SHKRIMI DHE RISHKRIMI I HISTORISË

Shkruan Rrahim Sadiku, invalid lufte, shkrimtar

U bë një kohë e gjatë qëkur nga Hashim Thaçi na u tha se nuk mund të bëhet rishkrimi i historisë. Ndoshta ka menduar se nuk mund të ndodhë ribërja e saj, kurse shkrimi dhe rishkrimi i historisë janë proces i pandalshëm. Këtë e dinë pothuaj të gjithë, sidomos profesionistët e kësaj fushe. Por, askush nuk reagoi dhe sikur të gjithë e pranuam këtë si realitet të pakundërshtueshëm. I shtyrë nga kjo, shpesh kam menduar se a e kemi pranuar këtë formulim të Thaçit si të papërgjegjshëm, si konformistë apo si përshtatje ndaj kërkesave të kohës?! Sido që ta kemi pranuar, e dimë se e vërteta e thot të kundërtën: historia shkruhet e rishkruhet vazhdimisht, sepse sado të thuhet e vërteta, mbetet edhe diçka e pathënë.

Janë diktatorët dhe të pushtetshmit tejet të fuqishëm ata që e thonë dhe e besojnë, se ata janë afla dhe omega e historisë së popullit të tyre dhe vendit të tyre. Hashim Thaçi pagoi t’ia shkruan një libër aureolë për të dhe mendoi, si duket edhe besoi, se e nguliti njëherë e përgjithmonë bërjen një me veten të luftës së UÇK-së, të ardhjes së lirisë dhe të shtetësisë së Kosovës. Ai nuk mësoi nga diktatori i mëparshëm shqiptar, Enver Hoxha (nga i cili është munduar të kopjojë shumë) se librat e shkruar dhunshëm, me pagesë e me ikje nga e vërteta, janë të humbura para se të dalin nga shtypi dhe nuk kanë asnjë vlerë për të ardhmën. Enveri shkroi (së paku botoi në emrin e tij) qindra libra e komplete librash dhe sot as i përmend e as i lexon kush. Edhe Hashimi, si ai, krijoi rendin e trabantëve dhe të duartrokitësve mercenarë dhe pasi i urdhëroi si ta rrisnin, madhëronin e heroizonin, i lëshoi në publik dhe mendoi se e siguroi fronin hyjnor të heroit kombëtar për sogt e për të ardhmën. Harroi se pjesa dërrmuese e akterëve të luftës që solli fitoren janë ende gjallë dhe i dinë rrjedhat shumë mirë, sepse i kanë përjetuar drejtpërdrejt. Kot që pagoi t’ia shkruanin një libër ku thuhet se në Kosovë nuk do të kishte luftë, fitore e shtet pa të dhe pa punën e tij. Duhet të mos harrojmë se filllimin e madhërimit të vetes ai deshi ta realizonte duke skalitur një mendim të tij në hyrje të Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës. E donte emrin e vet në atë institucion, punën e të cilit e minoi që nga mbarimi i luftës, ashtu si minoi edhe punë e Institutit të Historisë, të Arkivit Shtetëror të Kosovës e të shumë institucioneve të tjera, që mund të merreshin me hulumtime të rrjedhave dhe zhvilimeve historike në Kosovë e më gjërë. E bëri këtë sepse nuk dëshironte ngjarje, luftëra e heronj të mëhershëm, sepse besonte që do të vinte dita kur të gjithë do të merreshin vetëm me bëmat e Hashim Thaçit dhe nuk do t’u interesonte gjë tjetër. Veproi kështu Hashimi dhe gjithnjë e mendoi veten si një Enver Hoxhë të ri, kurse luftën e UÇK-së si një LNÇ e mandej PDK-në si një Parti e Punës.

Shtyrë nga Hashimi, u punua e u mendua që njerëzve t’u ngulitdej bindja se me UÇK-në fillonte dhe mbaronte rruga e pavarësimit të Kosovës dhe kjo duhej të ishte dhe të mbetej e tërë historia e Kosovës, shtetit të ri shqiptar në Ballkan. Por, si shtet i dytë shqiptar, Kosova disi lidhej shumë me të kaluarën, kishte histori të vjetër, prandaj u punua edhe u financua për krijimin e kombit të ri në këtë truall, kombit Kosovar. Por nuk eci puna, përkundër mentalitetet të injorancës dhe kotësisë që i ishte dhënë pushtetit dhe përkundër krijimit të liderëve pa të kaluar. Konbi Kosovar nuk u krijua dot, sepse ka shumë kohë qëkur ka marrë fund krijimi i kombeve.

Por, mentaliteti hashimian e ka kapluar dhe mbërthyer Kosovën. Sistetmi arsimor, kulturor dhe shkencor është mbuluar nga padituria dhe injoranca ka vërshuar e vërshon secilën pore. Pothuaj të gjithë ata që u bënë emër në Kosovës e pasluftës dolën nga hiçi ose kishin të kaluar të dyshimtë, në raport me kombin e tyre. Megjithatë, nuk ka ndodhur harrimi i vaujtjeve, sakrificave dhe gjaderdhjeve shekullore për liri dhe nuk është pranuar nga shumica se e vërteta e vetme për Kosovën është lufta e UÇK-së. Askush nuk mohon madhështinë e Luftës së UÇK-së, por të gjithë e dinë se ajo është vetëm një episod, në rrugëtimin e gjatë të popullit tonë për liri dhe se të mëdha e të shumta janë sakrificat e luftrave, qëndresës e shpresës, që shqiptari të mbetej vetja e të ishte i lirë në truallin e të parëve.

Mandej, Lufta Madhështore e UÇK-së, lumturisht e kurorëzuar me sukses, nuk është vepër dhe sukses i vetëm një njeriu dhe i vetëm një orientimi të qëndresës. Ajo është një luftë gjithëpopullore dhe pjesëmnarrës aktiv në të ishte një popull i tërë, që po qëndronte, po pësonte e po ndihmonte agimin e lirisë. Dhe ky popull nuk po qëndronte e nuk po sakrifikohej për Hashim Thaçin e rrethin e tij, po për shporrjen e robërisë dhe për të ardhmen e vet.

Suksesin e luftës për liri, në radhë të parë, e kurorëzuan ata që u bënë ballë torturave, vrasjeve, burgosjeve, varfërisë, rrezikut e të gjitha të këqijave që mundi të sillte e të ushtronte i huaji mbi popullatën e pambrojtur, e cila megjithatë qëndroi e nuk u largua nga trualli dhe i bëri ballë armikut me të gjitha mjetet e mundshme që pati.

Prandaj historia duhet shkruar e rishkruar, duke filluar mu nga kjo qëndresë, që u pagua me jetën mijëra e mijëra njerëve, me plagë të thella e me vetëdije të madhe kombëtare e njerëzore. Me keqardhje, po duhet përmendur se mu këtë vetëdije kombëtare e njerëzore, e ka lënduar dhe tjetërsuar sundimi orligark i pasluftës, me Hashimin në ballë.

Dhe historia vazhdon të shkruhet e të rishkruhet, pavarësisht asaj se këtë nuk e dëshiron Hashimi dhe pavarësisht heshtjes së historianëve tanë.

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close