Votohet Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, të dielën pak para mesnate, me 62 vota për dhe 51 kundër ka votuar qeverinë e re që do të drejtohet nga Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), në koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI).

Kryeministri i porsazgjedhur Zoran Zaev, në fjalimin para deputetëve ka thënë se prioritet në punën e qeverisë së re do të jetë ngritja e standardit të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, përballja me pandeminë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian, reformat në administratë e gjyqësor, por edhe raporteve të mira me vendet fqinje përmes zbatimit të marrëveshjeve tashmë të arritura me Greqinë dhe Bullgarinë.

Pandemia dhe integrimi evropian, sfida kryesore të qeverisë së re

Zaev tha se Maqedonia e Veriut tanimë është shtet i konsoliduar, pa asnjë kontest të brendshëm ndëretnik, pasi siç tha ai, “është arritur të ndërtohet, është i të gjithëve”.

“Do të angazhohemi për ndërtimin e shtetit demokratik, përballjen me pandeminë, ngritjen e ekonomisë, rritjen e pensioneve dhe të pagave. Do të luftojmë fuqishëm krimin dhe korrupsionin. Jemi të angazhuar me forcimin e shtetit ligjor, sundimin e ligjit, të kemi gjyqësi të pavarur dhe administratë efikase”, tha Zaev.

“Qeveria e re është e përkushtuar për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Ne do të vazhdojmë me zbatimin edhe të Marrëveshjes së Ohrit, e cila është baza e bashkëjetesës ndëretnike. Përpara nesh është një periudhë në të cilën si shtet do të marrim shumë më tepër, sesa do të japim. Ne jemi të përkushtuar të hapim 80 për qind të kapitujve të negociatave në katër vjetët e ardhshme”, shtoi ai.

Por, deputetët e opozitës në fjalimet e tyre thanë se qeveria e re nuk do të dallojë nga ajo e kaluara, duke e akuzuar për rrënimin e shtetit, të ekonomisë, rritjen e krimit dhe të korrupsionit, por edhe siç thanë për “tradhti kombëtare” duke përmendur ndërrimin e emrit të shtetit.

“Qeveria e re e LSDM-së dhe BDI-së është një koalicion gënjeshtrash që do të përballet me protesta masive në vjeshtë. Kjo qeveri do të jetë me afatin më të shkurtër. LSDM premtoi një koalicion pa BDI-në pasi e kishte akuzuar për korrupsion dhe krime të rënda, ndërsa pa turp e prezanton si parti që do të shtyjë përpara proceset. Kjo qeveri është qeveria e krimit dhe e mashtrimit”, ka deklaruar Aleksandar Nikollovski, deputet i partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE.

Deputetët e opozitës shqiptare në fjalimet e tyre u ndalën në, siç thanë, “mashtrimin e madh të BDI-së për kryeministrin shqiptar”.

“BDI në opozitë – pse jo, kryeministër shqiptar – pse jo, dhe asnjëra dhe as tjetra.. Naser Zyberi (kandidat i BDI-së për kryeministër) ishte simbolik e manipulimit. Në vitin 2011 ju e larguat përdorimin e gjuhëve nga prioriteti për shkak të anët arsimit të vendit në NATO, në vitin 2014 e larguat pozitën e kryeparlamentarit shqiptar nga prioritetet, për shkak të siç thoshit, luftës në Ukrainë dhe me logjikën e njëjtë besoj se edhe tani keni larguar kandidatin për kryeministër shqiptar për shkak të krizës në Bjellorusi”, ka deklaruar Elmi Aziti, deputet i Aleancës për Shqiptarët.

Qeveria ul numrin e ministrive, Kuvendi rrit numrin e nënkryetarëve

BDI-ja në qeverinë e re do të ketë gjashtë ministri.

Zëvendëskryeministër i parë dhe njëherësh ministër i Sistemit Politik pritet të emërohet Artan Grubi. Me Ministrinë e Punëve të Jashtme do ta udhëheqë Bujar Osmani, ndërsa Fatmir Besimi me Ministrinë e Financave. Ministër i Ekologjisë është caktuar Naser Nuredini, i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi kurse ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike, prite të jetë Jeton Shaqiri. Nga partitë shqiptare, post ministror do të ketë edhe Lëvizja Besa. Arjanit Hoxha nga kjo parti do të emërohet ministër i Bujqësisë.

Resorët tjerë i takojnë LSDM-së. Me Ministrinë e Brendshme do të udhëheqë Oliver Spaskovski, Radmilla Sheqerinska do të jetë ministre e Mbrojtjes, Jagoda Shahpaska ministre e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carevska do të udhëheqë Ministrinë e Arsimit, Bojan Mariçiq do të jetë ministër i Drejtësisë, Goran Milevski, ministër i Pushtetit Lokal, Bllagoj Bocvarski i Transportit, Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë dhe ministre e Kulturës, Irena Stefoska./rel

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close