisin në natyrë,sjellin lule dhe gjelbërime. Për darkën e natës së Ditës së Verës,hahet flija.Kur ,mbarojnë me ushqimin e zonja e shtëpisë i bie sofrës me pallë druri tri herë dhe thotë: Më n’aj shkunde era pemët, (Të mos na i shkundë era pemët.)
Çdo familje zien kokrra misri me hi,duke menduar që gjatë vitit anëtarët e saj do të mbrohen nga sëmundje të ndryshme. Është e pamundësi t’i përfshijmë të gjitha ceremonitë rituale , do t’i veçojmë disa nga ato. Gjatë kësaj të kremteje në fshatrat Debresht,Vrapçisht , Toplicë dhe Negotinë, nuk punohet punë dore.
Në fshatrat e Dervenit të Tetovës ,amvisat na thanë se Ditën e Verës është keq që tundësi të rijë zbrazur.Duhet tundur dhe dhalla e mandej shpërndahet te të afërmit dhe faqnjët. Tundësja kujdeset për fëmijët që kullosin bagëtinë ajo ju jep nga një lugë kos “që të mos i munde qyqja”….

Citat nga vepra Rite e Besime popullore në viset e Tetovës dhe të Gostivarit, Edibe Selimi-Osmani, Botoi në Shkup 1997, faq.36-54.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close