PËRPJEKJA SHQIPTARE

Fondacioni ALSAR (Tiranë) ka bërë një punë të shkëlqyeshme me “ringjalljen” e sërishëm të revistës “Përpjekja Shqiptare” që u botua midis viteve 1936-1939 dhe të cilën e drejtoi një nga figurat më të shquara të publicistikës shqiptare, Branko Merxhani. Në fakt, të gjitha numrat e revistës në fjalë janë riprodhuar në dy vëllime (botim anastatik). Është ndër më të mirat në fondin e revistave shqiptare, ku janë botuar studime filozofike, letrare, sociale e politike, polemika, por edhe përkthime të shumta.

Drejtuesi i saj, Branko Merxhani, u angazhua për krijimin e një shoqërie perëndimore dhe demokratike; për një shtet të së drejtës, të çliruar nga mendësitë e vjetra. Ai dha njërin ndër përkufizimet më mbresëlënës për kulturën. Ishte njohës i raporteve ndërmjet oksidentit dhe orientit. Në shkrimin “Pse nuk jam marksist?“i parashikoi pasojat shkatërrimtare po qe se në pushtet do të vinin “vagabondët e historisë”, siç i quante komunistët, që u dëshmua si parashikim i saktë.

Filozofi, sociologji, antropologji, histori, ekonomi kombëtare, demografi, pedagogji, psikologji, gjeografi, didaktikë, psikanalizë, çështja e gjuhës, letërsi, studime letrare, muzikë, folklor, problemet e mëdha të epokës, bisedime akademike, jeta dhe librat, politika dhe kultura, metafizika, financat, arkeologji, përralla popullore, rilindja kombëtare, shkencat natyrale, ekonomi politike, kulturë fizike, gruaja shqiptare, zëri i të rinjve, gjendja mendore e kohës, edukata dhe shteti, probleme shëndetësore, proza shqipe, shkenca dhe njeriu, pedagogji amerikane, kultura ballkanike etj. janë vetëm disa nga zëra që u trajtuan në tre vitet e botimit të revistës. Ky botim (mjaftë serioz) paraqet një pasuri kombëtare, sepse shumë tema që u trajtuan atëbotë, edhe sot e kësaj dite, sa herë që të lexohen, thjeshtë të lënë pa fjalë. “Përpjekja Shqiptare” është model se si duhet të duken revistat që na duhen. Konsideroj se jam me fat që e posedoj këtë botim të rëndësishëm të ALSAR-it./Shkelzen Halimi

 

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close