SHQIPTARËT, LIRIA DHE SHTETI

Nga Abdulla Mehmeti

Për magjinë e shpërlarjes së trurit

Shumica e shqiptarëve, këto tridhjetë vitet e fundit, kanë qenë aq të indoktrinuar e tru shpërlarë, sa në vend se t’i rrëzojnë pushtetet diktatoriale, kuislingët, mercenarët dhe tradhtarët, kanë ngritur armët me njëri-tjetrin dhe rrënuar shtetin!
Nën asnjë perandori gjatë historisë, nga rënia e mbretërive të veta Ilire-dardane, as nën Perandorinë Osmane, shqiptarët nuk kanë humbur territore dhe njerëz sa kanë humbur në njëqind vitet e fundit.

Gjatë gjithë historisë, shqiptarët kanë pasur miq dhe aleatë, por asnjëherë nuk janë përkulur para pushtuesve dhe sunduesve të huaj, si gjatë shekullit të fundit.

Edhe nën sundime të huaja, shqiptarët kanë ditur t’i nxjerrin përfitime edhe për interesa kombëtare, sa kanë ditur dhe sa u kanë mundësuar rrethanat.

As nën regjimin fashist, shqiptarët nuk kanë humbur kaq shumë sa gjatë periudhës tridhjetëvjeçare të transformimit të rrejshëm demokratik.

As nën regjimin e diktaturës komuniste dhe nën sundimin e huaj ish-jugosllav, shqiptarët nuk kanë humbur kaq shumë, nuk janë katandisur kështu rëndë, nuk janë përçarë kështu për vdekje, sa janë dobësuar, ligështuar, egërsuar, varfëruar dhe zvogëluar, siç janë tkurrur me territore dhe janë shpërngulur në botën e jashtme, sa janë shpërngulur sot.

Shqiptarët asnjëherë gjatë historisë nuk kanë rënë moralisht kaq shumë, nuk janë përçarë në baza krahinore e religjioze, në baza ideologjike dhe klane interesash për pushtet, siç janë përçarë gjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit.

Kush duhet t’i zgjojë dhe shpëtojë shqiptarët nga kjo propagandë, që ua ka shpërlarë trurin deri në përmasa çnjerëzore, kur gati shumica e ndjejnë veten më shumë anëtarë partie, apo pjesëtarë të një besimi fetar, se sa shqiptar?

Si ta braktisin shqiptarët këtë rrugë qorre, si të shërohen nga kjo mortajë? Me ndihmën e krerëve të partive politike, ndjekës fanatikë të ideologjive të huaja; me ndihmën e krerëve fetarë, që gjithçka predikojnë në emër të fesë e humanizmit, por asgjë të dobishme nuk bëjnë për mbrojtjen e moralit, dinjitetit dhe qenies kombëtare shqiptare?!

Shqiptarëve sot, propaganda ua ka shpërlarë trurin, duke i njësuar me të kaluarën e pushtuesve dhe sunduesve të huaj, i ka shndërruar ashtu siç nuk kanë qenë as në ato kohë, në mbetje otomane, përkrahës të fashizmit dhe llum i ideologjisë komuniste jugosllave!

Shqiptarët kurrë nuk kanë shitur territore, interesa dhe pasuri të shtetit, sa dhe si kanë shitur këto tridhjetë vitet e fundit.
Si ka mundësi që një popull i tërë të katandiset në këtë mënyrë, të hiqet për hunde nga një grup bandash mafioze dhe mercenarë që shesin gjithçka për pushtet dhe mirëqenien e tyre personale dhe familjare?!

Si ka mundësi që shqiptarët të punojnë kaq mbrapshtë, të ndarë edhe në Mërgatë, në shoqata e fondacione, në grupe e interesa klanore, partiake e ideologjike, siç nuk kanë qenë as para një shekulli, pa pasur liri dhe shtet në trojet e veta etnike?

Kur do ta mësojnë shqiptarët se, fajtorë janë sa sunduesit edhe ata që ia ulin kurrizin atyre; fajtorë janë sa mashtruesit aktualë edhe të mashtruarit që u besojnë qorras; sa këta që janë në pushtet dhe qeverisin keq me shtetin dhe sundojnë egërsisht popullin e tyre, sa edhe vetë qytetarët shqiptarë që i përkrahin dhe i votojnë këta kriminelë!

Kur do të mësohen shqiptarët që, ajo që thuhet një herë publikisht dhe me dëshmi e fakte për bëmat dhe karakteret e ndyta të shumë politikanëve dhe drejtuesve të sotëm të pushtetit, e dëmton interesin e tyre, të kombit dhe shtetit. Pse duhet të tolerohen këta gjakpirës ta sundojnë edhe më tej këtë Atdhe të bukur që na e ka falë Zoti dhe na e kanë lënë amanet të parët tanë?!

Turp, njëmijë herë turp e ndot! Asnjë pushtues dhe sundues i huaj nuk do t’u kishte sjellë kaq shumë fatkeqësi popullit shqiptar dhe kaq dëme shteteve tona, sa këta kriminelë që aktualisht janë në pushtet, të pozitës dhe opozitës!

Kurrë fati i një populli nuk ndryshohet për të mirë, përderisa ai nuk përpiqet ta ndryshojë atë!

Kurrë nuk ndërtohet diçka e re pa e rrënuar të vjetrën, por jo duke e rrënuar shtetit dhe dëmtuar interesin kombëtar, siç kanë vepruar disa forca politike reaksionare gjatë tridhjetë viteve të fundit, por duke i rrëzuar pushtetet jodemokratike dhe diktatoriale, kuislingët dhe mercenarët!

(17.V.2020)

Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close