SHËTI NË BJESHKËT E KELMENDIT

(tregim historik nga mesjeta shqiptare)

shkruan Rrahim Sadiku

Kishin shaluar kuajt e po shëtisnin me Tamarën. Po lodhnin e po shlodhnin sytë e zemrën atyre pamjeve mahnitëse të brigjeve të Cemit. Po shikonin ato bjeshkë aq të dashura e aq të trishtueshme, në të cilat, qëkur kishin lindur, kishin qenë lumturia dhe mjerimi i tyre. Edhe dashuria që i kishte bashkuar para shumë vitesh, ishte bërë si ato bjeshkë: e thyeshme, e rrezikshme dhe me plot të papritura.

Ishte vapë e thatësia dhe njomësia sikur shtyheshin kudo midis tyre. Edhe midis Marjanit e Tamarës. U bëhej sikur kishin mbetur disi të papërfillshëm të vetëm midis atyre bjeshkëve të mëdha. Fëmijët e të afërmit kishin shkuar grupe-grupe me ushtri të ndryshme, sidomos me ato që sapo ishin krijuar dhe këta e shumë prindër të tjerë nuk e dinin as ku ishin e sa me cilën anë ishin. U vinin lajme se disa herë kishin ndërruar anë. Nganjëherë edhe u kishin dërguar fjalë se ishin ngritur në pozita të larta e për të vërtetuar këtë u dërgonin të holla dhe mallëra të ndryshme. Por zakonisht kjo nuk zgjaste shumë dhe papritur vinte lajmi se kishin rënë në do vende të largëta e të panjohura, ose se po kërkoheshin nga armiqtë e tyre dhe se po fshiheshin të shpëtonin kokën. Ndodhte që  mandejvinte lajmi se kishin shpëtuar e se kishin arritur të bëheshin përsëri dikushi, duke u bashkuar me anën tjetër.

Nga të mbeturit në vendlindje, të paktë ishin ata që e ndjenin se nuk i kishin punët mirë; e kuptonin se vendi po firohej nga shkaku se mashkujt e Kelmendit e të viseve tjera arbërore po vriteshin duke u bërë shërbyes të interesave të huaja. Por, nuk kishin kujt t’i qaheshin, me kë të shpjegoheshin e si të ndikonin që gjërat të ndërronin. Madje, te shumica sikur nuk kishte as synim e as dëshirë që e gjitha kjo të ndodhte. Sepse atje tutje ishin të mundshme lavdia e pasuria, shumë tunduese.

Edhe ata burra që kishin mbetur ende në ato male, me mendje e me veprime ishin atje, ku kishin shkuar të tjerët. Mund edhe të kuptonin gjendjen, mungesen e të ardhmes premtuese për vendin e tyre, por mendja u kishte ikur. Sikur nuk ishin më në shtëpinë e tyre e në vendlindjen e tyre. Mendja u endej kahmos e bëmat e ëndërruara e mundnin realitetin. Me shpirt tashmë ishin andej vendve të largëta, ku i priste trimëria dhe bëheshin gati të niseshin, të shkonin diku, të fitonin emër e pasuri, qoftë duke u bashkuar edhe me djallin.

Shumica linin prapa gra e fëmijë, për të cilët kujtoheshin kur arrinin të kapnin ndonjë pasuri dhe dërgonin për ta plot gjëra, po shkonte një kohë e më sikur harronin vendlindjen e jeta e grave dhe e fëmijëve bëhej e rëndë, plot varfëri, sëmundje, zënka, vrasje… Ishte bërë shumë vështirë të jetoje në ato male.

“Një ushtri bizantine është nisur për këndej – tha Tamara dhe e shkëputi nga mendimet. Pali i Murajve kishte dërguar dje shumë gjëra për familjen e tij dhe i gëzoi shumë të mjerën grua e të mjerët fëmijë. Ata që i sollën gjërat kishin treguar se Pali u kishte thënë se bizantinasit po bëheshin gati t’i dilnin në pritë asaj lubie, që kishte synim të shkretonte Kelmendin e krahina të tjera… Nuk do të shkojë shumë kohë e Cemi do të bart më shumë gjak se ujë.”

