Navalny arrin në Gjermani

Avioni me të cilin është transportuar lideri opozitar rus, Aleksei Navalny ka ateruar në Berlin.

Navalny, që dyshohet se u helmua, u transportua nga qyteti siberian Omsk për në Berlin, për të marrë trajtim mjekësor.

Themeluesi i organizatës joqeveritare “Cinema for Peace” – avioni i së cilës barti Navanyn nga Rusia në Gjermani – Jaka Bizilij, tha se gjendja shëndetësore e opozitarit rus, është “stabile”.

“Gjendja e Navalnyit gjatë fluturimit dhe pas aterrimit është stabile”, tha ai për gazetën gjermane, Bild.

Zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh, po ashtu shkroi në Twitter se “avioni që barte Aleksein ka aterruar në Berlin”.

Fluturimi nga Rusia për në Gjermani u pengua që të ndodhte më parë, për shkak se autoritetet ruse deklaruan se Navalny nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore që të udhëtonte. Por, familja e tij dhe aleatët insistuan që ai të mjekohej jashtë vendit.

“Vështirësitë për jetën e Alekseit dhe shëndetit të tij sapo kanë filluar, por tashmë është bërë hapi i parë”, ka shkruar më herët në Twitter, zëdhënësja Kira Yarmysh.

Yarmysh publikoi një fotografi të Navalnyt teksa ai – i vendosur në një barelë – futet në avion së bashku me gruan e tij.

Navalny është në gjendje kome, që prej se u sëmurë pas dyshimeve për helmim më 20 gusht. Në momentin kur u sëmurë, ai ishte duke udhëtuar me avion nga qyteti siberian, Tomsk për në Moskë. Avioni me të cilin udhëtonte, më pas u detyrua që të bëjë një aterim urgjent në Omsk, që po ashtu gjendet në Siberi.

Familja e Navalnyt dhe aleatët e tij kanë luftuar që ta transferojnë atë në Gjermani për trajtim mjekësor, por doktorët rusë, që po e trajtonin, për orë të tëra refuzuan që ai të largohej nga spitali në Omsk, duke argumentuar se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e mirë që ai të udhëtonte.

Por, më 21 gusht, zyrtari i lartë i spitalit në Omsk, Anatoly Kalinichenko u tha gazetarëve se Navalny mund të transferohet për në Gjermani, pasi gjendja e tij është stabilizuar.

Gruaja e Navalnyt, më herët i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të lejojë që burri i saj të transferohet në Gjermani për trajtim urgjent mjekësor.

“Zyrtarisht ju bëj thirrje ju (Putin) që të lejoni transportin e Navalnyt për në Gjermani”, deklaroi Yulia Navalnaya më 21 gusht.

Fillimisht, Kremlini deklaroi se vendimi për të mos lejuar transferimin e Navalnyt për në Gjermani ishte krejtësisht për shkaqe shëndetësore. Por, mbështetësit e Navalnyt argumentuan se autoritetet ruse po dëshirojnë që të blejnë kohë, në mënyrë që gjurmët e helmit të mos gjenden më në trupin e liderit opozitar, në kohën kur ai të transferohet jashtë vendit.

Pasi Navalny u lejua që të udhëtojë për në Gjermani, Qeveria gjermane tha se jeta e tij duhet të shpëtohet.

“Prioriteti kryesor është që jeta e zotit Navalny të shpëtohet dhe ai të shërohet”, tha zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert.

Ende nuk ka asnjë diagnozë të saktë për gjendjen e Navalnyt, por ekipi i tij dyshoh se ai është helmuar për shkak të aktiviteteve të tij.

Yarmysh beson se politikani opozitar u helmua, pasi në çajin që ai bleu në aeroportin e Tomsk, iu hodh diçka brenda.

Por, drejtori i spitalit në Omsk, Aleksandr Murakhovsky u ka thënë gazetarëve se gjendja e Navalnyt mund të jetë shkaktuar për shkak të çrregullimeve që kanë të bëjnë me metabolizmin.

“Sot kemi punuar në disa diagnoza. Kryesorja është … çrregullime në metabolizëm”, tha Murakhovky, duke shtuar se gjendja e Navalnyt mund të “shkaktohet me rënien e nivelit të sheqerit në gjak”.

Këto komente Murakhovsky i kishte bërë pari zëdhënësja Yarmysh, citoi një bashkëpunëtor të Navalnyt, Ivan Zhdanov, të ketë thënë se “një polic që ishte në spital, tha se në trupin e Aleksei është gjetur helm, që nuk është i rrezikshëm vetëm për të, por për të gjithë që janë përreth tij”.

Bashkimi Evropian ka kërkuar që të nisin menjëherë hetimet lidhur me gjendjen e Navalnyt, i cili pak pasi u sëmurë, ra në gjendje kome.

“Jemi shumë të shqetësuar lidhur me shëndetin e Aleksei Navalnyt pas helmimit të dyshuar”, tha më 21 gusht, zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrli.

“Ne presim një hetim të shpejtë, të pavarur dhe transparent. Nëse konfirmohet që është helmuar, përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë”, tha ajo.

“Njeri shumë i guximshëm”

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, deklaroi më 20 gusht, se ishte “thellësisht i shqetësuar” lidhur me situatën me Navalnyn duke shtuar se mund të ndikojë në marrëdhëniet SHBA-Rusi.

“Ai është një njeri shumë i guximshëm. Ai është një politikan i guximshëm që brenda Rusisë është ngritur kundër Putinit. Është jashtëzakonisht shqetësuese dhe nëse rusët qëndrojnë pas kësaj… është diçka që ne do ta kemi parasysh në mënyrën sesi do të sillemi me Rusinë në të ardhmen”, tha O’Brien.

Navalny, i cli ka ekspozuar aferat korruptive në Rusi, edhe në të kaluarën ka qenë cak i sulmeve fizike.

Më 2017, ai ishte sulmuar me një kimikat, që i ishte hedhur në sy.

Në korrik të vitit 2019, Navalny u dënua me 30 ditë burgim, për shkak të organizimit të protestave të paautorizuara. Gjatë qëndrimit në burg, ai disa herë u dërgua në spital, për shkak të disa të ënjturave në fytyrë, që më vonë u pretendua se mund të kenë simptoma të helmimit.

Në vitet e fundit, ai disa herë është arrestuar, është ndaluar që të garojë për president si dhe për kryetar të qytetit të Moskës.

Kreu i departamentit ligjor të Fondacionit Anti-Korrupsion, që Navalny ka themeluar, Vyacheslav Gimadi, ka shkruar në Twitter se “nuk ka asnjë dyshim që Navalny është helmuar për shkak të aktivitetit dhe pozicionit të tij politik”./rel

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close