Të mos personalizohet historia e Kosovës!

Zbardhja e së shkuarës në Kosovë është pa alternativë për demokratizimin dhe të ardhmen e shtetit të ri, edhe në aspektin juridik, mendon Vilma Filaj-Ballvora.

Në dukje i prerë në fytyrë, por megjithatë me ton të qetë dhe mjaft të kontrolluar, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi iu drejtua përmes një videomesazhi popullit: Unë do të tërhiqem menjëherë, nëse konfirmohen akuzat ndaj meje, tha ai. Me këtë ai theu heshtjen e pakuptimtë prej disa ditësh, që pas bërjes publik të lajmit për akuzën e Prokurorisë Speciale për krime lufte ndaj tij. Ky lajm e gjeti Thaçin rrugës drejt Uashingtonit, ku ishte planifikuar një samit me Serbinë me ndërmjetësimin e SHBA-së. Takimi, që mund t’i jepte impuls të ri dialogut të ngrirë mes Beogradit dhe Prishtinës, u shty.

Deri në tetor është afati i konfirmimit ose rrëzimit gjyqësor të akuzës. Deri atëherë Thaçi do të qëndrojë në post. Është e vështirë ta përfytyrosh që ai do të mundet të vazhdojë ta përfaqësojë Kosovën me besueshmëri në dialogun me Serbinë, pasi pozicioni i tij në tryezën ndërkombëtare të bisedimeve është dobësuar masivisht në sfondin e një padie, që ende nuk është konfirmuar.

Në fjalën e tij Thaçi u përbetua për pafajësinë, vlerësoi meritat e UÇK-së në luftën për liri dhe kundër represionit të regjimit të Slodoban Milosheviçit si dhe lëvdoi arritjet e deritanishme në Kosovë. Sipas tij është hapur një kapitull i ri i vështirë dhe Kosova duhet të përballet me të shkuarën. Edhe ai vetë, tha, do të përballet me këtë proces.

Njëkohësisht Thaçi e akuzoi bashkësinë ndërkombëtare për njëanshmëri, për trajtimin jo proporcional të Kosovës lidhur me zbardhjen e së kaluarës nga lufta. Presidenti nuk la pa komentuar as veprimet juridike, duke e quajtur „skandal” kohën dhe mënyrën se si u bë publik lajmi për aktakuzën nga Prokuroria Speciale.

Por pikërisht hapave juridikë nuk do të duhej t’u referohej Presidenti. Sepse drejtësia nuk duhet paragjykuar. Po ashtu vlen prezumimi i pafajësisë së të pandehurit për aq kohë sa ai nuk është gjykuar. Ndaj tani është e papërshtatshme të flitet për faj apo pafajësi. Po ashtu sikurse është e papërshtatshme që t’u referohesh spekulimeve dhe teorive të komplotit lidhur me kohën e publikimit të aktakuzës paraprake. Këto nuk i shërbejnë askujt. Fakt është që gjatë njëzet viteve pas luftës në Kosovë është arritur shumë për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Vetë fakti që tani mund të ngrihet një akuzë edhe ndaj presidentit tregon që sistemi funksionon.

Është si ironi e fatit që më 2015 ishte pikërisht Hashim Thaçi kryeministër, i cili u angazhua fuqishëm për ta çuar përpara krijimin e Gjykatës Speciale. Themelimi i kësaj gjykate për zbardhjen e krimeve të luftës të kryera nga shqiptarët në vitet 1998-1999 ishte një ndër ligjet më të debatuara në Kosovë. Me krijimin e saj Kosova tregoi forcë dhe bëri një hap të pashembullt në rajon.

Këto procese duhet të shihen edhe si një shans për një fillim të ri: Kosovës i duhen tani raporte të qarta, në mënyrë që energjitë të përqendrohen në nismat për zgjidhjen e problemeve. Historia e Kosovës në asnjë mënyrë nuk duhet personalizuar. Është e padiskutueshme që shumë nga politikanët që drejtojnë sot vendin kanë kontribuuar fuqishëm për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Por në radhë të parë këto arritje janë meritë e njerëzve të Kosovës. E pikërisht ata meritojnë një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.

Ndaj ka pak rëndësi se prej kujt dhe ku do të nënshkruhet një ditë një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë. E rëndësishme është që përmes këtyre proceseve Kosova në fund të dalë më e fortë, më e konsoliduar dhe më e besueshme. Këto procese janë të paalternativë për demokratizimin e vendit.

 

 

 

  • Autor Vilma Filaj-Ballvora
  • Data 30.06.2020

 

Advertisements

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close