“E di. Dëgjova edhe unë” – ia ktheu Marjani.

Ajo e shikoi me habi. E kuptoi se ajo do t’i bënte shumë pyetje dhe shpejtoi të shtonte:

“Edhe nga Roma ka ardhur urdhër që për këtu të niset një ushtri e madhe nga Dalmacia. Perëndimi e lindja po shtyhen për ne, po na ndajnë vëllain me vëlla. Dy perandori dërgojnë ushritë e veta këtu e maten në këto bjeshkë të egra e të amshueshme, duke u shtriqur përgjakshëm mbi mjerimin tonë.”

“Më duket se për thyerjet e përthyerjet e tyre shumë të mëdha e me shumë synime për të ardhmen, ata të fuqishën po mundohen që këtu të gjejnë zgjidhje. Secila nga ata i do dhe i ruan me vete këto male, që japin shumë trima për të tjerët e shumë mjerim për vete”.

“E the mirë, e dashura ime. Po, nga këtu falim shumë trimëri për të tjerët e shumë mjerim për vete…Shumë mjerim…”

“Toka e Arbërit po krijon shtete e popuj… Ndoshta ke dëgjuar për bullgarët?!”

“Po, një hiç popull që krijoi emër, perandori, histori…”

“Dhe ne themele kishte e vazhdon ta ketë sakrificën tonë, gjakun tonë, shpirtin tonë… Gjithnjë duke u mbështetur në vlerat tona, duke na i përvetësuar ato, duke na larguar neve nga qenia jonë, duke e lidhur veten e ne me sllavët! Një popull që s’ka asgjë të përbashkët me sllavët, ngado shkon ngulit sllavizimin!?”

“Po, tregohen histori” – foli si e përgjumur Tamara. Marjani e shikoi dhe u habit sesa e lodhur dhe e plakur po dukej ato momente ajo.

“Nuk po më dukesh mirë, Tamarë. A kthehemi në kullë?”

“Jo, bisedojmë edhe pak. Ne pleqëve vetëm bisedat, gjërat e lexuara dhe thashethemat e dëgjuara na kanë mbetur, si mundësi për të treguar se jemi gallë.”

“Besoj se një gjallërim, si ky gjallërimi ynë, do të jetë i pranishmëm gjithnjë nëpër këto bjeshkë, prandaj do ta kemi shumë të vështirë të shkojmë ndonjë hap më tutje një gjallërimi të mundimshën e të përhershëm. Të gjitha gjasat flasin se këtë popull, gjatë shekujve të ardhshëm, e  pret një jetesë shumë të vështirë.”

Në natyrë nuk ndërroi kurrgjë ato çaste, por Marjanit iu bë sikur nisi një erë e beftë dhe e fuqishme. Iu bë sikur bjeshkët do të rrotulloheshin e po ngatërroheshin dhe sikur do të binin mbi ta, me gjithë ata gurë të mëdhenjë. Ai nuk e dinte si po dukej, po Tamara u rrëqeth kur hodhi shikimin kah ai.

“Ikim nga këtu… Nuk je mirë Marjan! Sapo po më jepje kurajo mua e ndërrove qëndrim dhe pamje?! Çka ndodhi me ty?”

“Diçka ndodhi e dashur… Ndodhi! Nuk e di!”

Atë e shqetësoi shqetësimi i saj dhe sforcoi veten për t’u dukur më i qetë. Bjeshkët sikur u qetësuan. Jehonat sikur ikën larg e afër i erdhi një zagushi e çuditshme. Në qiell sikur po hapej një hapësirë e gjërë, ku ai po shihte atë që kishte në mendje. Nuk kuptoi sa mbeti duke shikuar atë realitet imagjinate.

“Je me mua, Marjan” – i tha Tamara e shqetësuar.

“Po e dashur, e di se jam me ty. Por nuk e di kush është me ne e kush kundër nesh. Më bëhet se askush nuk është me ne. Ata po tallen, po luajnë me ne, Tamarë… Po realizojnë trille të tyre me ne…!”

