Çamëria, djepi i burrave të mëdhenj

Çamëria ka qenë dhe mbetet një vatër trimërie, por dhe një vatër diturie. Çamëria ose Thesprotia shtrihet nga lumi Pavël (i vjetër) deri në Prevezë, nga deti Jon në perëndim deri në malet e Pindit në lindje. Si pjesë etnike e Kombit Shqiptar, që është nga popujt më të vjetër të Evropës, edhe kjo krahinë ka historinë, legjendat, perënditë dhe figurat e shquara të saj e bëjnë këtë krahinë nga më vitalet e kombit. Ajo dallohet për Perënditë e Lashta, duke filluar që nga Perëndia e Dodonës që ka folur për herë të parë shqip në Çamëri.
Për këtë dhe Poeti i Madh Kombëtar Naim Frashëri në Poezinë “Dallëndyshe” ndër të tjera thotë:
Eni vjen prej Çamërie
Me ato milra fjalë
Me atë gluhë perëndie

Po t’i referohemi figurave kryesore çame do të fillonim që nga Olimbia (nëna e Aleksandrit të Madh) e që do të vazhdonim me Pirron e Epirit (që është nipi i Olimbisë), po ashtu me Teutën e Ilirisë, që është vajzë çame nga dera e Pirros, si dhe me Kleopatrën e Egjiptit, që është nga Ptolemejtë e Epirit, etj.
Dinastia Çame e Ptolemejve ka dhënë një kontribut të madh për tre shekuj me radhë edhe në lulëzimin e Egjiptit, gjatë së cilës u krijua qyteti i Aleksandrisë me bibliotekën dhe Akademinë e famshme të saj që flasin me kaq superlativa edhe dy eruditët tanë, Sami Frashëri e Faik Konica.
Çamëria i dha Krishtërimit që në fillimet e tij, Papën Shën Elueteri (Lefteri-Greqisht, Liria) në shekullin e dytë, i cili e çoi Krishterimin deri në Angli. Po ashtu në shekullin e IV i dha Shën Donatin, një tjetër shenjtor të madh të Kristianizmit.

Çamëria është ajo që i dha Bizantit dhe Patriakanës së Stambollit shumë personalitete gjatë shekujve e mijëvjeçarëve, ku do të veçonin Patrikun Atenagora, i cili bashkëpunoi shumë me Papa Gjon Palin IV për të afruar sa më shumë Kishën Ortodokse me atë Katolike duke manifestuar shqiptarizmin e tij si bir i Epirit dhe asaj të Çamërisë. Bir i Artës së Çamërisë është edhe Mihal Artipto, i cili prej 450 vjetësh qëndron një nga viganët më të mëdhenj të Rilindjes Europiane, që njihet dhe si vigan i mendimit humanist botëror (reliket e të cilit ruhen edhe sot në Qendrën e Kishës Ortodokse Ruse). Po i tillë ishte edhe Evgjen Bullgari, ortodoksi që themeloi Akademinë e Shkencave Ruse. Emri i Prof. Hoxha Hasan Tahsim Filatit njihet fare pak përballë veprës, potencialit intelektual të këtij burri të madh e të këtij Kryerilindasi Europian, themelues dhe rektor i Universitetit të Stambollit, që do të krenohej çdo shtet po ta kishte të vetin.Bashkëkohës i Hasan Tahsinit ishte dhe Dora D’istra, me rrënjë e lindur në Pargë, që la gjurmë të mëdha shkencore e historike në mbarë Ballkanin dhe Europën. Ndërsa kjo grua famoze ishte e pranishme në tërë akademitë perëndimore, xhaxhai i saj, Jon Gjika, do të themelonte Akademinë Rumune gjatë Rilindjes Kombëtare.
Nuk mund ta lemë pa përmendur kontributin e çamëve në krijimin gjimnazit të famshëm “Zosimea”, ku studiuan Jani Vreto, Ismail Qemali, Vëllezërit Frashëri etj, si dhe shkolla e mesme e lartë “Kapllani” me pronar nga Paramithia.

