Bjellorusi/ Një i vrarë dhe qindra të arrestuar nga protesta

Të paktën një person u vra, dhjetëra u plagosën, dhe më shumë se njëqind demonstrues u arrestuan të dielën në mbrëmje dhe herët të hënën në mëngjes, gjatë trazirave në rrugët e Minskut dhe qyteteve të tjera në Bjellorusi, njoftoi Reuters, duke cituar një grup të të drejtave të njeriut – Vyasna (Pranvera).

“Ka të paktën 120 të arrestuar, por këto janë të dhënat fillestare”, i tha Valentin Stefanovia agjencisë Reuters.

Për shkak të problemeve të komunikimit, ata thonë se nuk ishte e mundur të mblidheshin të gjitha të dhënat.

Forcat e sigurisë u përleshën me mbështetësit e opozitës, të cilët nuk i njohin rezultatet e zgjedhjeve, që u fituan bindshëm nga presidenti aktual, Alyaksandr Lukashenka.

Të hënën, Komisioni Zgjedhor në Bjellorusi shpalli rezultatet preliminare të zgjedhjeve presidenciale, duke thënë se presidenti aktual Lukashenka ka fituar 80.23 për qind, ndërsa rivalja e tij, Svyatlana Tsikhanouskaya, 9.9 për qind të votave.

Opozita bjelloruse akuzon për mashtrime në zgjedhje

Svyatlana Tsikhanouskaya, tha në një konferencë për media se ajo nuk i njeh rezultatet.

“Unë besoj në sytë e mi dhe shoh që shumica janë me ne”, tha Tsikhanouskaya nga selia e saj.

Protestat shpërthyen në të gjithë kryeqytetin, pasi qendrat e votimit u mbyllën.

Policia e gjuajti me plumba gome dhe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në disa pjesë të Minskut.

Dëshmitarët okularë, në dy lokacione, thanë se zyrtarët policorë, që ndërhyn në trazira, ulën mburojat e tyre dhe nuk pranuan të përlesheshin me protestuesit.

Lukeshenka, pas votimit në Minsk, tha se as ai dhe as qeveria nuk do të lejojë që Bjellorusia të futet në “kaos” apo “luftë civile” pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

“Jo, situata nuk do të dalë jashtë kontrollit. Askush nuk do të lejojë që të ndodhë një gjë e tillë. Ju garantoj”, tha ai, duke shtuar se autoritetet janë duke shqyrtuar një varg mundësish të përgjigjes, nëse ka pakënaqësi të qytetarëve.

Zgjedhjet në Bjellorusi u mbajtën pas arrestimit të më shumë se 1,000 mbështetësve opozitarë, ndalimit të disa personave që të kandidojnë në këto zgjedhje si dhe pretendimeve për një komplot rus, i cili u tha se po tenton të nxitë paqëndrueshmëri në këtë shtet.

Lukashenka është në krye të Bjellorusisë që nga viti 1994.

Në zgjedhjet presidenciale garuan katër kandidatë, por fokusi ishte i vendosur në Tsikhanouskaya, e cila në momentet e fundit zëvendësoi burrin e saj, Syarhey Tsikhanouski, një figurë e njohur në Bjellorusi që ka kritikuar Lukashenkan. Syarhey Tsikhanouski u ndalua që të marrë pjesë në zgjedhje, pasi në fund të majit ishte arrestuar./rel

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close