Policia gjermane arreston të kërkuarin serb për krime lufte në Kroaci

Policia federale në Gjermani tha të enjten se ka arrestuar një 55-vjeçar nga ish-Jugosllavia, i cili ishte dënuar para 23 vjetëve në Kroaci për krime kundër njerëzimit dhe që nuk e kishte vuajtur asnjëherë dënimin.

I arrestuari, tani qytetar amerikan, ishte dënuar në vitin 1997 me dënim prej 10 vjetëve burgim për vrasjen e një personi civil në vitin 1993 gjatë luftës në Kroaci. Policia gjermane tha se vrasja kishte ndodhur gjatë kohës sa ai ishte pjesë e ushtrisë së Krajinës – territor kroat – në vitet 1990, raporton agjencia e lajmeve, Reuters.

Që nga ajo kohë, personi i arrestuar emrin e të cilit policia gjermane nuk e bëri publik për shkaqe privatësie, kishte arritur t’i ikte drejtësisë.

Ai u arrestua në aeroportin e Frankfurtit të hënën derisa ishte duke udhëtuar nga Çikagoja për në Beograd. Aktualisht ai po mbahet nga autoritetet gjermane deri në ekstradimin e tij në Kroaci.

Kroacia, tani anëtare e Bashkimit Evropian, fitoi luftën e saj për pavarësi në 1995 pas rreth katër vjet luftimesh me rebelët serbë që kundërshtuan shkëputjen e Zagrebit nga Jugosllavia federale, e mbizotëruar nga serbët.

Serbët nacionalistë të mbështetur nga Beogradi patën pushtuar një të tretën e territorit kroat, ku atëbotë shpallën republikë në territorin kroat të Krajinës dhe dëbuan popullsinë lokale kroate.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close