Presidenti,Thaçi, përmes një video- mesazhi ka njoftuar se do t’i kërkojë Kuvendit të Kosovës t’i zgjatet mandati Speciales

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një video- mesazhi ka njoftuar se do t’i kërkojë Kuvendit të Kosovës që “mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

“Kam bindjen se deputetët e Kosovës do ta mbështesin këtë kërkesë të arsyeshme dhe mbetem thellësisht i bindur se, mbështetja e drejtësisë për të bërë drejtësi, e nderon Kuvendin e Kosovës dhe e rrit përgjegjësinë e shtetit te Kosovës”, ka thënë ai.

Thaçi ka thënë se i ka ndjekur iniciativat dhe debatin që ka nisur mbi mundësinë e skadimit të afatit të Gjykatës Speciale. “E dimë se në këto njëzet vite pas çlirimit, Kosovës nuk i kanë munguar gjykatat ndërkombëtare dhe speciale në llojin e tyre. Dhomat e Specializuara janë gjykata e pestë me radhë për pretendimet e njëjta, një rekord i llojit të vet në botë”, ka thënë ai. Sipas tij, ne nuk mund të lejojmë që për fatin tonë, as sot e as në të ardhmen, të flasin e të vendosin shtetet që ishin kundër lirisë dhe shtetësisë sonë.

“Drejtësinë t’ia lëmë drejtësisë. Politika nuk duhet të ndërhyjë në drejtësi e as drejtësia nuk duhet të ndërhyjë në politikë. Kjo ka qenë bindja ime kur e kam mbështetur në çdo hap krijimin e gjykatave ndërkombëtare dhe të paneleve speciale në këto njëzet vite”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi me Video-mesazh: Viktimat po përbalten me dëshmitë e agresorit Presidenti Thaçi në video-mesazhin e tij ka theksuar se heshtja ndërkombëtare po kuptohet si aprovim i amnistisë për gjenocidin e shtetit të Serbisë kundër popullit të Kosovës.

“Viktima po damkoset e po përbaltet me dëshmitë e agresorit. Faktet e viktimave të njohura botërisht përbuzen e injorohen nga arbitri, në emër të një balanci të rrejshëm. E dimë se sa shumë dhe se sa padrejtësisht, për dy dekada me radhë, akuzat, shpifjet e fabrikimet e lloj-llojshme kundër luftës sonë, kundër UÇK-së, janë kthyer në çështje gjyqësore që pas vitesh torturuese, kanë rezultuar ashtu siç kanë qenë: Baltë mbi luftën tonë!”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk mundet e nuk do ta harrojë kurrë se Kosova e lirë, demokratike, shtet sovran, lindi nga dhimbjet e mëdha të një lufte që ne nuk e zhvilluam të vetmuar.

“Ne kishim në krah SHBA-në, NATO-n dhe demokracitë më të mëdha të botës. Pa këta miq të mëdhenj dhe aleatë strategjikë të pandarë në rrugën tonë, Kosova as nuk mund të ishte e pavarur dhe as nuk mund të bëhet anëtare e barabartë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka pohuar se sado e dhimbshme, sado e gjatë, sado e padrejtë të duket në raste të caktuara, rruga e zbardhjes së çdo pretendimi për krime lufte, si edhe rruga e pastrimit të njollave të vëna padrejtësisht mbi luftën tonë dhe veçanërisht mbi UÇK-në, nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç rrugës së drejtësisë. “Ne nuk mund të lejojmë që për fatin tonë, as sot e as në të ardhmen, të flasin e të vendosin shtetet që ishin kundër lirisë dhe shtetësisë sonë”, ka thënë ai.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close