Po ashtu po përmendim dinastinë e familjes Dino duke filluar që nga Abedin Ahmet Dino, ish Ministër i Jashtëm i Perandorisë Osmane, që dha kontributin e tij edhe në themelimin e Lidhjes së Prizrenit, e duke vazhduar dinastia me të birin e tij, Rasih Dino, që shkriu pasurinë për të mbrojtur Çamërinë dhe deri tek nipi i tij, piktori Ali Dino, një nga piktorët dhe karikaturistët më të mëdhenj të kohës. Nga krahina e Çamërisë janë të shumtë ata që bënin pjesë në aparatin e Perandorisë Osmane duke arritur deri në postin e Kryeministrit, siç ishte rasti i Ibrahim Pargaliut nga Parga që në shekullin e 16-të u bë Kryeministër i Perandorisë, pikërisht në kohën e Sulltan Sulejmanit, ligjvënësit dhe sunduesit të superfuqisë botërore, të shtrirë në 15 milionë kilometra katrorë në tre kontinente të botës.Por dhe në Panteonin Grek shumë prej figurave më të shquara të historisë Helene janë të gjakut shqiptar nga Çamëria. Midis dhjetëra figurave të ndryshme, po përmendim Marko Boçarin e Sulit, Laskarina Bubulina dhe Kostandin Kanarin e Pargës, ku bëmat e tyre janë shkruar me germa të arta si për historinë greke ashtu dhe për atë Shqiptare. Këta dy kryelegjenda sot quhen “Trimat e Shqipërisë që i dhanë lirinë Greqisë”. Por, dhe mitologjia greke me famë botërore ka në themel të saj dhe është e pandarë nga mitologjia çame.Aftësia, zgjuarsia, gjenialiteti i shqiptarëve të Çamërisë fillon që nga Jazoni i legjendës së Argonautëve, që njihet si eksploratori i parë i Amerikës (ose njeriu me një sandale) dhe vazhdojnë me Jakup Çaparin që ngriti 3.000 luftëtarë në mbështetje të Abdyl Frashërit, apo Muharrem Rushiti që solli përfaqësuesit e Çamërisë në mbështetje të Ismail Qemalit për Shpalljen e Pavarësisë.Pa lënë pa përmendur kontributet e shumë e shumë figurave të tjera duke vazhduar me Kapedanin e Madh të Kryengritjes së vitit 1921, Noti Boçari, i cili më vonë u bë dhe Ministri i Parë i Mbrojtjes i shteti Grek, si dhe shumë figura të tjera si Mehmet Konica apo Refo Çapari që ka bërë himnin e Federatës “Vatra” në Amerikë. Në veçanti do të përmendim kontributin e eruditit e korifeut të madh të letrave Faik Konica, si dhe shkrimtarit të shquar Mitrush Kuteli që ishte me origjinë nga Kutalisa e Larisës.
Çamëria ka një diasporë që shtrihet në tërë kontinentet e globit dhe ka dhënë një ndihmesë të rrallë në të gjitha fushat e jetës, aq sa po ta krahasonim në proporcion me popullin e saj, ajo zë një ndër vendet e para në botë. Çamët ishin të fundit, që pjesërisht pranuan islamizmin e njerëzve në trojet shqiptare dhe këtë ata e bënë për të mbrojtur Identitetin Kombëtar e për të shpëtuar nga asimilimi i politikës së tmerrshme represive të helenizmit.

