Lutfi Haziri: Nuk kemi biseduar me partnerët e koalicionit për çështjen e presidentit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se deri më tani, partnerët e koalicionit qeverisës, nuk kanë diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

“Derisa e kemi këtë gjendje, nuk kemi zhvillim tjetër politik, nuk e kemi parë të arsyeshme të flasim për çështjen e presidentit. Fundja, në afatin kushtetues presidenti e ka mandatin e vet. Nëse pretendimet e Prokurorit të Specializuar konfirmohen nga ana e Gjykatësit të rastit, atëherë LDK-ja bisedon me partnerët dhe partitë tjera politike”, ka thënë Haziri.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Partnerët e koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk janë marrë vesh se kush do të zgjidhet president pas skadimit të mandatit të presidentit Thaçi më 2021.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me votat e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Këshilli drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që është pjesë e koalicionit qeverisës, ka diskutuar të mërkurën për mundësinë e propozimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, si kandidat për president të ardhshëm të vendit.

Vetë Haradinaj përmes një statusi në rrjetin social Facebook e ka konfirmuar se mund të jetë kandidat për president.

“Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, ka shkruar Haradinaj.

Partia Nisma Socialdemokrate e cila është pjesë e koalicionit qeverisës ende nuk e ka komentuar deklaratën e Haradinajt.

Njohësi i çështjeve politike, Albert Krasniqi i tha Radios Evropa e Lirë se nëse Haradinaj nuk e ka përkrahjen e partnerëve të koalicionit” nuk do të arrijë të jetë as kandidat dhe lere më të zgjidhet për president”.

“Ky nominim i njëanshëm i AAK-së nuk do t’i kontribuojë relaksimit të raporteve ndërmjet partnerëve të koalicionit, ndonëse posti i presidentit nuk është pjesë e marrëveshjes së koalicionit”, tha Krasniqi.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close