Djali i Ukshin Hotit,Andini: Institucionet urgjentisht të merren me zbardhjen e të vërtetës

Pas transmetimit të emisionit Udhëve ka reaguar i biri i Ukshin Hotit, Andini. Ai në reagimin e tij kërkon nga institucionet e Kosovës që këtë çështje ta ngrisin urgjentisht në instancat ndërkombëtare dhe të gjenden eshtrat siç pretendohet në dokumentet zyrtare serbe të prezantuara në RTK.

Ky është postimi i plotë i Andin Hotit

Publikimi i disa dokumenteve tani në RTK me të cilat pretendohet fati i babait / e familjarit tonë Ukshin Hoti, përveç tronditës është edhe sfidues e akuzues për institucionet e Kosovës, shtetin dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Për ne si familje, Serbia në vazhdimësi ka prodhuar dokumente me qëllime politike e kriminale, prandaj as në këtë rast nuk i marrim apriori si të besueshme e të verifikuara.

Megjithatë, në përpjekjet tona për zbardhjen e të vërtetës, duke bashkëndjerë me familjet e të gjithë të pagjeturve nga lufta, kemi qenë të vetëdijshëm për përmasën barbare e kriminale të Serbisë.

Gjatë më shumë se 20 vjetëve të terrorit psikologjik jo vetëm për ne si familje, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, Këshilli i Evropës e të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe UNMIK-un dhe EULEX-in, kanë dështuar ta mposhtin mizorinë dhe lojën perverse të politikës serbe me fatin e viktimave të saj.

Prandaj, është koha e fundit që Ministria e Drejtësisë, Prokuroria Speciale e Kosovës – Departamenti për Krimet e Luftës, Komisioni Qeveritar për Personat e zhdukur me forcë nga Serbia, Kuvendi i Kosovës dhe çdo institucion tjetër relevant, si dhe Kryeministri Avdullah Hoti në kuadër të dialogut me Serbinë, t’i trajtojnë këto dokumente me përgjegjësi dhe seriozitet maksimal, duke kërkuar llogari dhe hetim ndërkombëtar.

Mbarë bota e di që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, ndërsa faktet shpesh po zëvendësohen me fabrikime, duke çoroditur edhe lirinë e të vërtetën tonë historike.

Dështimin dhe papërgjegjësinë në këtë rast, e bëjnë edhe më irrituese reagimet për keqardhje të EULEX-it, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të Prokurorisë Speciale.

Mbi bazën e pretendimeve të publikuara, ne si familje kërkojmë nga Institucionet e Kosovës që këtë çështje ta ngrisin urgjentisht në instancat ndërkombëtare dhe të gjenden eshtrat e pretenduara në këtë dokument (në cilindo institucion vendor apo ndërkombëtar qofshin) për të bërë ADN-në e tyre, në mënyrë që të zbardhet e vërteta!

Është më tepër se humane që ne si familje ta dimë të vërtetën për fatin e Ukshin Hotit.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close