Ultimate magazine theme for WordPress.

Kryeministri shqiptar,Edi Rama përkujton ish-kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepi

BAJRAM REXHEPI, e përjetoi dhimbjen e plagëve të luftës çlirimtare, si mjeku i UÇK-së që u shërbeu çlirimtarëve të plagosur, duke kryer deri edhe ndërhyrje të rënda kirurgjikale e duke shpëtuar jetë shumë larg sallës së operacionit, mes maleve të rezistencës për liri. Ai u bë kryeministri i parë e i gjithëpranuar i Kosovës, me mbështetjen e krejt forcave politike, kur dukej se askush s’mund ta merrte konsensusin e tyre dhe ishte i pari zyrtar i lartë i Kosovës së lirë, që shkeli në Mitrovicën e dasisë së madhe, vendlindjen e tij, duke u bërë garanti i sigurisë për të gjithë atje. Mbetet epike lëvizja e tij paqtuese, në krye të turmës së irrituar, kur pas mbytjes së dy fëmijve shqiptarë në ujrat e Mitrovicës, valvula e tensionit ndëretnik arriti në një moment shpërthyes. Debati i tij me Oliver Ivanoviçin, i përket historisë si debati i parë publik i pasluftës me një përfaqësues të komunitetit serb.

Kam pasur fatin dhe nderin ta njoh atë zotni të madh e të urtë, që i shërbeu Kosovës në luftë e në paqe, me humanizmin shembullor dhe modestinë e admirueshme të një mjeku punëshumë e fjalëpakë. Ai burrë të kujtonte me sjelljen e buzëqeshjen e tij, atë fjalën kuptimplotë shqiptare, guri i rëndë në vendin e vet. Si ajo fjalë ishte edhe vendimi i tij, që të mos e lëvizte kulmin e shtëpisë nga Mitrovica, e të jetonte aty me gruan, vajzën dhe rrezikun gjithnjë të pranishëm, të ndonjë konflikti me pasoja fatale për familjen e vet. Sot e gjithë ditën shtëpia e mjekut që u bë kryeministër, është po aty, shembull i fjalës së pandarë nga vepra e njeriut që jo vetëm e mbronte idenë e moslargimit të shqiptarëve nga Mitrovica, po edhe e mishëronte atë duke mos u larguar nga ajo tokë e bashkëjetesës së vështirë, por jo të pamundur në Veriun e Kosovës.

Bajrami u nda nga jeta ende i ri, në 21 gushtin e tre viteve më parë, si një hero krejt i veçantë, i cili pa zhurmë e pa bujë jetoi, punoi, shërbeu ku dhe sa mundi për vendin e tij, pa e ngritur kurrë zërin, po duke folur qartë e troç me shembullin e vet, sa të veçantë aq edhe frymëzues, e duke treguar se sa e mirë është politika, kur njeriu e përdor atë për të kuruar e për të shëruar plagët e bashkësisë, së cilës i vihet në shërbim. Me përkushtim.

#TëPAHARRUESHËM🙏

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close