“Peshkopata Arbanense, Gjon Kastrioti dhe grindja për kufijtë me peshkopatën e Lezhës”

Në Konferencën Ndërkombëtare Albanologjike kushtuar Gjergj Kastriotit në 550-vjetorin e vdekjes, studiuesi Aleksandër Meksi, në kumtesën e tij “Peshkopata Arbanense, Gjon Kastrioti dhe grindja për kufijtë me peshkopatën e Lezhës”, ka publikuar faksimilet e dy letrave, që ndodhen në Arkivin Sekret të Vatikanit:

Letrën e Gjon Kastriotit dërguar Republikës së Venedikut, e datës 3 prill 1407. Është fjala për grindjen ndërmjet peshkopatës së Arbërit dhe asaj të Lezhës për përkatësinë e një sërë kishash që pretendohen nga të dy palët. Gjon Kastrioti shkruan se këto kisha janë në territoret e tij e i përkasin Peshkopatës së Arbërit prej 800 vitesh. Ai kërkonte që të ndërhyhej për të shmangur grindjet dhe trazirat ndër popujt e atyre viseve nga kjo padrejtësi.

Studiuesi Meksi ka publikuar edhe faksimilen e letrës së Papës Gregori VIII, drejtuar Kryepeshkopit të Antivarit, e cila mban datën 23 maj 1407. Ati i Shenjtë, i nxitur nga Peticioni i dërguar prej peshkopit të Arbërit, Gjergji, kërkon lirimin e kishave të zaptuara nga peshkopata e Lezhës, të cilat, i takojnë peshkopatës së Arbërit.

Në Letër kemi listën e plotë dhe të saktë të kishave në fjalë dhe vendndodhjen e tyre:
Sancte Venere in Baldreni, Sancti Nicolai in Blenisti, Sancti Salvatori in Malemalit, Sanctu Johanis in Merchina, Sancte Eufemia in Calameto, Sancte Venere in Vello, Sancti Salvatoris in Vello, Sancti Georgij in Fico, Sancti Blasij in Solomundo, Sancti Demetrij in Span, Sancti Alexandri in Bochiano, Sancti Nicolai in Soyme, Sancte Barbare in Pedana, Sancte Venere in Re, Sancta Maria in Soesa, Sancti Michaelie in Castineto, Sancti Helie in Guimala.

• Sancte Venere in Baldreni (Shën Prendja e Balldrenit).
• Sancti Nicolai in Blenisti (Shën Nikolli i Kakarriqit; Në Blinisht të Zadrimës nuk kemi një kishë me pajtor Shën Nikollin, por studiuesi Meksi, citon fshatin Shën Koll i Kakarriqit apo Blinisht që përmendet në Kadastrën Veneciane të vitit 1416-17).
• Sancti Salvatori in Malemalit (Shëlbuemi në Majëmali; Sipas studiuesit Aleksandër Meksi, duhet të jetë Shëlbuemi në Akrolis, apo siç njihet ndryshe Maja e Shëlbuemit në lindje të Lezhës. Kasem Biçoku në librin “Toponimet mesjetare për studimin e historisë së Skënderbeut”, ka hedhur mendimin se Sancti Salvatori in Malemalit është Shëlbuemi i Rubikut. Ne mendojmë që duhet të jetë Shëlbuemi në Akrolis, pasi manastiri i Shëlbuemi në Rubik (Sancti Salvatoris de Rubigo) përmendet në disa dokumente të shek. XV, si pjesë e Peshkopatës së Arbërit, në vitin 1418, 1427, 1466, etj).
• Sanctu Johanis in Merchina (Shën Gjoni i Mërqisë).
• Sancte Eufemia in Calameto (Shën Eufemia e Kallmetit).
• Sancte Venere in Vello (Shën Prendja e Velës).
• Sancti Salvatoris in Vello (Shëlbuemi i Velës)
• Sancti Georgij in Fico (Shën Gjergji në Qafë-Fiku të Katundit të Vjetër të Rubikut; Sipas studiuesve Meksi dhe Biçoku, Sancti Georgij in Fico është në Rrasfik. Në Rrasfik nuk ka pasur një kishë të Shën Gjergjit, por janë ruajtur permes rrënojave dhe toponimeve, kishat e Shën Llezhdrit, Shën Nikollit, Shën Barbullës. Sancti Georgij in Fico është Shën Gjergji në Qafë-Fiku, që përmendet nga relatorët e shek. XVII, e në vazhdim si San Giorgio del Fico, kishë famullitare e Kryezezit, kishë që ruhet relativisht në gjendje të mire edhe sot. Fiku apo Qafë-Fiku është regjistruar në regjistrat kadastral osman të vitit 1467 si një nga fshatrat e Vilajetit të Dhimitër Jonimës (treva Lezhë-Rubik).
• Sancti Blasij in Solomundo (Shën Vlashi i Sollomunit, Manati).
• Sancti Demetrij in Span (duhet të jetë Shën Dhimitri i Dardhës, Tresh).
• Sancti Alexandri in Bochiano (Shën Llezhdri i Bokianit, mbi fshatin Spiten).
• Sancti Nicolai in Soyme (Shën Nikolli i Zejmenit).
• Sancte Barbare in Pedana (Shën Barbulla e Pllanës).
• Sancte Venere in Re (Shën Prendja e Rrejës së Velës).
• Sancta Maria in Soesa (e pa identifikuar). Aleksandër Meksi e identifikon fshatin Soesa më Rrejën e Zezë të Rubikut.
• Sancti Michaelie in Castineto (Shën Mëhilli i Kashnjetit).
• Sancti Helie in Guimala (Shën Elia e Gjunalës; Në Gjunalë ka qënë kisha me pajtor Shën Gjergjin. Por në afërsi të Gjunalës, në Gazull, ndodhen rrënojat e kishës së Shën Ilisë).

Letra (dokumenti) kanë një rëndësi të madhe historike, pasi hedh dritë në hershmërinë e disa vendbanimeve në vendshtrirjen etno-gjeografike të Mirditës; Vela, Kashnjeti, Rreja e Velës, Gjunala (Kaçinar), Qafë-Fiku (Katundi i Vjetër), Sollomuni (Manati), Bokiani (Spiten-Prull), Zejmeni, Pllana, etj, dhe monumenteve kishtare të këtyre zonave (një pjesë e tyre ruhen në gjendje relativisht të mirë). Monumente që duhet të kenë më shumë përkujdesje nga Institucionet qëndrore (Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve, etj), por edhe një angazhim më të madh të Institucioneve lokale për promovimin e tyre!

Kjo është mënyra se si duhet ti qasemi historisë! Është dokumenti që nuk e len historin (e shkruar) të dalë nga hullia e të vërtetave!

| MIRDITA:Histori dhe aktualitet |

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close