Botohet libri “Imigrimi nga Ballkani Perëndimor” me bashkautore Vjollca Hajdarin

Vjollca Hajdari: “Ky libër është vetëm fillimi. Më ka dhënë impuls që të fokusohem në peripecitë e shqiptarëve me qëndrim ilegal në Gjermani dhe të hulumtoj rreth të drejtave ligjore të shqiptarëve në integrim dhe punësim”.

Pikërisht në kohën kur Gjermania debaton lidhur me ardhjen e vazhdueshme të emigrantëve nga gjithë Ballkani Perëndimor, doli në shtyp libri në gjermanisht “Imigrimi nga Ballkani Perëndimor”.
Shqipëria, Kosova, Maqedonia Veriore, Mali i Zi dhe Serbia janë vendet të cilat trajtohen në libër meqë numri i njerëzve të cilët marrin rrugën për në Gjermani është duke u rritur nga dita në ditë. “Arsyet janë çështja politiko-ekonomike në vend, ndaj një numër i madh nga Kosova dhe Shqipëria kanë kërkuar azil vitet e fundit. “Problemi më i madh që paraqitet në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut është ikja e trurit dhe e fuqisë punëtore, e cila kërkon mundësi punësimi në Gjermani”, ka pohuar Vjollca Hajdari, bashkautore e librit.
Ajo ka përmendur arsyet që i shtyjnë shqiptarët ta braktisin vendin e tyre dhe ka bërë përpjekje që t’i vë në pah pengesat me të cilat ata ballafaqohen kur mbërrijnë në shtetin gjerman.
E ashtuquajtura “Rregullore e Ballkanit Perëndimor” është temë qendrore në këtë libër dhe sjell një dinamikë të re në gjithë tematikën rreth qëndrimit në Gjermani.

Përpos historive të suksesit të shumë mjekëve dhe akademikëve në fusha të ndryshme, për të cilat është shumë e lumtur, Vjollca Hajdari thotë se e brengos edhe ajo pjesa e “padukshme” e shqiptarëve, një numër i konsiderueshëm i tyre me qëndrim ilegal në Gjermani. “Ata s’kanë si të mbrohen nga parregullsitë. Ka shumë punëdhënës që e shfrytëzojnë situatën e tyre dhe nuk i paguajnë. Alarmante është gjendja e tyre shëndetësore dhe psikike, e ku nuk mund të trajtohen në mjekësi. Për kushtet në të cilat jetojnë, mos të flasim fare”, është shprehur ajo.
Sipas politologes shqiptare, ky libër është vetëm fillimi. “Më ka dhënë impuls që të fokusohem në peripecitë e shqiptarëve me qëndrim ilegal në Gjermani dhe të hulumtoj rreth të drejtave ligjore të shqiptarëve në integrim dhe punësim”, ka thënë Vjollca Hajdari.

Por jo vetëm ky grup i njerëzve has në vështirësi të tilla.
Libri pasqyron edhe situatën e shumë infermierëve dhe kuadrove të tjera punuese me të cilat përballen me një situatë fare të panjohur për ta. Problemi i banimit, qiratë e larta dhe kushtet jo të volitshme për banim janë vetëm ca nga problemet që i përmendin ata.
Libri “Imigrimi nga Ballkani Perëndimor” është një përmbledhje e historisë së migrantëve nga Ballkani, që nga koha e “Gastarbajterëve” dhe deri më tani. Autorët: Max Behrendt, Kareem Elcheikh, Marcus Engler, Vjollca Hajdari dhe Boris Zujko kanë analizuar intervistat e shumë migrantëve dhe ekspertëve ligjorë, duke u fokusuar në kornizat aktuale ligjore, politikat e integrimit dhe perspektivat në të ardhmen.
Ky libër, i cili është mbështetur nga Senati Gjerman për Integrim, Punë dhe Çështje Sociale, ishte shkruar para krizës së pandemisë dhe ka përfunduar gjatë Covid-19. Mu për këtë situata aktuale me koronavirusin është edhe një krizë dhe sfidë e re, me të cilën përballen migrantët në Gjermani. “Nuk ishte e lehtë, por ja që ne arritëm ta realizojmë këtë projekt”, thotë Vjollca Hajdari, e cila i është falënderuar Institutit për Arsim, Kërkim dhe Hulumtim “Minor” për besimin në punën e saj. Ajo, gjithashtu, ka shprehur mirënjohje për ekspertin për Migracion dhe Azil, dr. Marcus Engler, i cili ishte edhe udhëheqës i projektit.
Botuesi i librit “Imigrimi nga Ballkani Perëndimor” është Christian-Pfeffer-Hoffmann.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close