“Jo më rrjedhje ujërash të zeza në bregdetin e Vlorës”

ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “edhe Vlora, njësoj si Durrësi tanimë, s’do ketë më rrjedhje ujërash të zeza në bregdetin e saj të mrekullueshëm, ku impakti ekonomik i Lungomares do të vazhdojë të rritet e ku, pas disa ndërhyrjesh të reja aty e përreth, për të rritur kapacitetet e cilësinë e hotelerisë, do të kemi një qytet turistik në rangun e parë të qyteteve të madhësisë së ngjashme në Mesdhe”.

“Me plot të drejtë shumëkush në këtë faqe, po edhe në përgjithësi, kur vjen fjala për ujin e pijshëm e kanalizimet, thotë po si ka mundësi akoma diskutohet uji në këtë vend(?) dhe pastaj, “normal”, nuk mungojnë përqeshësit e sharësit, që kanë si biçim zanati të dytë të hapin frëngjinë e fejsbukut në ajfon dhe nga kafeneja, plazhi apo fundi i botës, të shfryjnë zeherin kur shohin një postim për një punë, sado të mirë”, tha Rama.

Mirëpo, vijoi ai, “e para, ndër plot kusuret e mia, nuk hyn dot edhe kusuri për çfarë nuk u bë apo më keq akoma, u bë së prapthi në 25 vjet me radhë, si në çdo sektor edhe në sektorin e ujit”.

“Imagjinojeni pak që nga viti 1992 në vitin 2013, u hartuan plot 23 strategji kombëtare për sektorin e ujit(!!!) dhe 78 dokumenta strategjikë për zhvillimin e sektorit!!! Miliona e miliona të harxhuara për një lumë të tërë letrash, nga qeveritë, bashkitë e sidomos donatorët e huaj, në një shtet rrumpallë, ku siç e tregojnë vetë këto shifra të frikshme strategjish, s’e merrte vesh i pari të dytin. Nga ana tjetër, u harxhuan edhe qindra milionë në çerekun e parë të shekullit të parë të demokracisë, për investime po aq të kuturueshme sa edhe studimet në fjalë, me një rezultat mizerabël për popullatën e vendit të dytë më të pasur me ujë në Europë. Në këtë faqe, do t’ju informojmë më tutje për ku e gjetëm faktikisht këtë sektor e çfarë kemi bërë e do të bëjmë më tutje, por për sot po ndalem këtu”, tha Kryeministri.

“Dhe këtu vjen e dyta. Të ndërtosh nga e para është një sfidë e madhe, po të rindërtosh aty ku është ndërtuar së prapthi më parë, është një hall më vete. Na është dashur një punë e dhjetëfishtë, për të risistemuar bazën e nisjes dhe për t’i bërë për së mbari gjërat, duke rivendosur prioritetet, kryer analizat, bërë studimet, reformuar sektorin (që duhet reformuar ende më tej), shkruar e miratuar ligjet, aktet nënligjore, projektet e me radhë. Sot kemi nxjerrë sapo kokën mbi ujë kur i thonë fjalës dhe presim rezultatet domethënëse të shumë kantiereve të furnizimit me ujë të pijshëm, ku po punohet në tërë Shqipërinë – larg syve të medias përgjithësisht, sepse ndryshe nga rrugët, shkollat, spitalet, e të tjera, punimet e infrastrukturës nëntokësore janë më pak të dukshme, por edhe ne vetë s’u kemi bërë sa duhet hyzmetin në funksion të informimit të publikut. Kaq për sot”, shtoi ai.

Ndërsa ndau një video, Rama tha se “ajo flet shumë për sa më lart, sepse duket e pabesueshme por është një e vërtetë e dhimbshme, që një destinacion turistik si Vlora, me një potencial të madh ekonomik e punësimi, jo thjesht për qytetin, po në rang kombëtar, të derdhë në detin e qytetit ujërat e zeza e askush të mos e verë ujin në zjarr për çerekshekulli e kusur”.

“Pasi kemi kryer studimin, bërë projektin, gjetur financimin (një fjalë goje me tërë ato borxhe që na u desh të shlyejmë në mandatin e parë, e tërë ato gropa nga të katër anët, në çdo sektor, që vazhdojmë mbushim), jam i lehtësuar nga fakti se më në fund edhe Vlora, njësoj si Durrësi tanimë, s’do ketë më rrjedhje ujërash të zeza në bregdetin e saj të mrekullueshëm, ku impakti ekonomik i Lungomares do të vazhdojë të rritet e ku, pas disa ndërhyrjesh të reja aty e përreth, për të rritur kapacitetet e cilësinë e hotelerisë, do të kemi një qytet turistik në rangun e parë të qyteteve të madhësisë së ngjashme në Mesdhe”, tha Rama.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close