“Kush po luan me ne?!”

“Perandoritë, shtetet që po krijohen në trevat tona, popujt që po vërshojnë nga të gjitha anët… Po na shtrijnë përdhe e po na flasin sikur po na ngrehin në qiell!”

“E ne nuk ndërmarrim kurrgjë… U shërbejmë synimeve të tyre!”

“Nuk e di si mund të gjejmë forcë të bëhemi bashkë e t’u përgjigjemi atyre si e meritojnë! E kemi mundësi!”

“Po u shërbejmë atyre, si shërbëtorë plotësisht të nënshtruar dhe po veprojmë plotësisht sipas tekave të tyre. Ata i kanë kuptuar të metat tona dhe po na joshin ashtu që të mos mundemi të mendojmë. Po na e ngulitin bindjen se ne nuk mund të bëjmë asgjë vet, se ne jemi dikushi vetëm si të dëgjueshën e se ata janë krijuar të bëjnë vepra të mëdha…”

“Kurse te ne është sikur është thelluar nënshtrimi sikur na ka hyrë në vetëdije se ne mund të bëjmë shumë, por vetëm për ata e duke i pasur ata mbi kokë!”

“Sikur jemi të gjykuar të bëjmë madhështi për të tjerët e mjerim për vatrat tona!” – foli me pezmë Tamara e një lot ia përshkoi faqen.

“Nuk e pranojmë tonin si projës apo si të madh. Në matje me tanët, ne zgjedhim vetëm veten!” – tha Marjani.

“Prandaj te secila anë që shikojmë, po na duket sikur të gjitha këto veprime e sakrifica ushtarake dhe politike i bëjnë për ne, për të na ruajtur neve. Dhe ata, të gjitha të këqijat i drejtojnë, si pa të keq, kundër nesh”.

“Si gjithmonë këta shekujt e fundit, si gjithmonë!”

“Edhe ne si gjithmonë: me të gjithë e kundër vetes!”

Marjani u ndje i molisur. Po disi edhe i zemëruar. Donte të thoshte disa fjalë që do e nxirrnin mllefin që kishte brenda dhe u habit kur nga goja i doli:

“Si vëllezërit tu!”

“Po, por edhe si vëllezërit tu, i dashur, që  shkuan në Dukle dhe u bënë  armë  e sllavizmit atje, duke vrarë, shtypur e masakruar dukleatët vendës, vëllezërit e vet! Si ata nipat tu që bënë emër në Romë e këtu desh u vdiqën familjarët për bukë. Po të mos u kishim ndihmuar, kush nga familja e tyre nuk do të mbetej në jetë.”

“Janë me mijëra arbër që mbahen shumë madhështorë atje ku gjenden, që jetojnë të rrethuar me pasuri të mëdha e me shërbëtorë pa numër, po që i kanë harruar të vetët dhe ata jetojnë në mjerim këtu… Ndoshta pendohen kur shtrihen të vdesin vendeve të panjohura, po atëherë është vonë. As edhe një kujtim për ta nuk mbetet atje e nuk ka përse t’i kujtoj ndokush as këtu! Jetë të shkuara kot këto tonat …”

U kthyen kah njëri-tjetri e u shikuan gjatë në heshtje. Sikur po shëtisnin viteve të dashurisë, rrjedhave të mundimshme, pamjeve tmerruese gjatë rrethimeve të gjata, kohëve të urisë, do rrjedhave me shpresë përshkuar… Befas Tamara e shikoi me qesendi dhe ai nuk e kuptoi pse. E pyeti me shikim se çka donte t’i thoshte.

“Edhe ti desh pate shkuar njëherë!” – i tha.

“Po, isha gati të shkoja. Nuk doja të mbetesha i vetëm, sepse gjithë mocanikët e mi shkuan. Po ishte dikush që më bindi të mos shkoja. Ishe ti dhe dashuria jote, Tamarë! Ishin edhe këto male që i dua shumë… O, ishin shumë kujtime që më lidhën këmbë e duar e nuk u nisa. Dhe bëra mirë që nuk u nisa!”

