Edi Rama për “Shengenin Ballkanik”

ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Prishtina se “Shengeni Ballkanik është interes strategjik i Shqipërisë dhe i Kosovës”.

“Për sa i përket ‘vëllait tim’ Vuqiqit, etiketa e njërës prej fabrikave politike këtu që e shpërndan në rrjetet sociale, ju them se unë mbetem ai që kam qenë dhe jam ai që jam. Mendoj se kush nuk ndryshon mendim nuk është domosdoshmërisht një njeri i mençur. Por për sa më takon, Shengeni Ballkanik është interes strategjik i Shqipërisë dhe Kosovës. Erdhi dhe vera, do të vini në Shqipëri, detin trojet tona e kanë atje, nuk e kanë këtu. Sikur të mos kishim humbur kohë me lloj-lloj dokrrash e përrallash e konspiracionesh, kufiri aty do ishte sikur vjen nga Prishtina këtu në aeroport. Asnjë kontroll, as këtej, as andej për njerëzit”, tha Rama.

Ai tha se “kjo është mundësuar falë diskutimeve e negociatave në përgatitjen e procesit me presidentin e Serbisë dhe në këtë proces nuk duhet të harrojmë asnjëherë se jemi në paqe”.

“Dhe në paqe duhet t’i kemi korsitë e ndara edhe për pjesën e trajtimit të krimeve të luftës, edhe për pjesën e trajtimit të aspekteve të tjera që kanë të bëjnë me njohjen edhe për aspektet ekonomike dhe sociale. Fqinjin nuk e zgjedh, presidentin e Serbisë nuk e zgjedhim ne. Ajo që ne zgjedhim është interesi ynë strategjik dhe sinqeriteti në qëllim dhe në mjete me njeri-tjetrin për të realizuar interesin tonë strategjik”, tha Rama.

Ai theksoi se “Shengeni Ballkanik është interesi strategjik e shqiptarëve”. “Ministria e Brendshme e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë përgatitur të gjithë platformën e perimetrit të sigurisë. Që do të thotë, se me Shengenin Ballkanik të gjitha vendet, por Shqipëria dhe Kosova në këtë rast, kanë hyrje dhe dalje të përbashkëta. Kush hyn në aeroportin “Adem Jashari” është i lirë të lëvizë deri në Sarandë pa u kontrolluar më për pasaportë për shkak të lëvizjes. Kush hyn nga Kakavija vjen deri në Brezovicë pa u kontrolluar fare. Ama regjistrimi i hyrjes në databazën e përgjithshme bëhet në një pikë”, tha Rama.

“Kemi ne luksin të diskutojmë idiotësirat e pazareve me Vuqiqin dhe të aneksimeve, të  mohimeve të këtyre, ndërkohë që koha kalon dhe ndërkohë që nevoja jonë për njehsim dhe zhvillim është kaq e madhe në rajon patjetër dhe këtu. Kemi ne kohë të humbasim me filozofirat e politikës së ngushtë elektorale siç ishte ajo e mbajtjes pa fund të taksës 100%, që nuk u shfrytëzua as për atë që mund të shfrytëzohej. Apo këto historitë e tjera të  bëjmë Shengen me Bullgarinë dhe Moldavinë? Nuk kemi kohë për këto, por sigurisht unë e thashë ne kemi dy shtete, dy shtëpi dhe në këtë shtëpi ka të tjerë që vendosin jo unë. Kujt më thotë ‘vllau i Vuqiqit’, i them ‘amanet mushkat’”, tha Rama.

Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close