Jo më kontrolle në Morinë, por në doganën e Durrësit

ATSH-“Dogana e Kosovës në Durrës nuk do të jetë një stacion i parë i pasuar nga një stacion i dytë kontrolli në Morinë, por një stacion i vetëm në Durrës, ku hyrja e të gjitha mallrave për në Kosovë nga pikëpamja legjislative dhe juridike duhet të trajtohet si një hyrje në Kosovë në momentin kur mallrat zbarkohen aty”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, Rama informoi se “kemi diskutuar për të shtyrë më tutje procesin e bashkëpunimit mes dy vendeve”.

“Është një ogur i mirë që kryeministri Hoti vjen ndër të tjera edhe si një ndër protagonistët e gjithë kësaj rruge bashkëpunimi, pasi ka mbuluar role kyçe institucionale dhe as më shumë as më pak, por ka mbuluar me përgjegjësi institucionale aspekte të financave dhe ekonomisë. Eksperienca dhe kompetenca e tij e padiskutueshme është vlerë e shtuar në këtë proces. Nuk bëhet fjalë për vullnetin politik, që gjithmonë është i pranishëm, por për realizimin e marrëveshjeve të mbetura pezull, një pjesë e tyre, pasi një pjesë janë realizuar dhe janë në proces zbatimi”, tha Rama.

Kryeministri informoi se “kemi diskutuar konkretisht dhe do të vazhdojmë në vazhdim për të gjithë elementet që lidhen me zbatueshmërinë sa më shpejt të disa marrëveshjeve kyçe”.

“Sot kemi folur për doganën e Kosovës në Durrës. Në parim është dakordësuar, por në zbatim është ende jo e plotë, pasi ajo që në fakt kryeministri Hoti ka ngritur në bisedën e përbashkët përbën thelbin e marrëveshjes. Jo një stacion i parë i pasuar nga një stacion i dytë kontrolli në Morinë, por një stacion i vetëm në Durrës, ku hyrja e të gjitha mallrave për në Kosovë nga pikëpamja legjislative dhe juridike duhet të trajtohet si një hyrje në Kosovë në momentin kur mallrat zbarkohen në Durrës. Kjo do të thotë se na duhet një detajim teknik deri në fund i marrëveshjes për të mos lejuar që burokracia apo interesa të caktuara të pengojnë zbatimin”, tha Rama.

Po ashtu, Rama informoi se në takimin me Hotin u diskutua edhe për njehsimin e dokumentacionit lidhur me mallrat që eksportohen apo importohen mes dy vendeve”. “Është e pamundur të flasim për efikasitet të plotë nëse nuk arrijmë që të dyja palët në nivelin teknik të kenë gjuhë teknike të njehsuar dhe të mos vazhdojmë t’i kërkojmë ne në Shqipëri eksportuesve të Kosovës që të kenë dokumente të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit kur vijnë këtej. Një dokument i lëshuar nga njëri vend duhet të jetë i vlefshëm për të dyja vendet. Nëse eksportuesi apo importuesi ka dokumentin e lëshuar nga njëri prej vendeve tona, ai të jetë i njohur e pranuar nga Shqipëria e Kosova pa pasur nevojë ta çojmë në dy palë procese që nuk janë të lehta”, tha Rama. /

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close