“E di. Dhe të kam dashur edhe më shumë për këtë e të kam qenë mirënjohëse e do të të jem mirënjohëse sa të jem gjallë!”

“Nisën të na merrnin shembull, prandaj erdhën të të rrëmbenin, që të më thyenin mua e të na e mundnin dashurinë.”

“Po, erdhën nga fisi i Krasajve dhe më zunë pritë përtej kullës – Tamarës i erdhi mu para syve të mendjes ajo ditë. Ti atë kohë kishe shkuar të dërgoje disa barna për familjen e Dedës në Hot dhe ata e dinin se nuk ishe në shtëpi… Por fati ynë e deshi që të ishte duke u kthyer dhe dëgjove britmat e mia të qëndresës dhe erdhe sa ishin rrugës, duke më tërhequr zvarrë, më shumë vdekur se gjallë. Qëllove të parin e tyre e ata ikën e nuk u panë më…”

“Nuk e harroj kurrë atë pamjen tënde ngazëlluese dëgjove zërin tim e shtrëngrimin që më bëre kur tashmë kishe shpëtuar nga duart e tyre!”

“Dhe vazhduam të jemi këtu…” – u mallëngjye Tamara.

“Po, po… Por, edhe ne të mbeturit këtu, në vendin tonë, në malet tona, ndjehemi po humbës! Ndjehemi humbës kështu të rralluar, të larguar nga njëri-tjetri, të vetmuar në malet e shkretuara nga njeriu, koha e nga ligësia.”

Heshtën. Një ushëtimë e largët sikur bluante gurët e thepave.

“I dashuri vendi ynë sa pak po të duam!” – ofshani Marjani.

“Po bëhemi e sikur po e vërtetojmë se nuk na mjaftuakan traditat tona, fakti që flasim gjuhën tonë të lashtë e të bukur…”

“Mendojmë se me mburrje e me këngë trimërie i mbulojmë të gjitha të metat tona, se ashtu vërtetojmë që jemi ende vetja, se jemi ne… Por jo, sepse ndryshe jemi me veprime kur jemi me njëri-tjetrin e ndryshe me të huajt. Këtu të parë e të papërkulshëm, atje krejt të qullët e të nënshtrurshëm. Këtu nuk flasim me bindje, me të huajt nuk kemi bindje…”

“Po, po, na ka humbur bindja për veten dhe nderimi për madhështinë që duhet të kishim. Ajo madhështi e ai nderim nuk është më midis të afërmëve të mi, as te të afërmit tu!”

“Prandaj më bëhet se po më tronditet toka nën këmbë, se po rrotullohet ntayra që kam përbri, se po hapet qielli…!”

“Jemi po ne që themeluan këtë Rashkën a Rasin, nuk di si po e quajmë me të vërtetë, që ndjek pikë për pikë shembullin e bullgarëve dhe që heret a vonë ka mundësi të bëhet kobi jonë. Tanët janë në ballë të këtij shteti në formim dhe po kam bindjen se janë mu ata që po ngulitin dhe ushqyejnë urrejtjen e shfrenuar të mbarë rasianëve kundër nesh. Ata po forcohen të ushqyer nga urrejtja për ne e nga dëshira për të na zhdukur nga faqja e dheut.”

“Kam dëgjuar disa rrëfime për atë Rashkën a Rasin. Ata po vjedhin shumë nga traditat tona e po na i vjelin njerëzit më  të zot që kemi. Po krijohet kështu një popull i habitshëm e pa themel, në një vend të çuditshëm e të harruar….”

Diku u dëgjuan timpane e fanfare ushtarake. Njëra ushtri ishte futur luginës së Cemit. Ndoshta të dyja.

Ishte mirë të ktheheshin në shtëpi sa më parë, që të mblidheshim me gratë e fëmijët e të strukeshim në vendet ku nuk do të shkelte dot i huaji. Do të strukeshim atje, por jo më të sigurtë. Sepse tashmë me të huajin ishin edhe shumë nga njerëzit e Kelmendit e fiseve të tjera.

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close