Si arriti Çerçiz Topulli me vetëm11 komitë të shpartallojë taborin turk

Çeta e Çerçiz Topullit ka qenë ajo që ka pasur pak vet, por ata që kanë qenë, ishin trima. Pas vrasjes së bimbashit të Gjirokastrës, çeta u çopëzua për tu bërë më e manovrueshme. Çerçizi kishte me vete: Mihalin, Hajredinin, Asllaninin, Zemanin, Hiton, Myftarin dhe ditën e martë më 17 mars luftëtarët shkuan në shtëpinë e Myrto Haskës, i cili ishte babai i Zeman Haskës, siç njihet ndryshe Zeman Mashkullora. 18 marsi 1908, ishte ditë e martë duke u gdhirë e mërkurë. Pa u zbardhur mirë dita kur Çerçizi u ngrit i pari, pa nga dritarja si në mjegull një turmë njerëzish që po i afroheshin shtëpisë. Fillimisht i pandehu nxënës. Pasi vuri dylbinë dhe pa se ishin askerë osmanë dhe lëshoi kushtrimin, që është kthyer në legjendë:“O burrani, o shokë, se na rrethoi ushtria!”. Trupa të shumta turke të garnizonit të Gjirokastrës dhe ato që erdhën nga Janina, u vunë në ndjekje të çetës. Luftëtarët rrëmbimthi morën ç’mundën dhe u drejtuan poshtë përroit. Por, spiuni Veip, të cilin Çerçizi e asgjësoi gjatë luftimit, i drejtoi askerët osmanë në drejtim të rrapit, në qendër të Mashkullorës. Edhe pse askerët hapen zjarr të befasishëm, Çerçizi dhe Asllani zunë më shpejt se ushtarët haurin e Abaz Çanos dhe hapën zjarr mbi ta.

Zemani, Myftari, Hajredini e Mihali, erdhën njëri pas tjetrit në drejtim të haurit. Gjatë rrugës nëpër lëndinën që të çonte tek hauri, u vra luftëtari 18 vjeçar i çetës, përmetari Hajredin Tremishti. Mihal Grameno, i cili ishte më pranë tij, nuk mundi të merrte trupin e pa jetë të Hajredinit. i pikëlluar jashtë mase Mihali u dha shokëve lajmin e vrasjes së Hajredin Tremishtit. Marrja e hakut ishte flakë për flakë. “Tre askerë njëri pas tjetrit, thotë Mihali, qëlloi Çerçizi, e të tjerë të plagosur që u dëgjoheshin ulërimat, sa i detyroi të tërhiqen… Braktisja e shtëpisë dhe lëvizja përmes përroit si dhe dalja tek hauri i braktisur i ndihmoi përkohësisht luftëtarët e çetës së Çerçizit; ndërsa Hito Lekdushi, duke parë strehën gërmadhë në pamundësi pozicionimi mundi të largohej dhe çeta e rrethuar tek hauri mbeti me pesë vetë, përballë rreth 150-200 askerëve osmanë (sipas M. Gramenos). Hito Lekdushi ishte luftëtari që nuk mundi të futej në “kështjellën-haur”, një grup askerësh arritën ti prisnin udhën dhe përgatiteshin ta kapnin. Por, labi kurveleshas nuk e humbi kontrollin. Ai çau trimërisht përmes shkrepave të Levenishtës, u përlesh me armë e trup me trup me askerët, pas 3-4 orësh luftim çau rrethimin dhe u ngjit në malin e Gjerë.

