John Ruskin,kritiku i njohur i artit gjatë epokës Viktoriane dhe historia e çuditshme e martesës së tij

John Ruskin ishte kritiku më i rëndësishëm i artit gjatë epokës Viktoriane, gjatë së cilës u shënua ndryshimi më drastik në jetën e përditshme të njeriut për shkak të revolucionit industrial.
Ruskin ishte përkrahës fanatik i ideologjisë që shfaqte industrializimin e botës si të keqen absolute dhe predikonte kthimin në natyrë.
Megjithë punën e tij të jashtëzakonshme, Ruskin u bë i njohur për pamundësinë e tij për të përfunduar martesën me gruan e tij të bukur, Effie.
Dhe arsyeja nuk ishte askush tjetër përveç tmerrit që ndieu kur pa për herë të parë vulvën e femrës në formën e saj natyrale.
Deri atëherë, kritiku i artit kishte rënë në kontakt me trupin femëror vetëm përmes statujave të lashta dhe të formuara në mënyrë perfekte të antikitetit. Kur pa një organ gjenital të vërtetë, u thye.

Pas gjashtë viteve martesë, gjatë së cilës Effie Ruskin ishte plotësisht e paprekur nga burri i saj, u njoh me një nga piktorët e mbrojtur të burrit të saj.
Emri i tij ishte John Miley dhe i përkiste Vëllazërisë së Para-Rafaelitëve, vepra e së cilës përfaqësohej nga Ruskin.
Miley ishte i ri, i pashëm dhe shumë i dashuruar me zonjën Ruskin, e cila i’u përgjigj shumë shpejt ndienjave të tij. Miley nuk kishte asnjë problem me versionin origjinal të trupit të femrës. Çifti i zbuloi lidhjen e tyre Ruskin-it dhe ai ra dakord të anulonte martesën e tij me Effie.

Divorci në shekullin XIX ishte një proces jashtëzakonisht i vështirë dhe kërkonte shumë kohë, kështu që kur një çift dëshironte të divorcohej, thjesht preferonin të anulonin martesën.
Megjithatë, për të arritur këtë, të dy duhet të pajtoheshin që martesa nuk kishte përfunduar kurrë seksualisht.
Kjo bëhej në dy mënyra. Ose gruaja ekzaminohej për të vërtetuar se himeni ishte i paprekur ose nga pranimi i burrit që kurrë nuk kishte kryer marrëdhënie seksuale me gruan e tij.
Ruskin zgjodhi opsionin e dytë për të mos i’u nënshtruar Effie ekzaminimit mjekësor të mundishëm.
Martesa përfundoi në 1854 dhe në 1855, Effie u martua me të dashurin e saj Miley, me të cilin qëndroi gjatë gjithë jetës së saj. Çifti pati gjashtë fëmijë në nëntë vitet e para të martesës.

Skandali preokupoi shoqërinë britanike, e cila krijoi versionin e vet për të shpjeguar faktet.

Thashethemet bazoheshin në letërkëmbimin e Effie me babanë e saj, në të cilën shpjegonte arsyet pse burri i saj e shmangte:

“Pretendonte arsye të ndryshme, urrejtje për fëmijët, besime fetare, dëshirë për të mbajtur të paprekur bukurinë time. Por në fund pranoi arsyen e vërtetë. Tha se i kishte imagjinuar gratë shumë ndryshe nga ajo që pa dhe arsyeja pse nuk më bëri gruan e tij ishte se ndiente neveri për trupin tim”.

Vetë Ruskin e konfirmoi këtë në një deklaratë zyrtare për avokatin e tij: “Do të duket e çuditshme fakti që qëndroj larg një gruaje që të gjithë e konsiderojnë jashtëzakonisht tërheqëse. Por, megjithëse mendoj se fytyra e saj është e bukur, trupi i saj nuk është bërë për të ngjallur pasion. Përkundrazi, në trupin e saj ekzistojnë disa elementë që e shkatërrojnë plotësisht”.

Por sipas librit të Robert Brownell, “Marriage of Inconvience”, historia e vërtetë e John Ruskin dhe gruas së tij, Effie, ka evoluar disi ndryshe.

Zhgënjimi erotik i Ruskin.

Sipas “Marriage of Inconvience”, Ruskin ishte thellësisht i dashuruar me të renë Effie Grey që nga momenti i parë që u njohën.
Por Effie, e bukur dhe simpatike, preferonte të kalonte kohën duke flirtuar me shumë të rinj dhe ishte indiferente ndaj Ruskin-it tepër serioz dhe të ndrojtur.
Hodhi poshtë propozimin e tij të parë për martesë, por u detyrua të pranonte të dytin sepse familja e saj falimentoi dhe Effie kishte nevojë për pasurinë e tij.

Më 10 Prill 1848, Ruskin u martua me të pa pajë, një dukuri e rrallë për kohën.
I ishte përkushtuar plotësisht gruas së tij të re, por shpejt kuptoi se nuk kishte të njëjtat ndienja si ai.
Tejet i ndjeshëm, refuzoi të përfundonte martesën, për sa kohë që nuk ekzistonte dashuri e ndërsjellë.
Përveç kësaj, u ndie i tradhtuar nga gruaja e tij, pasi e zgjodhi vetëm për paratë e tij.

Me kalimin e viteve, Effie shfaqi një sjellje skandaloze, duke folur me shumë oficerë të rinj, të bukur, me rezultat familja Ruskin të ishte shumë e zemëruar me të.
Ekziston madje një teori që Ruskin e solli vetë në kontakt me Miley, me shpresën se do ta tradhëtonte dhe do të gjente një justifikim për ta divorcuar.
Kështu që kur Effie kërkoi që martesa e tyre të ndërpritej, Ruskin u pajtua me dëshirë.

Arsyet e vërteta të shpërbërjes së martesës nuk do të zbulohen kurrë, por trekëndëshi i dashurisë i shekullit XIX frymëzoi shumë libra dhe shfaqje teatrale dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite.

/Kalendari Enciklopedik Shqiptar/
Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close