Konflikti mes Çamërisë e grekëve nuk ka qenë kurrë një konflikt fetar, siç është përpjekur për ta paraqitur propaganda Helene, por një konflikt ekonomik, për t’u marrë tokën e pasurinë landilordëve të Çamërisë. Çamët historikisht kanë qenë në fqinjësi të përhershme me grekët për dekada e shekuj të tërë. Çamëria, që në kohën e Mesjetës, nëpërmjet portit të Sajadhës, kishte ngritur kantjere të mëdha, ku prodhonte anije jo vetëm për veten e tyre dhe tërë Greqinë, por dhe për Norvegjinë e shtetet e tjera. Disponimi i shumë dokumenteve tregojnë se detarët e Çamërisë, që në kohët e Mesjetës, kanë shkuar me tartanët e tyre (anije me vela) deri në Ngushticën e Malajës, në Indonezi, në Java e Sumatra dhe deri matanë Oqeanit Atlantik.
Trojet e Çamërisë kanë qenë jo vetëm një hambar drithi, por nëpërmjet limaneve të Prevezës, të Artës, të Volos, të Sallahorës, të Pargës e të Gumenicës, qëndronte në shekuj, sikurse dhe sot, një hambar i ullinjve dhe i agrumeve, një qendër e rrallë e portokalleve, mandarinave, limonëve, qitrove dhe nerënxave me namë nga ku furnizonte Italinë, Austrinë, Francën, Gjermaninë, Kroacinë, Spanjën dhe shumë vende të tjera të Europës. Siç dihet dinakëria greke, që njihet si një nga më proverbialet në tërë rruzullin tokësor, nuk i ndahej kurrë me kurthet dhe prapaskenat e saj.Të ndodhur në këto rrethana kjo fisnikëri çame, kjo elitë çame, zotërit e tokës – lindlordët e Çamërisë, nuk u thyen kurrë, por i rezistuan, mbijetuan dhe triumfuan në shekuj ndaj kësaj dinakërie duke i mundur ata me vetë mençurinë e inteligjencën e tyre. Po xhelozia mesjetare dhe nacionalizmi ekstrem i Greqisë mbasi e ndjenin veten të mundur dhe shumë inferiorë përpara vitalitetit të Çamërisë u sulën me dhunën më barbare ndaj popullit të Çamërisë të myslimanizuar, kundër elitës dhe trurit të kësaj krahine kaq fisnike si dhe kundër fiseve më patriotike të saj. Ky sulm i egër antishqiptar ndaj Krahinës së Çamërisë është zhvilluar gjatë 100 vjetëve në tre etapa – nga më të egrat. Në etapën e parë (1870-1881) Çamëria shpëtoi nga mbrojtja e ideologut, diplomatit e patriotit më të madh, Abdyl Frashërit që u shkri e u përgjërua për mbrojtjen e Çamërisë, ashtu sikurse dhe Çamëria përgjërohej për të. Pas viteve 1912, në mbrojtje të Çamërisë u bë barrikadë e pakapërcyeshme djali i Abdyl Beut, Mit’hat Frashëri, që bëri të pamundurën për të mos lejuar shpërnguljen me dhunë të Çamëve në Turqi, të cilët kërkonin të shfrytëzonin Marrëveshjen e Lozanës Turqi – Greqi për t’i dëbuar çamët myslimanë forcërisht nga trojet e tyre.
Dhe kjo luftë e pandërprerë, që vazhdoi për rreth 33 vjet radhazi, ka kryer masakra nga më çnjerëzoret duke filluar që nga vrasjet makabre të 72 krerëve çamë, që u masakruan në përroin e Selanit të Paramithisë dhe që vazhduan me shpërnguljet e dhunshme apo internimet masive në ishujt e Egjeut. Kur panë shovinistët grekë se edhe pas këtyre akteve barbare, kjo fisnikëri Çame si ai zogu feniks iu mbijetoi të gjithave, gjetën një suljot nga fisi i Zervajve, që u bë vegla më bastarde e këtij shovinizmi që do të kryente genocidin më të pashembullt në fund të Luftës së Dytë Botërore. Dëbimin me dhunë drejt Shqipërisë, Napolon Zerva e nisi nga Suli, nga njerëzit e vet në radhë të parë – nga fisi e gjaku i tij që ishin myslimanizuar. Por edhe pas këtij barbarizmi nga më gjakatarët fisnikëria çame nuk ka vdekje kurrë. Fëmijët e këtij populli nga më të rrallët në botë që i shpëtuan genocidit dhe barbarizmave më gjakatare të shovinizmit grek, pasardhësit e kësaj race kaq superiore, janë ripërtërirë si feniksi, si filizat e një trungu të prerë që lëshon lastarë më shumë.
Çamët janë gjallë dhe gjithë vitalitet. Ky popull fisnik trim dhe liridashës edhe pse është përndjekur, persekutuar e gjakosur në mënyrën më ç’njerëzore, në dejet e tij vlon gjaku i pastër shqiptar, në genin e tij vlon gjaku iliro-arbëror. Me gjithë vrasjet, shpërnguljet e gjithanshme populli çam përbëhet nga një numër prej 300. 000 banorë brenda kufirit shtetëror grek dhe 250. 000 banorë janë në Shqipëri. Çamëria me këtë popull nga më aktivët në Botë, që i dha Shqipërisë, Greqisë, Ballkanit, Perandorisë Osmane, Bizantine e Romake, që i dha Europës, Krishtërimit e Myslimanizmit kaq shumë strategë e ushtarakë, partiakë, papë e sheh islamë, kaq shumë burra shteti, dijetarë, shkrimtarë, historianë e humanistë nga më të shquarit e Botës. Kjo fisnikëri e rrallë e Kombit Shqiptar dhe e mbarë njerëzimit sot vazhdon të jetë e dëbuar nga trojet e veta. Kush është ajo e Drejtë Njerëzore, Juridike apo Ndërkombëtare që t’iu privojë të drejtën e kthimit në tokat e gjyshërve dhe stërgjyshërve, t’i privojë për të vënë dhe një kurorë lulesh mbi varret e tyre. Kush i shfrytëzon pronat e Çamëve? Kush i vjelë ullinjtë dhe agrumet e Çamërisë? Sa do të vazhdojë ky qëndrim shovinist, grabitqar e ksenofobist i qeverisë greke? Ku e kush janë të drejtat njerëzore në këtë botë të mallkuar?
Te ky popull nga më të sakrifikuarit në botë, me kaq drama e tragjedi, me kaq persekutime nga njëra anë, por dhe me kaq figura të mëdha historike shkencore e talente të shquara, buron dhe trashëgohet në breza dhe një pasuri nga më të rrallat shpirtërore e kulturore. Ajo ka këngët, vallet, ritet, zejet, zakonet, që për fat të keq apo të mirë, ato janë nga më të pashfrytëzuarat, prandaj dhe kërkojnë një vëmendje e interesim të veçantë.