Rapsodi lab vargëzoi popullorçe:“Ndriçoi hëna ngjyrë prushi/Se shkonte Hito Lekdushi’/Për Hito Habibin thonë/Kërkonte haka të zonë..”Hito Xhelil Habili (Lekdushi), i njohur në historinë kombëtare si Hito Lekdushi ishte shok armësh me Çerçiz Topullin e Mihal Gramenon, ku më 9 mars 1908, me Bajram Ligun nga Prongjia, shkroi historinë e atentatit të shekullit kundër komandant i xhandarmeisë në Gjirokastër, që terrotrizonte një popull të tërë. Kapedani dhe prijësi Çerçiz Topulli, pas humbjes së Hajredinit ju drejtua shokëve: “Të rrojë Shqipëria se edhe neve si Hajredini do të vritemi, por, o burrani, shok, të zëmë vendet e të luftojmë burrërisht dhe mos u trëmbni”. Çerçizi, Zemani dhe Myftari zunë qendrën e haurit, mbrapa Mihal Grameno dhe Asllan Starja. Lufta filloi në mëngjes dhe përfundoi në mbrëmje ishte një luftë për jetë a vdekje, ku çeta e shtatë trimave, me kapedan Çerçizin në krye përballoi një tabor me osmanë, për një ditëv rresht në një betejë krejtësisht të pabarabartë. Raporti i forcave ishte, tmerrues për çdo lloj kapedani e prijësi. Por historia shqiptare ka njohur edhe kapedanë të tillë si Çerçiz Topulli. Në librin e Mihal Gramenos “Kryengritja shqiptare”, një prej dëshmitarëve okularë të kësaj epopeje të lavdishme kombëtare shkruan: “Çerçizi u tregua një dragua në këtë luftë. Ai replikonte me ushtarët. Jemi bijtë e Skënderbeut dhe nuk jepemi, por do të luftojmë gjer në orën e fundit. Shqiptari di të vdes sipas zakonit e nderit. Vetëm dhe vetëm atëherë munda të besoj historinë e kombit tonë. Atëherë munda të njoh burrërinë dhe trimërinë e stërgjyshërve tanë, të kuptoj e të çmoj vleftën e këtij djali trim se megjithëqë u rrit i përkëdhelur, nuk i trembej vdekjes.

Zbathur, kolos, me leshra përpjetë, vërtitesh nga të gjitha anët si një komandant i madh, me pushkën në dorë e gjashtaren në dhëmbë, duke burrëruar neve, duke qëlluar mbi ushtarët. Fytyra e tij këtë ditë ishte më e çelur se kurdoherë”. Kronikani i betejave dhe shërbëtor i paepur i historisë kombëtare shqiptare Mihal Gramenoja e kujton Çerçiz Topullin në betejën e haurit në Mashkullorë: “Zbathur, kokëjashtë, me leshrat përpjetë vërtiteshe në të gjitha anët si një komandant i madh, me pushkën në dorë dhe gjashtoren në dhëmbë duke na mburrur neve dhe duke qëlluar mbi ushtarët. Fytyra e tij, këtë ditë, ishte më e qeshur se kurdoherë, edhe jo sikur luftonte, por sikur kërcente”, (Mihal Grameno, Vepra, Vëllimi II, Rilindja, Prishtinë, 1979). Rreth mbrëmjes, në vendin e luftimit erdhën trupa të reja, por edhe sulmi i tyre u zmbraps nga zjarri i kalibruar i luftëtarëve të Çerçizit. Trupat osmane dhe komanda e tyre, u lodhën dhe më shumë u çoroditën si nga humbjet e shumta ashtu edhe nga shiu që kishte rënë gjatë gjithë ditës, nga nata që po afrohej, por edhe mjegulla që sapo ra. Kapedani dhe strategu i betejës Çerçizi, iu drejtua Zeman Mashkullorës dhe Asllan Starjes: “Vëzhgoni vendin përreth për të gjetur shtegun se nga mund të çajmë rrethimin”. Ky ishte një urdhër në kohën dhe vendin e duhur. Zemani si mashkullorit e njihte me pëllëmbë vendin. Propozoi të bënin poshtë përroit dhe ashtu u bë. Çerçizi ndau detyrat: Zemani dhe Mihali të parët, atëhere Çerçizi do të vazhdonte zjarrin, Asllan Starja do të merrtre në krah Myftarin e plagosur. Myftari u lutej shokëve ta vrisnin, se mos binin në dorë të armikut. Por, Çerçizi i tha: “Po të vdesim ne, aherë do të vdesësh edhe ti, nuk të lëmë në dorë të halldupëve edhe sikur të japim jetën tonë, ti e bëre tënden. Po, bëj kurajo o trim. Pastaj iu drejtua shokëve: Mblidhi forcat, se do çajmë rrethimin”. “Gjaku Hajredinit u bëftë dritë, përpara me shpejtësi drejt përroit më të poshtë.. përpara na presin beteja të reja”. Beteja e zhvilluar në një ditë që vesonte shi zgjati nga mëngjesi deri në të ngrysur. Mes të ushtarëve osmanë të vrarë ishte dhe kallauzi tradhtar, që i tregoi osmanëve vendin ku strehohej çeta. Nën udhëheqjen e Çerçizit në zjarr e sipër çeta e çau rrethimin dhe arriti në Kasollet e Dino Çiços, ku shërbente një punëtor i kësaj familje fisnike gjirokastrite, që quhej Shahin. Shahini kishte gatuar fasule dhe, u përgatiti luftëtarëve darken me ç’ju ndodhën.

