Zgjerimi i kufirit detar të Greqisë reagon MEPJ

ATSH/ Ministria për Europën e Punët e Jashtme e Shqipërisë lidhur me deklaratat për zgjerimin së shpejti të gjerësisë së detit territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje detare, deklaroi sot se “kjo është një çështje që rregullohet nga e drejta ndërkombëtare dhe konkretisht nga Konventa e së Drejtës së Detit (UNCLOS) e Montego Bay e vitit 1982”.

Në një reagim të saj për “Zërin e Amerikës” MPEJ tha se “kemi ndjekur me vëmendje sot zhvillimet në Parlamentin grek dhe deklaratat e zyrtarëve më të lartë të vendit fqinj gjatë seancës së ratifikimit të marrëveshjeve detare mes Italisë dhe Greqisë si dhe mes Greqisë dhe Egjiptit. Qeveria shqiptare vlerëson arritjen e marrëveshjeve për delimitimin e hapësirave detare mes vendeve të rajonit të Mesdheut duke u mbështetur në normat ndërkombëtare për të drejtën e detit dhe frymën e miqësisë dhe interesit reciprok”.

MEPJ shprehet se “Greqia ashtu si çdo shtet tjetër palë e konventës aty ku e lejon gjeografia dhe për sa kohë që nuk cënohen të drejtat sovrane të një shteti tjetër gëzon të drejtën që të zgjerojë gjerësinë e Detit Territorial sipas parashikimeve të UNCLOS. Vetë Shqipëria në bazë të kësaj konvente ku është palë ka ushtruar të drejtën për të përcaktuar gjerësinë e detit të saj territorial në 12 milje detare, zgjerim i cili është depozituar pranë Kombeve të Bashkuara që prej 9 marsit 1990 dhe që nuk është kontestuar për asnjë moment nga fqinjët tanë. Kjo e drejtë që buron nga konventa nuk është çështje negociate mes shteteve palë të konventës dhe në të gjitha rastet shtetet që janë në procese negociuese mbi delimitimin e hapësirave detare janë të detyruara që të ndjekin parimet, frymën dhe kriteret e konventës që u njeh shteteve palë të drejtën e zgjerimit te ujerave territoriale deri në 12 milje detare”, – thekson MEPJ.

Sidoqoftë, vijon MEPJ, qeveria shqiptare do të jetë e vëmendshme për çdo proces legjislativ në vendin fqinj, i cili mund të ketë ndikim në ushtrimin e sovranitetit territorial dhe të drejtave sovrane në hapësirën detare që i takon.

“Shqipëria dhe Greqia, si shtete fqinje që ndajnë zona detare, janë tashmë të angazhuara për arritjen e një marrëveshje të re në frymën e mirëkuptimit dhe interesit reciprok, bazuar në parimet dhe normat e së drejtës së detit, praktikën ndërkombëtare, si dhe duke respektuar dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, – tha MEPJ./

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close