Kjo pasuri folklorike është e trashëguar që nga koha e Ilirëve, ku ka këngë për Pirron e Epirit e që vazhdojnë për të gjitha momentet historike dhe figurat më të shquara duke i përjetuar ata nga këngë që nga Marko Boçari e deri tek heronjtë e Luftës së Dytë Botërore.
Si shembull po citojmë një prej tyre, se si i këndohet Marko Boçarit nga Arvanitasit:
Ngrehu Marko Trimëria,
Ngrehu, të thërret Greqia,
Të vijë Marko Shqipëria!
Po vazhdojmë po me këtë figurë nga këngët e vjetra çame:
Moj kalaja në Janinë
Mos qaj për Vezir Alinë
Se doli Marko Boçari
Trimi që s’e qaste varri
Për pallën që drithma mori
Rumelia vetë Stambolli.
Ose nga këngët në Labëri:
Labëria kur dëgjoi
Se u vra Marko fajkoi
Sheshi u mbush me dafina
Kur mbi sup mbahej me trima
Mbanin Sulin mbanin malin
Kapedan Marko Boçarin.
etj. etj.
Dhe vazhdon seria e tyre deri te këngët e ditëve tona, ku midis të tjerave një këngë thotë:
Sa të jetë Shqipëria
Nuk ka mortje Çamëria.
Ose një tjetër:
Kush i mbledh ullinjtë e Çamit
Kush ja vjel frytet vatanit.
Një nga karakteristikat më tipike të këtij folklori është dhe “Vallja e Osman Takës”, (me legjendën e njohur të saj), që është dhe vallja më e vjetër e Ballkanit. Thuhet se edhe Aleksandri i Madh, i cili në ushtrinë e tij kishte dhe shumë Ilirë nga Çamëria, ashtu sikur dhe Pirroja i Epirit, para se të niseshin në betejë, për të rritur besimin, moralin dhe entuziazmin e luftëtarëve hidhnin të gjithë një herë këtë valle që historikisht përmendet si “Vallja e Epirit” apo “Çamiko” (siç quhet edhe sot nga grekët). Theksojmë se vallja e Osman Takës nuk është krijim i njeriut që mori emrin. Përkundrazi, ajo është vallja më tipike dhe më e lashtë e Çamërisë dhe e tërë Ballkanit, por mori emrin e Osman Takës për vetë kërcimin e famshëm që i bënte ky talent i rrallë dhe në veçanti mbas kërcimit me virtuozitet të paparë që i bëri kësaj valle nën litarin e varjes nga ku arriti t’i shpëtonte dhe vdekjes. Që nga ajo kohë kjo valle mori emrin e këtij kërcimtari të famshëm me emrin Osman Taka. Ja si shkruan poeti, kur përshkruan momentin para litarit të këtij kryengritësi të shtetit Osman, i cili nëpërmjet Valiut të Janinës e dënuan me vdekje:
Për ju o vëllezër po bie theror,
Hipni që të gjithë përmbi kraharor.
Për ju bëhem urë, për ju bëhem hark,
Se nuk vjen liria pa luft’ e pa gjak.
Po ashtu valle të tjera tipike çame janë ato si “Vallja e Kasapit”, etj, që përbëjnë veçori dhe nuk i ka askurrkush tjetër. Gjithashtu, si më të vjetrat janë “Këngët Dajoçe” si dhe këngët dhe vallet lirike, ku i këndohet bukurisë së femrës, elegancës së saj, të veshura me figura e metafora ilirike të papara.
Duke e parë dhe e vlerësuar në këtë këndvështrim si dhe në kuadrin e muajit të kulturës Shqipëri-Kosovë, që zhvillohet nën drejtimin e dy kryeministrave, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar në bashkëpunim dhe me Shoqatën “Çamëria” dhe Bashkinë e Sarandës do të organizojnë më datë 15-18 Maj në Qytetin e Sarandës “Festivalin e parë të Këngës dhe Valles Çame”.
Ky festival organizohet njëkohësisht dhe në kuadrin e hapjes të sezonit veror të plazhit dhe do të japë shfaqje nga grupet e pjesëmarrëse edhe në komunat e Ksamilit, të Markatit e në Bashkinë e Konispolit.
Por, për t’i parë ato të gjalla, le t’i përvishemi punës të gjithë, që vlerat e tyre të rralla të na i shpalosin vetë artistët e Çamërisë.

/p:f.j.

Loading...
Loading...
Loading...
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close