Mihali lidhi plagën e Myftar Axhemit nga Gjirokastra që u plagos tek hauri, dhe luftëtarët e tjerë thanë rrobat e lagura në zjarrin e kasolles. Pasi u çlodhën dhe u siguruan se osmanët nuk kishin rënë në gjurmë, çeta shkoi në drejtim të Gjirokastrës mbi qytet në malin e Gjerë. Shahini shërbeu si korrier midis çetës dhe njerëzve të konakut të Çerçizit. Takimi i çetës me Banushin, vëllain e Çerçizit, nuk ishte i mundur. Në këto rrethana Çerçizi vendosi të hynte në qytet, njerëzit nuk i hapnin portën nga frika e askerëve, spiunëve dhe xhandarëve që ishin shpërndarë në qytet. Pasi trokiti në disa shtëpi, Çeçua u prit nga Resul Berberi. Në shtëpinë e tij u bënë takimet me njerëzit e Myftzrit, të cilin e lanë në qytet dhe Çeta shkoi në Dervician tek familja e Thomait dhe pas kësaj në pyllin e Luvinës. Ndihma e popullsisë së Dervicianit, Vanistrës dhe Goranxisë ishte e pakursyer. Stefan Bako nga Bularati, për gati një muaj e gjysmë e mbajti çetën e Çerçizit me ushqime, veshmbathje e strehim, por edhe me ndërlidhje me komitetin e Gjirokastrës. Polizoi Gjini dhe djali i tij Mihu nga Vanistra, ishin korrierët besnikë me vendin e strehimit të çetës. Një miqësi të veçantë kishte familja Topulli dhe djemtë e saj, me Thoma Papapanon etj. Ata i dhanë Çerçizit letrat nga Misiri, Bari, Gjirokastra, Korça, Janina nga shumë patriot shqiptarë, tek të cilët ishte ndezur fuqishëm zjarri i luftës për lirinë dhe pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Është kjo arsyeja që kënga për Çerçizin do t’ju përcillet shekujve: “Milazim largo taborrë/ Se të kuq, të bëj me bojë/Çerçiz Topulli më thonë..”. Kjo betejë pasoi edhe me suksese të tjera në luftimet e zhvilluara në Frashër, Delvinë, Labovë, Shtëpëz, Çepunë, Virua, Lunxhëri, Skërficë etj. Në Gjirokastër, shtëpia e Topullarëve edhe sot qëndron si një kështjellë krenare kombëtare që do t’ju flasë brezave për Bajon, për Çerçizin dhe për çetën e parë të lirisë.

/Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi

Instituti i Studimeve Historike Ushtarake

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close